Si e konsiderojnë Dëshmitarët e Jehovait arsimimin
Si të gjithë prindërit, Dëshmitarët e Jehovait shqetësohen për të ardhmen e fëmijëve. Prandaj, i kushtojnë një rëndësi të madhe arsimimit. «Arsimimi duhet t’i ndihmojë njerëzit që të bëhen pjesëtarë të dobishëm të shoqërisë. Duhet t’i ndihmojë, gjithashtu, për të zhvilluar çmueshmëri për trashëgiminë e tyre kulturore dhe për të bërë një jetë më të kënaqshme.»
SIÇ tregon ky citim i marrë nga The World Book Encyclopedia, një nga qëllimet kryesore të shkollimit është përgatitja e fëmijëve për jetën e përditshme, gjë që përfshin edhe aftësimin e tyre që një ditë të kujdesen për nevojat e familjes. Dëshmitarët e Jehovait besojnë se kjo është një përgjegjësi e shenjtë. Vetë Bibla thotë: «Në qoftë se dikush nuk kujdeset për të vetët, dhe më tepër për ata të shtëpisë, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një jobesimtar.» (1. Timoteut 5:8, Dio) Vitet e shkollës i përgatisin fëmijët për përgjegjësitë që do të marrin në jetë. Prandaj, Dëshmitarët mendojnë se arsimimi duhet marrë seriozisht.
Dëshmitarët përpiqen të jetojnë sipas urdhrit biblik: «Çdo gjë që të bëni, ta bëni me dëshirë të mirë, si për Zotin dhe jo për njerëzit.» (Kolosianëve 3:23, Dio) Ky parim zbatohet në të gjitha aspektet e jetës së përditshme, duke përfshirë edhe shkollën. Prandaj, Dëshmitarët i inkurajojnë fëmijët e tyre të studiojnë me zell dhe t’i marrin seriozisht detyrat që u caktohen në shkollë.
Bibla mëson edhe nënshtrimin ndaj ligjeve të vendit ku një person jeton. Prandaj, kur ligji e përcakton arsimimin e detyruar deri në njëfarë moshe, Dëshmitarët e Jehovait i binden.—Romakëve 13:1-7.
Duke mos e nënvlerësuar rëndësinë e përgatitjes për jetën e përdit-shme, Bibla tregon se ky nuk është synimi i vetëm dhe as më kryesori i arsimimit. Për të pasur efektshmëri, arsimimi duhet të ushqejë tek fëmijët gëzimin e jetës dhe t’i ndihmojë ata t’i bëjnë vend vetes në shoqëri si individë të ekuilibruar. Prandaj, Dëshmitarët e Jehovait mendojnë se është shumë e rëndësishme zgjedhja e aktiviteteve jashtëshkollore. Ata mendojnë se zbavitjet e shëndet-shme, muzika, qejfet, ushtrimet fizike, vizitat nëpër biblioteka dhe muzeume e kështu me radhë, luajnë një rol të rëndësishëm në një program të ekuilibruar arsimor. Përveç kësaj, ata i mësojnë fëmijët të respektojnë më të mëdhenjtë dhe të gjejnë mundësi t’i ndihmojnë ata.
Ç’mund të themi për arsimimin suplementar?
Për shkak të teknologjisë së re, tregu i punës ndryshon vazhdimisht. Për pasojë, shumë të rinjve u duhet të punojnë në fusha dhe në profesione, në të cilat nuk kanë pasur ndonjë stërvitje specifike. Në një situatë të tillë, zakonet e punës, stërvitja personale e në veçanti aftësia për t’iu përshtatur ndryshimeve do të jenë edhe më të çmuara për ta. Prandaj, siç tha eseisti rilindas, Montenje, është më mirë që studentët të bëhen adultë me «një tru që ka mësuar ta përdorë njohurinë, sesa me një tru të mbushur me njohuri».
Papunësia, si në vendet e pasura edhe në ato të varfra, shpesh kërcënon të rinjtë që nuk janë mjaft të kualifikuar. Prandaj, nëse tregjet e punës kërkojnë një arsimim suplementar nga minimumi i kërkuar nga ligji, u përket prindërve përgjegjësia për t’i drejtuar fëmijët e tyre në marrjen e vendimit lidhur me këtë, duke pasur parasysh si dobitë e mundshme ashtu edhe sakrificat që studimet e mëtejshme do të kërkonin.
Megjithatë, ndoshta pajtoheni me mendimin se suksesi në jetë për-fshin më shumë sesa mirëqenia materiale. Kohët e fundit, shumë burra e gra për të cilët qëllimi i vetëm në jetë është karriera, kur humbin punën, kanë humbur gjithçka. Disa prindër të mbytur nga puna, kanë sakrifikuar jetën e tyre familjare dhe kohën që do të mund ta kalonin me fëmijët, duke lënë t’u ikë mundësia për t’i ndihmuar ata të rriten.
