BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • be mësimi 5 f. 97-f. 100 par. 5
  • Pauzat e përshtatshme

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Pauzat e përshtatshme
  • Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik
  • Material i ngjashëm
  • Volumi dhe pauza
    Si të përmirësosh të folurin dhe mësimdhënien tënde
  • Leximi i saktë
    Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik
  • Këshillat ndërtojnë
    Si të përmirësosh të folurin dhe mësimdhënien tënde
  • Shkrime të lexuara me emfazën e duhur
    Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik
Shih më tepër
Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik
be mësimi 5 f. 97-f. 100 par. 5

MËSIMI 5

Pauzat e përshtatshme

Çfarë duhet të bësh?

Bëj ndalesa të plota në pika të përshtatshme të fjalimit. Disa herë mund të bësh pauza shumë të shkurtra ose thjesht mund ta lësh zërin të shuhet për një çast. Pauza është e përshtatshme nëse i shërben një qëllimi të vlefshëm.

Pse kanë rëndësi?

Përdorimi i duhur i pauzave është një faktor i rëndësishëm që të folurit të kuptohet lehtë. Gjithashtu, pauzat bëjnë që të dalin në pah pikat kryesore.

PAUZAT që bëhen në vendin e duhur janë të rëndësishme kur flasim. Kjo është e vërtetë qoftë kur mban një fjalim, qoftë kur flet me një individ. Pa këto pauza, ajo çfarë themi mund të tingëllojë si pa kuptim dhe jo si shprehje e qartë mendimesh. Pauzat e përshtatshme ndihmojnë për t’i dhënë qartësi të folurit tënd. Ato mund të përdoren, gjithashtu, që pikat kryesore të kujtohen për një kohë të gjatë.

Si mund ta përcaktosh se kur duhen bërë pauza? Sa të gjata duhet të jenë ato?

Pauzë për të respektuar shenjat e pikësimit. Shenjat e pikësimit janë bërë pjesë e rëndësishme e gjuhës së shkruar. Ato mund të tregojnë fundin e fjalisë ose të pyetjes. Në disa gjuhë, përdoren edhe për të veçuar citimet. Disa shenja pikësimi tregojnë lidhjen e një pjese të fjalisë me pjesët e tjera. Një njeri që lexon për vete mund t’i shohë shenjat e pikësimit, por kur lexon për të tjerët, zëri i tij duhet të përcjellë kuptimin e çdo shenje pikësimi që shfaqet në materialin e shkruar. (Për hollësi të mëtejshme, shih mësimin 1, «Lexim i saktë».) Nëse nuk bëhet pauzë kur e kërkojnë shenjat e pikësimit, të tjerët mund ta kenë të vështirë ta kuptojnë atë që po u lexon ose madje mund të shtrembërohet kuptimi i tekstit.

Përveç shenjave të pikësimit, edhe mënyra se si janë shprehur mendimet në fjali luan një rol për të përcaktuar se ku është e përshtatshme të bëhet pauzë. Njëherë një muzikant i famshëm tha: «Notat nuk i luaj më mirë se shumë pianistë të tjerë. Arti qëndron te pauzat ndërmjet notave.» Një gjë e ngjashme mund të thuhet edhe për të folurit. Përdorimi i përshtatshëm i pauzave do t’i shtojë bukuri dhe domethënie materialit tënd të përgatitur mirë.

Kur përgatitesh për të lexuar para të tjerëve, mund ta shohësh të dobishme të bësh shënime në materialin që do të lexosh. Shëno një vizë të vogël vertikale aty ku duhet bërë një pauzë e shkurtër, ndoshta thjesht një ngurrim i vogël. Përdor dy viza vertikale afër njëra-tjetrës për pauzat më të gjata. Nëse njëfarë formulimi të duket i ngatërruar dhe vazhdimisht bën pauzë në vendin e gabuar, bashkoji duke i shënuar me laps të gjitha fjalët që përbëjnë frazën e vështirë. Pastaj lexoje frazën nga fillimi në fund. Shumë oratorë me përvojë veprojnë kështu.

