Libri biblik numër 22—Kënga e Solomonit
Shkrimtari: Solomoni
Vendi ku u shkrua: Jerusalem
Shkrimi përfundoi: rr. 1020 p.e.s.
1. Në ç’kuptim kjo është «Kënga e këngëve»?
«BOTA mbarë nuk ishte e denjë për ditën kur iu dha Izraelit kjo Këngë e mrekullueshme.» Kështu e shprehu çmueshmërinë e tij për Këngën e Solomonit, rabini jude Akiba, që jetoi në shekullin e parë të erës sonë.a Titulli është marrë nga fjalët e para të librit: «Më e bukura këngë e Solomonit.» Shprehja «Kënga e këngëve» është përkthimi fjalë për fjalë i tekstit hebraik, që tregon një shkallë sipërore, ashtu si shprehja «qiejt e qiejve», tregon qiejt më të lartë. (Ligj. 10:14) Nuk është një përmbledhje këngësh, por një këngë e vetme, «një këngë e përsosurisë së plotë, një nga më të mirat që ka ekzistuar ose që është shkruar ndonjëherë».b
2. (a) Kush ishte shkrimtari i Këngës së Solomonit, përse ishte i zoti ta bënte këtë dhe përse libri mund të quhet këngë e një dashurie të dështuar? (b) Kur dhe ku u shkruar libri?
2 Shkrimtari i kësaj kënge ishte Mbreti Solomon i Jerusalemit, siç e tregojnë fjalët e para. Ai ishte vërtet i zoti të shkruante këtë këngë, që është një shembull jashtëzakonisht i bukur i poezisë hebraike. (1 Mbret. 4:32) Është një poemë idilike, e mbushur plot domethënie dhe shumë e larmishme në përshkrimet që i bën bukurisë. Lexuesi që arrin të përfytyrojë peizazhin oriental, do ta vlerësojë edhe më shumë këtë këngë. (Këng. 4:11, 13; 5:11; 7:4) Ngjarja që frymëzoi shkrimin e saj, ishte e veçantë. Mbreti i madh Solomon me mençuri të famshme, me fuqi të madhe e me një pasuri marramendëse që ngjalli edhe admirimin e mbretëreshës së Shebës, nuk arriti të bënte për vete një vajze të thjeshtë nga fshati, me të cilin ai ra në dashuri. Mbreti u dorëzua përpara dashurisë së saj besnike për një bari. Prandaj, me të drejtë, libri mund të quhet Kënga e dashurisë së dështuar të Solomonit. Perëndia Jehova e frymëzoi ta kompozonte këtë këngë për dobinë e lexuesve të Biblës në epokat që do të vinin. E shkroi në Jerusalem, ndoshta rreth vitit 1020 p.e.s., disa vjet pasi kishte përfunduar tempulli. Në kohën kur shkroi këngën, Solomoni kishte «gjashtëdhjetë mbretëresha, tetëdhjetë konkubina», në krahasim me «shtatëqind gra, princesha, dhe treqind konkubina» që kishte në fund të mbretërimit të tij.—Këng. 6:8; 1 Mbret. 11:3.
3. Ç’dëshmi kemi se Kënga e Solomonit është pjesë e kanunit biblik?
3 Në kohët e lashta, vendi që zinte Kënga e Solomonit në kanunin biblik, nuk vihej në dyshim. Ajo konsiderohej pjesë përbërëse dhe e frymëzuar e kanunit hebraik shumë kohë para erës sonë. U përfshi në Septuagintën greke. Historiani Jozef e futi në listën e librave të shenjtë. Prandaj, dëshmitë që provojnë se ajo është pjesë e kanunit biblik, janë të njëjtat që përdoren edhe për librat e tjerë të Shkrimeve Hebraike.
4. (a) A e skualifikon Këngën e Solomonit nga lista e librave kanunorë fakti që nuk përmend fjalën «Perëndi»? (b) Ç’gjë i jap atij vendin e vet të veçantë në kanunin e Biblës?
4 Mirëpo, disa e kanë vënë në dyshim këtë fakt, përderisa aty nuk flitet për Perëndinë. Gjithsesi, mospërmendja e Perëndisë nuk e skualifikon librin nga lista e librave kanunorë, ashtu sikurse vetëm prania e fjalës «Perëndi» nuk do ta bënte pjesë të këtij kanuni. Faktikisht, emri i Perëndisë shfaqet, në formën e shkurtuar, në kapitullin 8, vargu 6, ku thuhet se dashuria është «flaka e Jah». S’ka dyshim se libri është pjesë e atyre shkrimeve që Jezui i miratoi me fjalët: «Ju shqyrtoni Shkrimet, sepse mendoni se me anë të tyre do të keni jetë të përhershme.» (Gjoni 5:39) Për më tepër, portretizimi i fuqishëm që i bën cilësisë së shkëlqyer të dashurisë reciproke që ekziston në kuptimin frymor mes Krishtit dhe ‘nuses’ së tij, e vendos Këngën e Solomonit në vendin e vet të veçantë në kanunin e Biblës.—Zbul. 19:7, 8; 21:9.
