Kushtoju leximit
ATË që po bën ti tani, kafshët nuk mund ta bëjnë dot. Një ndër gjashtë njerëz nuk ka mësuar të lexojë, shpesh ngaqë nuk ka mundur të shkojë në shkollë. E shumë nga ata që kanë mësuar të lexojnë nuk e bëjnë këtë rregullisht. Megjithatë, aftësia për të lexuar informacionet e shtypura të jep mundësi që me anë të leximit të udhëtosh në vende të tjera, të takosh njerëz që mund të ta pasurojnë jetën me përvojën e tyre dhe të fitosh njohuri praktike që do të të ndihmojë të përballosh problemet e jetës.
Ajo që u lexon fëmijëve mund të ndihmojë në modelimin e personalitetit të tyre
Aftësia për të lexuar ndikon në atë se sa dobi mund të nxjerrë një i ri nga vitet e shkollës. Kur kërkon punë, aftësia e tij për të lexuar mund të ndikojë në llojin e punës që mund të gjejë dhe në numrin e orëve që i duhet të punojë për të siguruar jetesën. Gratë shtëpiake që lexojnë mirë mund të kujdesen më mirë për familjet e tyre për sa i përket të ushqyerit të përshtatshëm, higjienës dhe parandalimit të sëmundjeve. Gjithashtu, nënat që dinë të lexojnë mirë mund të ushtrojnë një ndikim shumë pozitiv në zhvillimin intelektual të fëmijëve të tyre.
Natyrisht, dobia më e madhe që vjen nga leximi është mundësia për të ‘gjetur njohurinë e Perëndisë’. (Prov. 2:5) Shumë nga mënyrat në të cilat i shërbejmë Perëndisë përfshijnë edhe leximin. Në mbledhjet e kongregacionit lexohen Shkrimet dhe botimet e bazuara në Bibël. Mënyra se si lexon ka një ndikim të madh në efektshmërinë që ke në shërbimin në fushë. Edhe përgatitja për këto veprimtari përfshin leximin. Për këtë arsye, rritja jote frymore varet në një masë të madhe nga shprehitë e tua të të lexuarit.
Përdori mirë mundësitë
Mëso të bësh një lexim shprehës kur lexon për të tjerët
Disa që po mësojnë rrugët e Perëndisë kanë një arsimim të kufizuar. Ata mund të kenë nevojë të mësojnë të lexojnë, në mënyrë që të bëjnë më shumë përparim frymor. Ose mund të kenë nevojë për ndihmë individuale që të përmirësojnë aftësinë e të lexuarit. Në vendet ku kjo është e nevojshme, kongregacionet përpiqen të organizojnë klasa për të mësuar lexim dhe shkrim, duke u bazuar në broshurën T ë mësojmë lexim dhe shkrim. Mijëra veta kanë nxjerrë vërtet dobi nga kjo masë. Duke e ditur se sa e rëndësishme është aftësia për të lexuar mirë, disa kongregacione organizojnë klasa mësimi për të përmirësuar aftësinë e të lexuarit, të cilat mbahen gjatë Shkollës së Shërbimit Teokratik ose në një kohë tjetër të përshtatshme. Edhe atje ku këto klasa nuk janë në dispozicion, një person mund të bëjë përparim duke lënë pak kohë çdo ditë për të lexuar me zë dhe duke marrë pjesë rregullisht në shkollë.
Është për të ardhur keq që librat ose revistat me figura e diçitura, si edhe televizioni, ndër të tjera, i kanë bërë shumë njerëz që ta lënë pas dore leximin në jetën e tyre. Shikimi i televizorit dhe leximi i paktë mund ta pengojnë një njeri që të zhvillojë aftësinë për të lexuar, për të menduar, për të arsyetuar qartë dhe për t’u shprehur mirë.
«Skllavi i besueshëm dhe i matur» na siguron botime që na ndihmojnë të kuptojmë Biblën. Këto botime vënë në dispozicion një sasi të madhe informacionesh të vlefshme për çështje jetësore frymore. (Mat. 24:45; 1 Kor. 2:12, 13) Gjithashtu, ato na mbajnë të përditësuar me zhvillimet e rëndësishme botërore dhe me domethënien e tyre, na ndihmojnë të njihemi më mirë me natyrën dhe na mësojnë mënyra se si t’i përballojmë çështjet që na shqetësojnë. Mbi të gjitha, ato përqendrohen në mënyrën se si mund t’i bëjmë Perëndisë një shërbim të pranueshëm dhe të fitojmë miratimin e tij. Një lexim i tillë i shëndetshëm do të të ndihmojë të bëhesh njeri frymor.
