Një shpresë e sigurt
«Që nga momenti i lindjes ekziston gjithmonë mundësia që një njeri mund të vdesë në çdo moment dhe në mënyrë të pashmangshme, kjo mundësi do të bëhet një fakt i kryer.»—ARNOLD TOINBI, HISTORIAN ANGLEZ.
1. Çfarë realiteti është dashur të pranojë njerëzimi, duke ngritur cilat pyetje?
KUSH mund ta kundërshtojë të vërtetën historike të përmendur më sipër? Njerëzimi duhet të pranojë gjithmonë realitetin e tmerrshëm të vdekjes. Sa të pafuqishëm ndihemi kur na vdes një njeri i dashur! Humbja duket tërësisht e pakthyeshme. A është e mundur të ribashkohemi me të dashurit tanë të vdekur? Çfarë shprese na ofron Bibla për të vdekurit? Shqyrto tregimin e mëposhtëm.
‘Miku ynë ka vdekur’
2-5. (a) Kur miku i tij Lazri vdiq, si e shfaqi Jezui gatishmërinë dhe aftësinë për ta ringjalluar atë? (b) Përveçse riktheu në jetë Lazrin, ç’gjë tjetër kreu mrekullia e ringjalljes?
2 Ishte viti 32 i e.s. Në qytetin e vogël të Betanisë, tri kilometra jashtë Jerusalemit, jetonte Lazri me motrat e tij, Martën dhe Marien. Ata ishin miq të ngushtë të Jezuit. Një ditë Lazri u sëmur rëndë. Menjëherë, motrat e tij të shqetësuara ia dërguan këtë lajm Jezuit, i cili ishte përtej lumit Jordan. Jezui i donte Lazrin dhe motrat e tij, kështu që pas pak kohe u nis për në Betani. Gjatë rrugës, Jezui u tha dishepujve të tij: «Lazri, miku ynë, ka shkuar të pushojë, por unë po shkoj atje që ta zgjoj nga gjumi.» Meqenëse dishepujt nuk e kapën menjëherë kuptimin e kësaj deklarate, Jezui u tha qartë: «Lazri ka vdekur.»—Gjoni 11:1-15.
3 Me të dëgjuar që Jezui po vinte në Betani, Marta vrapoi për ta takuar. I prekur nga pikëllimi i saj, Jezui e siguroi atë: «Vëllai yt do të ngrihet.» Marta iu përgjigj: «E di, ai do të ngrihet në ringjalljen, në ditën e fundit.» Atëherë Jezui i tha asaj: «Unë jam ringjallja dhe jeta. Ai që ushtron besim në mua, edhe po të vdesë, do të kthehet në jetë.»—Gjoni 11:20-25.
4 Pastaj, Jezui shkoi te varri dhe u tha ta hiqnin gurin që mbyllte hyrjen. Pasi u lut me zë të lartë, ai urdhëroi: «Lazër, dil jashtë!» Ndërsa të gjithë sytë ishin fiksuar te varri, Lazri doli në të vërtetë jashtë. Jezui e ringjalli Lazrin, duke i kthyer jetën një njeriu, i cili kishte vdekur nga katër ditë!—Gjoni 11:38-44.
5 Marta tashmë kishte besim në premtimin për një ringjallje. (Gjoni 5:28, 29; 11:23, 24) Mrekullia e kthimit të Lazrit në jetë shërbeu për të forcuar besimin e saj dhe për të ngulitur besimin te të tjerët. (Gjoni 11:45) Por, çfarë do të thotë saktësisht termi «ringjallje»?
«Ai do të ngrihet»
6. Çfarë do të thotë termi «ringjallje»?
6 Fjala «ringjallje» është përkthyer nga fjala greke a·naʹsta·sis, e cila fjalë për fjalë do të thotë «një ngritje në këmbë përsëri». Përkthyesit hebrenj të greqishtes, e kanë përkthyer a·naʹsta·sis me fjalët hebraike techi·yathʹ ham·me·thimʹ, që do të thotë «rijetesë e të vdekurve».a Kështu, ringjallja përfshin ngritjen e personit nga gjendja e pajetë e vdekjes, duke riaktivizuar modelin e jetës së individit.
7. Përse ringjallja e individëve nuk është një problem për Perëndinë Jehova dhe Jezu Krishtin?
7 Duke qenë se është i pafundëm në mençuri dhe i përsosur në kujtesë, Perëndia Jehova mund ta ringjallë lehtësisht një person. Për të nuk është një problem mbajtja mend e modelit të jetës së të vdekurve, tiparet e personalitetit të tyre, historia personale dhe të gjitha detajet e identitetit të tyre. (Jobi 12:13; krahaso Isainë 40:26.) Jehovai është, gjithashtu, Nismëtari i jetës. Prandaj, ai mund të sjellë sakaq në jetë të njëjtin person, duke i dhënë asaj ose atij të njëjtin personalitet në një trup të ri të formuar. Për më tepër, ashtu siç tregon përvoja e Lazrit, Jezu Krishti është si i gatshëm, ashtu edhe i aftë pë të ringjallur të vdekurit.—Krahaso Luka 7:11-17; 8:40-56.