PËRMBAJTJA E KËNGËS SË SOLOMONIT
5. (a) Si identifikohen personazhet e dramës? (b) Çfarë teme prekëse zhvillohet?
5 Përmbajtja e librit paraqitet përmes një vargu bisedash. Folësit ndryshojnë vazhdimisht. Ata janë Solomoni, mbreti i Jerusalemit, një bari, shulamitja e tij e dashur, vëllezërit e saj, zonjat e oborrit mbretëror («bijat e Jerusalemit») dhe gratë e Jerusalemit («bijat e Sionit»). (Këng. 1:5-7; 3:5, 11) Këto personazhe identifikohen nga fjalët që thonë për veten ose nga ato që thonë të tjerët për ta. Drama zhvillohet pranë Shunemit, ose Shulemit, ku Solomoni ka fushuar bashkë me suitën e oborrit të tij. Ngjarjen e përshkon një temë prekëse: dashuria e një vajze nga fshati i Shunemit për shokun e saj bari.
6. Ç’bisedë bën vasha me zonjat e oborrit në kampin e Solomonit?
6 Vasha shunamite në kampin e Solomonit (1:1-14). Vasha ndodhet në çadrat mbretërore, ku e ka çuar mbreti, por ajo është në ankth vetëm për të parë të dashurin e saj bari. Aq shumë digjet nga dëshira për të dashurin e saj, saqë flet për të sikur të ishte i pranishëm. Zonjat e oborrit, «bijat e Jerusalemit», që i shërbejnë mbretit, e shohin shulamiten me kureshtje për shkak të pamjes së saj zeshkane. Ajo shpjegon se e ka zënë dielli teksa kujdesej për vreshtat e vëllezërve të saj. Pastaj flet me të dashurin e saj, sikur të ishte e lirë, dhe e pyet se ku mund ta gjejë. Zonjat e oborrit e ftojnë të dalë e të kullotë kopetë e veta pranë çadrave të barinjve.
7. Ç’propozime bën Solomoni, por me ç’rezultat?
7 Tani shfaqet Solomoni. Ai s’ka dëshirë ta lërë të shkojë. Lëvdon bukurinë e saj dhe premton ta stolisë me «rrathë ari» dhe «tokëza argjendi». Shulamitja u reziston propozimeve të tij dhe i bën të ditur se ajo ndien dashuri vetëm për të dashurin e saj.—1:11.
8. Si e inkurajon i dashuri vashën? Për çfarë ka mall ajo?
8 I dashuri bari shfaqet (1:15–2:2). I dashuri i shulamites vjen në kampin e Solomonit dhe e inkurajon. Ai e siguron për dashurinë e tij. Shulamitja ka mall të qëndrojë pranë të dashurit të saj dhe të ketë kënaqësinë e thjeshtë të rrijë bashkë me të jashtë nëpër fusha e pyje.
9. Si e konsideron vasha bukurinë e vet? Po i dashuri i saj?
9 Shulamitja është një vajzë modeste. «Unë jam veç një shafran i rrafshinës bregdetare»,—thotë ajo. Kurse bariu i saj i dashur mendon se ajo s’e ka shoqen dhe thotë: «Si një zambak mes gjembaçëve, kështu është shoqja ime ndër bijat.»—2:1, 2.
10. Çfarë kujton vasha lidhur me dashurinë e saj?
10 Vasha digjet nga dëshira për bariun e saj (2:3–3:5). E ndarë përsëri nga i dashuri, shulamitja tregon se sa e vlerëson atë mbi gjithë të tjerët. Ajo u thotë bijave të Jerusalemit se i ka vënë në be që të mos përpiqen të ngjallin tek ajo një dashuri tjetër që ajo s’e dëshiron. Shulamitja kujton kohën kur bariu i përgjigjej thirrjes së saj dhe e ftonte të shkonin kodrave në stinën e pranverës. Ajo e sheh atë tek u ngjitet maleve, duke hovur nga gëzimi. Ajo e dëgjon tek i thërret: «Çohu, eja, o shoqja ime, e bukura ime, eja të ikim.» Mirëpo, vëllezërit e saj, që s’ishin të sigurt se sa e qëndrueshme ishte ajo, zemërohen dhe e vënë të ruajë vreshtat. Ajo thotë: «I shtrenjti im është imi dhe unë jam e tija», dhe i lutet që të nxitojë e t’i shkojë pranë.—2:13, 16.