Në të folurit e përditshëm pauzat zakonisht nuk përbëjnë problem, sepse ti i di idetë që dëshiron të përcjellësh. Megjithatë, nëse ke huqin që të bësh pauza në intervale të rregullta pavarësisht nëse e kërkon apo jo mendimi, të folurit tënd do t’i mungojë forca dhe qartësia. Sugjerime për të përmirësuar janë dhënë në mësimin 4, «Rrjedhshmëri».

Pauzë për të kaluar në një mendim tjetër. Kur kalon nga një pikë kryesore në një tjetër, pauza i jep auditorit mundësi për të medituar, për t’u përshtatur, për të dalluar ndryshimin e drejtimit dhe për të kuptuar më qartë mendimin tjetër që do të paraqitet. Të bësh pauzë kur kalon nga një ide në një tjetër është po aq e rëndësishme sa edhe të ngadalësosh shpejtësinë kur merr kthesën për të hyrë në një rrugë tjetër.

Një arsye pse disa oratorë nxitojnë të kalojnë nga një ide në tjetrën pa bërë pauzë është se përpiqen të trajtojnë tepër material. Për disa, ky zakon pasqyron mënyrën e tyre të përditshme të të folurit. Ndoshta të gjithë ata që i rrethojnë flasin po kështu. Sidoqoftë, kjo nuk ndihmon për t’i mësuar të tjerët në mënyrë të efektshme. Nëse ke për të thënë diçka që ia vlen të dëgjohet dhe të mbahet mend, atëherë lër kohë të mjaftueshme për ta nxjerrë në pah atë në mënyrë të qartë. Ki parasysh që pauzat janë thelbësore për një të folur që i përcjell qartë idetë.

Nëse fjalimi që do të mbash bazohet në një skemë, materiali duhet të jetë i organizuar në mënyrë të tillë që të jetë e dukshme se ku duhet bërë pauzë ndërmjet pikave kryesore. Nëse do të lexosh një dorëshkrim, shëno vendet ku bëhet kalimi nga një pikë kryesore te tjetra.

Pauzat për të kaluar në një mendim tjetër zakonisht janë më të gjata se pauzat për të respektuar shenjat e pikësimit, por jo aq të gjata sa të japin përshtypjen se po e zvarrit fjalimin. Po të jenë tepër të gjata, ato japin përshtypjen se nuk je i përgatitur mirë dhe po përpiqesh të përcaktosh çfarë do të thuash më tej.

Pauza për emfazë. Pauza për emfazë shpesh është një pauzë dramatike, pra, një pauzë që i paraprin ose pason një pohim a pyetje të bërë me njëfarë force. Kjo lloj pauze i jep auditorit mundësi të meditojë rreth asaj që sapo u tha ose krijon një ndjenjë pritjeje për atë që do të thuhet. Këto dy gjëra nuk janë njësoj. Përcakto se cila është metoda më e përshtatshme për të përdorur. Por mos harro që pauzat për emfazë duhen kufizuar vetëm te pohimet që janë vërtet të rëndësishme. Përndryshe, vlera e atyre pohimeve do të humbasë.

Kur lexoi me zë nga Shkrimet në sinagogën e Nazaretit, Jezui i përdori pauzat me efektshmëri. Në fillim, ai lexoi nga rrotulla e profetit Isaia për caktimin e tij. Por, përpara se të tregonte se si zbatohej, e mbështolli rrotullën, ia ktheu shërbëtorit dhe u ul. Pastaj, kur të gjithë ata që ishin në sinagogë ia kishin ngulur sytë me vëmendje, tha: «Sot, ky shkrim që sapo dëgjuat është përmbushur.»​—Luka 4:16-21.

Pauzë kur e kërkojnë rrethanat. Edhe ndërprerjet mund të kërkojnë ndonjëherë që të bësh pauzë ndërsa flet. Për shkak të zhurmës së mjeteve që kalojnë në rrugë ose të një fëmije që qan, mund të të duhet që ta ndërpresësh paksa bisedën me të zotin e shtëpisë, kur je në shërbimin në fushë. Në qoftë se ndonjë zhurmë gjatë një asambleje nuk është edhe aq e fortë, ndoshta mund të vazhdosh duke e ngritur pak zërin. Por në qoftë se zhurma është e fortë dhe e zgjatur, duhet të bësh pauzë, pasi auditori nuk do të të dëgjonte gjithsesi. Pra, përdori me efektshmëri pauzat, duke pasur si synim ta ndihmosh auditorin të nxjerrë plotësisht dobi nga gjërat e mira që dëshiron t’i thuash.