8, 9. (a) Përse janë të papajtueshme ringjallja dhe ideja e pavdekësisë së shpirtit? (b) Cili është ilaçi për vdekjen?
8 Mësimi biblik i ringjalljes, megjithatë, nuk pajtohet me doktrinën e pavdekësisë së shpirtit. Askush s’do të kishte nevojë për ringjallje apo të rikthehej prapë në jetë, sikur një shpirt i pavdekshëm të mbijetonte pas vdekjes. Vërtet, Marta nuk shprehu asnjë mendim rreth një shpirti të pavdekshëm që po jetonte gjetkë pas vdekjes. Ajo nuk besonte se Lazri kishte shkuar tashmë në ndonjë mbretëri frymore për të vazhduar ekzistencën e tij. Përkundrazi, ajo tregoi besimin e saj në qëllimin e Perëndisë për të anuluar efektet e vdekjes. Ajo tha: «E di, ai do të ngrihet në ringjalljen, në ditën e fundit.» (Gjoni 11:23, 24) Në të njëjtën mënyrë, Lazri vetë nuk tregoi asnjë përvojë të ndonjë jete të përtejme. Nuk kishte asgjë për të treguar.
9 Është e qartë, sipas Biblës, shpirti vdes dhe ilaçi për vdekjen është ringjallja. Megjithatë, miliarda njerëz kanë vdekur qysh kur njeriu i parë, Adami, erdhi në tokë. Prandaj mund të pyesim se kush do të ringjallet dhe ku?
‘Të gjithë që gjenden në varret përkujtimore’
10. Çfarë premtimi bëri Jezui në lidhje me ata që gjenden në varret përkujtimore?
10 Jezu Krishti tha: «Po vjen ora, kur të gjithë ata që gjenden në varret përkujtimore, do ta dëgjojnë zërin e tij [Jezuit] dhe do të dalin jashtë.» (Gjoni 5:28, 29) Po, Jezu Krishti premtoi se të gjithë ata që janë në kujtesën e Jehovait do të ringjallen. Miliarda njerëz kanë jetuar dhe kanë vdekur. Cilët, ndërmjet tyre, janë në kujtesën e Jehovait, duke pritur ringjalljen?
11. Kush do të ringjallet?
11 Do të ringjallen ata që kanë ndjekur një udhë të drejtë si shërbëtorë të Jehovait. Megjithatë, miliona njerëz të tjerë kanë vdekur pa mundur të tregojnë nëse do të vepronin në përputhje me standardet e drejta të Perëndisë apo jo. Ata, ose ishin të paditur në lidhje me kërkesat e Jehovait, ose u mungoi koha e mjaftueshme për të bërë ndryshimet e nevojshme. Këta, gjithashtu, janë në kujtesën e Perëndisë dhe prandaj do të ringjallen, sepse Bibla premton: «Do të ketë një ringjallje si për të drejtët, ashtu edhe për të padrejtët.»—Veprat 24:15.
12. (a) Çfarë vizioni pa apostulli Gjon në lidhje me ringjalljen? (b) Çfarë është «flakur në liqenin e zjarrtë» dhe çfarë do të thotë kjo shprehje?
12 Apostulli Gjon pati një vizion rrëqethës të të ringjallurve, të cilët qëndronin përpara fronit të Perëndisë. Duke e përshkruar atë, ai shkroi: «Deti i dorëzoi të vdekurit që ishin në të dhe vdekja e Hadesi i dorëzuan të vdekurit që ishin në to dhe ata u gjykuan individualisht sipas veprave të tyre. Dhe vdekja e Hadesi u flakën në liqenin e zjarrtë. Kjo do të thotë vdekja e dytë, liqeni i zjarrtë.» (Zbulesa 20:12-14) Mendoni pak se çdo të thotë kjo! Të gjithë të vdekurit, që janë në kujtesën e Perëndisë, do të çlirohen nga Hadesi apo Sheoli, varri i përbashkët i njerëzimit. (Psalmi 16:10; Veprat 2:31) Pastaj, «vdekja dhe Hadesi» do të flaken në atë që quhet «liqeni i zjarrtë», i cili simbolizon shkatërrimin e plotë. Varri i përbashkët i njerëzimit nuk do të ekzistojë më.
Të ringjallur: ku?