Natyrisht, aftësia për të lexuar mirë nuk është një virtyt në vetvete. Kjo aftësi duhet përdorur në mënyrën e duhur. Ashtu siç bën kur ha, edhe kur lexon duhet të jesh përzgjedhës. Pse të hash ushqim që nuk ka vlera të vërteta ushqyese apo që mund të të helmojë? Në mënyrë të ngjashme, pse të lexosh, qoftë edhe me raste, material që mund të ta korruptojë mendjen dhe zemrën? Parimet biblike duhet të jenë metri që duhet të përdorim për të zgjedhur se ç’material të lexojmë. Para se të vendosësh se çfarë do të lexosh, sill ndër mend shkrime të tilla, si: Eklisiastiu 12:12, 13; Efesianëve 4:22-24; 5:3, 4; Filipianëve 4:8; Kolosianëve 2:8; 1 Gjonit 2:15-17 dhe 2 Gjonit 10.
Lexo me motivin e duhur
Se sa e rëndësishme është që të kemi motivin e duhur kur lexojmë, bëhet e qartë kur shqyrtojmë tregimet e Ungjijve. Për shembull, në Ungjillin e Mateut shohim që, para se t’u jepte përgjigje biblike pyetjeve dinake të udhëheqësve fetarë shumë të arsimuar, Jezui u bënte pyetje të tilla, si: «A nuk e keni lexuar?» ose «Nuk e keni lexuar kurrë?» (Mat. 12:3, 5; 19:4; 21:16, 42; 22:31) Një gjë që mësojmë nga kjo është se, po të mos kemi motivin e duhur kur lexojmë, mund të arrijmë në përfundime të pasakta ose të mos e kapim fare kuptimin. Farisenjtë i lexonin Shkrimet, sepse mendonin që me anë të tyre do të fitonin jetën e përhershme. Por ky shpërblim, siç tregoi Jezui, nuk është për ata që nuk e duan Perëndinë dhe nuk pranojnë mjetin e Tij të shpëtimit. (Gjoni 5:39-43) Farisenjtë kishin qëllime egoiste, prandaj, shumë nga përfundimet e tyre ishin të gabuara.
Dashuria për Jehovain është motivi më i pastër që mund të na shtyjë të lexojmë Fjalën e tij. Kjo dashuri na shtyn të mësojmë vullnetin e Perëndisë, pasi dashuria «gëzon me të vërtetën». (1 Kor. 13:6) Edhe sikur në të kaluarën të mos na ketë pëlqyer leximi, duke e dashur Jehovain me «gjithë mendjen» do të ndihemi të nxitur që ta ushtrojmë fuqimisht mendjen për të marrë njohurinë e Perëndisë. (Mat. 22:37) Dashuria ngjall interesin dhe interesi nxit të mësuarit.
Shqyrto ritmin me të cilin lexon
Leximi ecën krah për krah me kuptueshmërinë. Edhe tani që je duke lexuar, ti je duke kuptuar fjalë dhe duke mbajtur mend kuptimin e tyre. Mund ta shpejtosh ritmin e leximit nëse e zgjeron rrezen e asaj që kupton. Në vend që të ndalosh për të parë çdo fjalë më vete, përpiqu të shohësh disa njëherësh. Ndërsa e zhvillon këtë aftësi, do të vëresh që e kupton më qartë atë që po lexon.
Leximi së bashku e afron më shumë familjen
Megjithatë, kur lexon një material më të thellë, përpjekjet e tua do të kenë më shumë fryt nëse përdor një metodë tjetër. Duke e këshilluar Josiun në lidhje me leximin e Shkrimeve, Jehovai tha: «Ky libër i ligjit të mos largohet nga goja jote. Duhet të lexosh nën zë.» (Jos. 1:8, BR) Shpesh një person flet nën zë kur mediton. Ja përse termi hebraik që është përkthyer «të lexosh nën zë» përkthehet edhe «medito». (Psal. 63:6; 77:12; 143:5) Kur mediton, një person mendohet thellë, nuk nxiton. Leximi i shoqëruar me meditimin bën që Fjala e Perëndisë të ketë një ndikim më të madh në mendje dhe në zemër. Bibla përmban profeci, këshilla, proverba, pjesë poetike, shpallje gjykimesh hyjnore, hollësi rreth qëllimit të Jehovait, si dhe një bollëk shembujsh nga jeta reale. Që të gjitha këto janë të çmuara për atë që dëshiron të ecë në udhët e Jehovait. Sa e dobishme është ta lexosh Biblën në një mënyrë që të lejon ta rrënjosësh atë thellë në mendje dhe në zemër!