Është e qartë se një arsimim i ekuilibruar, duhet të mbajë parasysh se për të qenë të lumtur nuk mjafton vetëm mirëqenia materiale. Jezu Krishti tha: «Është shkruar: ‘Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë.’» (Mateu 4:4, Dio) Si të krishterë, Dëshmitarët e Jehovait e vlerësojnë rëndësinë e zhvillimit të cilësive morale dhe frymore bashkë me përgatitjen e vetes për t’u kujdesur për nevojat e tyre materiale.
[Diçitura në faqen 5]
«Çdo gjë që të bëni ta bëni me dëshirë të mirë, si për Zotin.»—Kolosianëve 3:23
[Diçitura në faqen 6]
«Arsimimi duhet t’i ndihmojë njerëzit që të bëhen pjesëtarë të dobishëm të shoqërisë. Duhet t’i ndihmojë, gjithashtu, për të zhvilluar çmueshmëri për trashëgiminë e tyre kulturore dhe për të bërë një jetë më të kënaqshme.»—The World Book Encyclopedia
[Diçitura në faqen 7]
Zbavitjet e shëndetshme muzika, qejfet, ushtrimet fizike dhe vizitat nëpër biblioteka e muzeume, të gjitha luajnë një rol të rëndësishëm në një program të ekuilibruar arsimor.
[Kutia dhe figura në faqet 8, 9]
Arsimimi në kohët biblike
BIBLA mëson se arsimimi është shumë i rëndësishëm. Ajo e përshkruan Perëndinë si «Mësuesi i Madh» i popullit të tij dhe në të gjitha faqet e saj i fton shërbëtorët e tij të thellojnë njohurinë e tyre mbi të.—Isaia 30:20, BR.
Në kohët biblike, vetëm disa klasa të privilegjuara merrnin mësim, ashtu si skribët në Mesopotami dhe Egjipt. Ndërsa në Izraelin e lashtë, të gjithë inkurajoheshin të mësonin shkrim e këndim. «Pa dyshim, që ndryshimi ishte për shkak të sistemit më të thjeshtë alfabetik që përdorej nga hebrenjtë. . . . Rëndësia e sistemit alfabetik në historinë e arsimimit nuk duhet nënvlerësuar. Ajo shënoi një kthesë në traditat kulturore të skribëve të Egjiptit, Mesopotamisë dhe Kanaanit të mijëvjeçarit të dytë p.e.s. Të dije shkrim e këndim nuk ishte më karakteristika e vetme përcaktuese e një klase profesionale skribësh e priftërinjsh, të mësuar me vështirësitë e shkrimit kunjor dhe hieroglifet.»—Encyclopaedia Judaica.
Metodat mësimore
Në Izraelin e lashtë, fëmijët mësoheshin që në moshë të vogël nga babai dhe nga nëna. (Ligji i përtërirë 11:18, 19; Proverbat 1:8; 31:26) Në një fjalor biblik, dijetari biblik E. Mazhëno, shkroi: «Sa fillonte të fliste, fëmija mësonte disa fragmente nga Ligji. E ëma i përsëriste një varg. Kur ia kishte ngulitur, i mësonte një tjetër. Më vonë, u jepnin fëmijëve në dorë tekstin e shkruar të vargjeve që tashmë i dinin përmendësh. Kështu, ata parapërgatiteshin për të lexuar dhe kur rriteshin, mund të vazhdonin arsimimin e tyre fetar, duke lexuar e duke medituar mbi ligjin e Zotërisë.»—Dictionnaire de la Bible.
Për të ndihmuar të mëdhenj e të vegjël që të ngulitnin në mendje informacionet, përdoreshin ushtrime për stërvitjen e kujtesës. Mes tyre kishte edhe akrostike alfabeti (vargje të një poeme, ku çdo varg fillon me një germë të ndryshme sipas rregullit alfabetik), aliteracione dhe përdorime numrash. Interesant është fakti se kalendari i Gezerit (Muzeu arkeologjik i Stambollit), një nga shembujt më të hershëm të shkrimit të lashtë hebre, është konsideruar nga disa studiues një stërvitje kujtese për fëmijët e shkollës.
Programi mësimor
Në kohët biblike, arsimimi i dhënë nga prindërit përfshinte stërvitjen praktike. Vajzave u mësohej kryerja e aktiviteteve shtëpiake. Kapitulli i fundit i librit të Proverbave tregon që këto aktivitete ishin të shumta dhe të ndryshme. Ato përfshinin kryerjen e marrëveshjeve mbi pasurinë e patundshme, administrimin e disa gjërave të vogla, si edhe tjerrjen, endjen, gatimin, tregtimin dhe qeverisjen e shtëpisë në përgjithësi. Djemve zakonisht u mësohej puna e baballarëve, si në fushën e bujqësisë, ashtu edhe në atë të arteve dhe të mjeshtërive. Në qarqet fetare hebreje, ishte e zakonshme shprehja: «Kush nuk i mëson të birit një zanat të dobishëm, e bën hajdut me dorën e vet.»
Kështu, pra, në kohët biblike arsimimi zinte një vend të rëndësishëm.
[Burimi]
Pllakë e një fëmije shkolle: Me lejen e British Library; Rotull: Bibelmuseum, Münster
[Burimi i figurës në faqen 6]
Galeria e shërbesave, Firence