13. Përse Perëndia ka marrë masa që disa të ringjallen në qiell dhe çfarë lloj trupi do t’u japë atyre Jehovai?
13 Një numër i vogël burrash dhe grash, do të ringjallen në jetën në qiell. Këta do të sundojnë me Krishtin si mbretër dhe priftërinj dhe do të marrin pjesë për të zhbërë të gjitha efektet e vdekjes që njerëzimi trashëgoi nga njeriu i parë, Adami. (Romakëve 5:12; Zbulesa 5:9, 10) Sipas Biblës, ata janë vetëm 144.000 persona dhe janë zgjedhur mes ithtarëve të Krishtit, duke filluar nga apostujt besnikë. (Luka 22:28-30; Gjoni 14:2, 3; Zbulesa 7:4; 14:1, 3) Jehovai do t’i japë secilit prej këtyre të ringjallurve një trup frymor, kështu që ata të mund të jetojnë në qiell.—1. Korintasve 15:35, 38, 42-45; 1. Pjetrit 3:18.
14, 15. (a) Në çfarë lloj jete do të ringjallet pjesa më e madhe e atyre që kanë vdekur? (b) Çfarë bekimesh do të provojë njerëzimi i bindur?
14 Pjesa më e madhe e atyre që kanë vdekur, megjithatë, do të ringjallen në jetë, mbi tokë. (Psalmi 37:29; Mateu 6:10) Çfarë lloj toke? Toka sot është e mbushur me konflikte, gjakderdhje, ndotje dhe dhunë. Në qoftë se të vdekurit do të riktheheshin në jetë në një tokë të tillë, sigurisht, çdo lumturi do të ishte jetëshkurtër. Por Krijuesi ka premtuar se do të sjellë së shpejti fundin e shoqërisë së sotme botërore që është nën kontrollin e Satanait. (Proverbat 2:21, 22; Danieli 2:44) Një shoqëri njerëzore e re e drejtë, «një tokë e re», do të jetë atëherë një realitet. (2. Pjetrit 3:13) Në këtë kohë «asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam i sëmurë.’». (Isaia 33:24) Madje edhe ankthi i vdekjes do të na hiqet sysh, sepse Perëndia «do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekja nuk do të jetë më, as vaj, as britmë dhe as dhimbje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme kanë kaluar».—Zbulesa 21:4.
15 Në botën e re të premtuar të Perëndisë, zemërbutët «do të gjejnë në të vërtetë kënaqësinë e tyre të këndshme në bollëkun e paqes». (Psalmi 37:11) Qeveria qiellore e Krishtit Jezu dhe e 144.000 shokëve të tij do ta rikthejë, në mënyrë progresive, njerëzimin e bindur në përsosmërinë që prindërit tanë të parë, Adami dhe Eva, humbën. Në mes banorëve të tokës do të jenë të përfshirë edhe të ringjallurit.—Luka 23:42, 43.
16-18. Çfarë gëzimi do t’u sjellë ringjallja familjeve?
16 Bibla na jep vetëm një imazh të gëzimit që ringjallja do t’u sjellë familjeve. Imagjinoni lumturinë që ndjeu e veja nga Naini, kur Jezui ndali procesionin e varrimit dhe ringjalli djalin e saj të vetëm! (Luka 7:11-17) Më vonë, afër Detit të Galilesë, kur Jezui riktheu në jetë një vajzë 12-vjeçare, prindërit e saj «sa s’luajtën mendsh me një ekstazë të madhe».—Marku 5:21-24, 35-42; shiko edhe 1. Mbretërve 17:17-24; 2. Mbretërve 4:32-37.
17 Për miliona njerëz që janë duke fjetur në vdekje, një ringjallje do të thotë jetë në një botë të re paqësore. Vetëm mendoni për perspektivën e mrekullueshme që hap kjo për Tomin dhe biznesmenin, të përmendur në pjesën hyrëse të kësaj broshure! Kur Tomi të zgjohet në jetë, në një Parajsë mbi tokë, ai do të jetë i njëjti Tom që mamaja njihte, por pa sëmundjet. Ajo do të mund ta prekë atë, ta shtrëngojë në krahët e saj dhe ta dojë atë. Ngjashëm, në vend se të bjerë në grackën e një cikli pothuajse të pafund rilindjesh, biznesmeni nga India ka perspektivën e mrekullueshme që të hapë sytë në botën e re të Perëndisë dhe të shohë bijtë e tij.
18 Njohja e së vërtetës rreth shpirtit, rreth asaj që na ndodh kur vdesim dhe rreth shpresës së ringjalljes, mund të ketë, gjithashtu, një ndikim të thellë mbi ata që jetojnë sot. Le ta shohim si.
[Shënimi]
a Ndërsa fjala «ringjallje» nuk shfaqet në Shkrimet Hebraike, shpresa e ringjalljes është shprehur qartë te Jobi 14:13, Danieli 12:13 dhe Hozea 13:14.
[Figura në faqen 26]
Ringjallja do të sjellë gëzim të qëndrueshëm