Mëso të përqendrohesh
Shprehitë e të lexuarit ndikojnë në rritjen tënde frymore
Ndërsa lexon, vëre veten në çdo skenë që përshkruhet. Përpiqu t’i shohësh personazhet me sytë e mendjes dhe përjetoji emocionalisht përvojat që u ndodhin në jetë. Kjo mund të jetë pak a shumë e lehtë kur lexon një tregim si ai rreth Davidit dhe Goliadit, tregim që e gjejmë në kapitullin 17 të 1 Samuelit. Por edhe hollësitë që përshkruhen në librin e Daljes dhe të Levitikut rreth ndërtimit të tabernakullit ose vendosjes së priftërisë do të bëhen të gjalla nëse përfytyron përmasat dhe materialet ose imagjinon erën e temjanit, të grurit të pjekur dhe të kafshëve të paraqitura si blatime të djegura. Mendo se çfarë nderimi të thellë duhet t’u ketë ngjallur kryerja e shërbimeve priftërore atyre që e kishin këtë caktim! (Luka 1:8-10) Përdorimi i shqisave dhe i ndjenjave në këtë mënyrë, do të të ndihmojë për të kapur domethënien e asaj që po lexon dhe për të mbajtur mend.
Mirëpo, nëse nuk je i kujdesshëm, kur lexon mendja mund të të shkojë sa andej-këtej. Sytë mund t’i kesh te fleta e shkruar, por mendimet diku tjetër. A po dëgjohet muzikë? A është televizori ndezur? A po flasin pjesëtarët e familjes? Nëse është e mundur, më e mira është që të lexosh në një vend të qetë. Megjithatë, shpërqendrimi mund të të vijë nga brenda. Ndoshta ke pasur një ditë të ngarkuar. Sa e lehtë është që t’i riprodhosh në mendje ngjarjet e ditës! Sigurisht, është mirë t’i rimendosh ngjarjet e ditës, por jo kur je duke lexuar. Ndoshta e fillon leximin me mendje të përqendruar ose edhe me një lutje. Por pastaj, ndërsa vazhdon të lexosh, mendja fillon të shpërqendrohet. Provo përsëri të përqendrohesh. Disiplinoje veten për ta mbajtur mendjen të përqendruar te materiali që po lexon. Dalëngadalë do të shohësh përmirësim.
Çfarë bën kur has një fjalë që nuk e kupton? Disa fjalë të panjohura mund të përkufizohen ose të sqarohen në tekst. Ndonjëherë mund të arrish t’ia dallosh kuptimin edhe nga konteksti. Nëse jo, ndalu pak dhe kërkoje atë fjalë në fjalor, nëse ke një të tillë, ose nënvizoje fjalën në mënyrë që të pyesësh dikë më vonë për kuptimin. Kjo do të ta pasurojë fjalorin dhe do të ta shtojë kuptueshmërinë gjatë leximit.
Leximi publik
Vazhdo t’i kushtohesh leximit publik
Kur i tha Timoteut që të vazhdonte t’i kushtohej leximit, apostulli Pavël e kishte fjalën në mënyrë specifike për leximin në dobi të të tjerëve. (1 Tim. 4:13) Leximi publik i efektshëm përfshin më tepër sesa të lexosh me zë fjalët nga një fletë e shtypur. Lexuesi duhet të kuptojë domethënien e fjalëve dhe të kapë mendimet që shprehin ato. Vetëm atëherë do të ketë mundësi t’i përcjellë idetë dhe t’i riprodhojë emocionet saktësisht. Është e qartë se kjo kërkon përgatitje të plotë dhe praktikë. Ja përse Pavli bëri thirrje: «Vazhdo t’i kushtohesh leximit publik.» Lidhur me këtë aftësi do të marrësh një stërvitje të vlefshme në Shkollën e Shërbimit Teokratik.
Lër kohë për të lexuar
«Planet e atij që ngulmon bëhen me siguri për përfitim, por kushdo që është i nxituar shkon me siguri drejt skamjes.» (Prov. 21:5) Sa e vërtetë është kjo kur bëhet fjalë për dëshirën tonë për të lexuar! Për të pasur «përfitim», duhet të planifikojmë me kujdes në mënyrë që veprimtaritë e tjera të mos i zënë vendin leximit.
Kur lexon? A nxjerr dobi duke lexuar herët në mëngjes? Apo je më i kthjellët më vonë gjatë ditës? Nëse lë sikur edhe 15 ose 20 minuta çdo ditë për të lexuar diçka, do të mahnitesh kur të shohësh rezultatet që mund të arrish. Çelësi është rregullsia.
Pse ka zgjedhur Jehovai t’i ketë të dokumentuara në një libër qëllimet e tij madhështore? Me qëllim që njerëzit të mund të konsultohen me Fjalën e tij të shkruar. Kjo u jep mundësi që të shqyrtojnë veprat e mrekullueshme të Jehovait, t’ua tregojnë ato fëmijëve të tyre dhe të ruajnë në kujtesë mënyrën se si vepron Perëndia. (Psal. 78:5-7) Mënyra më e mirë për të shprehur çmueshmërinë tonë ndaj bujarisë që ka shfaqur Jehovai në këtë drejtim është duke iu kushtuar leximit të Fjalës së tij jetëdhënëse.