11. Ç’be u kujton përsëri shulamitja bijave të Jerusalemit?
11 Shulamitja përshkruan kohën kur e mbanin në kampin e Solomonit. Netëve, në shtratin e saj, ajo dëshiron me gjithë shpirt bariun e saj. Përsëri u kujton bijave të Jerusalemit se janë në be që të mos ngjallin tek ajo një dashuri që nuk e dëshiron.
12. Ç’inkurajim i jep akoma vashës i dashuri i saj, kur Solomoni e çon atë në Jerusalem?
12 Shulamitja në Jerusalem (3:6–5:1). Solomoni kthehet në Jerusalem plot shkëlqim mbretëror, teksa populli sodit shpurën që e shoqëron. Në këtë çast të vështirë, bariu i dashuruar nuk e lë në baltë shulamiten. Ai e ndjek të dashurën e tij, që është mbuluar me vel, dhe arrin të komunikojë me të. I jep forcë me fjalë të ngrohta dashurie. Ajo i thotë se dëshiron të jetë e lirë e të dalë nga qyteti, kurse ai shpërthen, i dalldisur nga dashuria: «Ti je e tëra e bukur, o shoqja ime.» (4:7) Veç një shikim i syve të saj, e bën zemrën e tij të rrahë më shpejt. Shprehjet e saj të dashurisë janë më të mira se vera, aroma e saj është si aroma e Libanit dhe lëkura e saj si një parajsë shegësh. Vasha e fton të dashurin të shkojë në «kopshtin e vet» dhe ai pranon. Disa shoqe nga Jerusalemi u japin zemër: «Hani o shokë! Pini e dehuni me shprehje dashurie!»—4:16; 5:1.
13. Ç’ëndërr sheh vasha dhe si ua përshkruan të dashurin e saj zonjave të oborrit?
13 Ëndrra e vashës (5:2–6:3). Shulamitja u tregon zonjave të oborrit një ëndërr, ku ajo dëgjon një të trokitur. I dashuri i saj është jashtë dhe i lutet asaj ta futë brenda. Mirëpo ajo ka rënë tashmë në shtrat. Kur më në fund ngrihet për të hapur derën, ai është zhdukur në errësirën e natës. Ajo i shkon nga pas, por s’e gjen dot. Rojat e keqtrajtojnë. Ajo u thotë zonjave të oborrit se, po ta shohin të dashurin e saj, duhet t’i thonë se ajo po digjet nga dashuria. Ato e pyesin se çfarë e bën atë djalë kaq të veçantë. Ajo bën një përshkrim tepër të këndshëm të tij dhe thotë se ai «të verbon dhe është faqekuq, më i spikatshmi ndër dhjetë mijë veta». (5:10) Zonjat e oborrit e pyesin se ku ka shkuar. Ajo thotë se ai ka shkuar të kullotë kopenë ndër kopshte.
14. Si dështon Solomoni në përpjekjet e tij, pavarësisht nga gjithë mjeshtëritë që përdor?
14 Propozimet e fundit të Solomonit (6:4–8:4). Mbreti Solomon i afrohet shulamites. I thotë përsëri sa e bukur është, më e hijshme se «gjashtëdhjetë mbretëresha [dhe] tetëdhjetë konkubina», por ajo nuk e pranon. (6:8) Ajo ndodhet këtu, vetëm ngaqë i duhej të kryente një punë pranë vendit ku ai kishte fushuar. ‘Çfarë sheh tek unë?’—e pyet ajo. Solomoni përfiton nga kjo pyetje e pafajshme dhe i flet për bukurinë e saj, nga tabani i këmbëve deri te maja e kokës, por vasha u reziston gjithë mjeshtërive të tij. Me guxim ajo thotë se i është kushtuar vetëm bariut të saj, dhe pastaj e thërret atë. Për herë të tretë, u kujton bijave të Jerusalemit se i ka vënë në be që të mos ngjallin tek ajo dashurinë kundër dëshirës së saj. Solomoni e lë të kthehet në shtëpi. Ai ka dështuar në përpjekjet e tij për të fituar dashurinë e shulamites.
15. (a) Me ç’kërkesë kthehet vasha te vëllezërit e saj? (b) Si ka triumfuar përkushtimi vetëm ndaj një personi?
15 Shulamitja kthehet (8:5-14). Vëllezërit e shohin tek afrohet, mirëpo ajo s’është vetëm. Ajo është «mbështetur tek i shtrenjti i saj». Ajo sjell ndër mend se të dashurin e saj e ka takuar nën një pemë molle, dhe e bën të qartë se dashuria e saj për të është e pathyeshme. Pastaj citohen disa nga shqetësimet që kishin më parë vëllezërit për ‘motrën e tyre të vogël’, mirëpo ajo u thotë se tanimë e ka treguar veten se është një grua e pjekur dhe e qëndrueshme. (8:8) Tani, vëllezërit duhet të japin pëlqimin e tyre për martesën. Mbreti Solomon le ta mbajë për vete pasurinë që zotëron! Asaj i mjafton vreshti që ka, sepse dashuron vetëm atë që është tejet i çmuar për të. Kjo dashuri është për të po aq e fortë sa vdekja, dhe afshet e kësaj dashurie janë si «flaka e Jah». Këmbëngulja për t’iu përkushtuar vetëm një personi, duke qenë ‘e paepur sa Sheoli’, ka triumfuar dhe e ka çuar drejt lidhjes sublime me bariun e saj të dashur.—8:5, 6.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
16. Ç’mësime të vlefshme gjenden në këtë këngë?
16 Ç’mësime të dobishme gjen sot njeriu i Perëndisë në këtë këngë dashurie? Dalin qartë në pah besueshmëria, besnikëria dhe integriteti ndaj parimeve hyjnore. Kënga tregon bukurinë e virtytit dhe të pafajësisë te një njeri që do me të vërtetë. Tregon se dashuria e vërtetë nuk mund të mposhtet, nuk mund të shuhet dhe nuk mund të blihet. Të rinjtë dhe të rejat e krishtere, si dhe burrat e gratë e martuara, mund të nxjerrin dobi nga ky shembull i përshtatshëm i integritetit kur hasin tundime dhe joshje.
17. (a) Si tregon Pavli se kjo këngë është shkruar për të mësuar kongregacionin e krishterë? (b) Përse themi se Pavli mund të ketë pasur ndër mend këtë shembull, kur u shkroi korintasve dhe efesianëve? (c) Ç’krahasime interesante mund të bëjmë me shkrimet e frymëzuara të Gjonit?
17 Por kjo këngë e frymëzuar është shumë e dobishme edhe për kongregacionin e krishterë në tërësi. Të krishterët e shekullit të parë e pranonin si pjesë të Shkrimeve të frymëzuara dhe njëri prej tyre shkroi: «Gjithçka që u shkrua kohë më parë, u shkrua për mësimin tonë, që, me anë të qëndrueshmërisë sonë dhe me anë të ngushëllimit nga Shkrimet, të kemi shpresë.» (Rom. 15:4) I njëjti shkrimtar, Pavli, mund të ketë pasur fare mirë në mendje dashurinë e fortë të vajzës shulamite për bariun e saj, kur i shkroi kongregacionit të krishterë: «Sepse jam xheloz për ju me një xhelozi hyjnore, pasi ju fejova personalisht me një burrë të vetëm, që t’ju paraqit para Krishtit si një virgjëreshë të dëlirë.» Pavli shkroi edhe për dashurinë që ka Krishti për kongregacionin, si dashuria që ka burri për gruan e tij. (2 Kor. 11:2; Efes. 5:23-27) Jezu Krishti jo vetëm që është Bariu i Shkëlqyer për ta, por edhe Mbreti i tyre, që u jep ithtarëve të tij të mirosur gëzimin e papërshkrueshëm të «martesës» me të në qiej.—Zbul. 19:9; Gjoni 10:11.
18. Në ç’mënyrë mund të përfitojnë ithtarët e mirosur të Krishtit Jezu nga shembulli i vajzës shulamite?
18 Sigurisht, këta ithtarë të mirosur të Krishtit Jezu mund të nxjerrin shumë dobi nga shembulli i vajzës shulamite. Edhe ata duhet të jenë besnikë në dashurinë e tyre, të mos joshen nga shkëlqimi materialist i botës, të mbajnë ekuilibër në integritetin e tyre, derisa të arrijnë shpërblimin. Ata e kanë mendjen të përqendruar te gjërat që janë lart dhe ‘kërkojnë më parë Mbretërinë’. I mirëpresin shprehjet e dashura të Bariut të tyre, Jezu Krishtit. Gëzojnë jashtë mase duke ditur se ky bari i dashur, edhe pse nuk e shohin, është pranë tyre dhe i nxit të kenë guxim e ta mundin botën. Duke pasur për Mbretin dhe Bariun e tyre këtë dashuri që s’mund të shuhet, të fortë si «flaka e Jah», ata do të arrijnë vërtet të fitojnë dhe të bashkohen me të si bashkëtrashëgimtarë në Mbretërinë e lavdishme qiellore. Kështu, emri i Jehovait do të shenjtërohet!—Mat. 6:33; Gjoni 16:33.
[Shënimet]
b Commentary, nga Klark, vëll. III, faqja 841.