Pauzë që t’i lësh kohë tjetrit për t’u përgjigjur. Edhe pse mund të jesh duke mbajtur një fjalim që nuk parashikon pjesëmarrjen aktive të auditorit, është e rëndësishme t’i lësh kohë auditorit të përgjigjet, jo me zë, por me mendje. Nëse ngre pyetje që duhet ta bëjnë auditorin të mendojë e pastaj nuk bën pauzë të mjaftueshme, një pjesë e madhe e vlerës së atyre pyetjeve do të humbasë.

Natyrisht, është e rëndësishme që të bësh pauza jo vetëm kur flet nga podiumi, por edhe kur u jep dëshmi të tjerëve. Disa njerëz duket se nuk bëjnë kurrë pauza. Nëse edhe ti e ke këtë problem, përpiqu seriozisht të kultivosh këtë cilësi oratorike. Si rrjedhim, do të përmirësosh komunikimin me të tjerët dhe efektshmërinë në shërbimin në fushë. Pauza është një çast heshtjeje dhe është thënë me të drejtë se heshtja shërben si ndalesë, thekson, tërheq vëmendjen dhe çlodh veshin.

Bisedat e përditshme përfshijnë një shkëmbim mendimesh ndërmjet dy ose më shumë vetave. Të tjerët janë më të prirur të të dëgjojnë po qe se edhe ti i dëgjon e tregon interes për atë që thonë. Kjo kërkon që të bësh pauza me gjatësi të mjaftueshme për t’u dhënë mundësi edhe atyre të shprehen.

Në shërbimin në fushë dëshmia jonë është shpesh më e efektshme kur bëhet në formë bisede. Pasi shkëmbejnë përshëndetjet, shumë Dëshmitarë e shohin të efektshme që të tregojnë argumentin për të cilin do të flasin dhe më pas të bëjnë një pyetje. Bëjnë një pauzë për t’i dhënë mundësi tjetrit që të përgjigjet dhe i thonë se e kuptojnë atë që thotë. Gjatë diskutimit, mund t’i japin të zotit të shtëpisë disa mundësi për të komentuar. Ata e dinë që, zakonisht, mund të bëjnë më shumë për ta ndihmuar dikë, po qe se i dinë pikëpamjet e tij për çështjen që po diskutohet.​—Prov. 20:5.

Natyrisht, jo të gjithë do t’u përgjigjen pozitivisht pyetjeve tona. Por kjo nuk e pengoi Jezuin të bënte pauza të mjaftueshme për t’u dhënë mundësi madje edhe kundërshtarëve të flitnin. (Mar. 3:1-5) Kur i japim mundësi tjetrit që të flasë e nxitim të mendojë dhe, si rrjedhim, mund të na zbulojë se çfarë ka në zemër. Në të vërtetë, një nga qëllimet e shërbimit tonë është të motivojmë zemrën e njerëzve, duke u paraqitur çështje jetësore nga Fjala e Perëndisë për të cilat ata duhet të marrin vendime.​—Hebr. 4:12.

Përdorimi i pauzave të përshtatshme në shërbim është vërtet një art. Kur pauzat përdoren me efektshmëri, idetë përcillen më qartë dhe shpesh mbahen mend më gjatë.

SI TA ARRISH?

  • Kur lexon me zë, kushtoju vëmendje të veçantë shenjave të pikësimit.

  • Dëgjo me kujdes oratorët e kualifikuar dhe vër re ku i bëjnë pauzat dhe sa të gjata i bëjnë.

  • Pasi thua diçka të cilën dëshiron vërtet që të tjerët ta mbajnë mend, bëj një pauzë në mënyrë që të lërë mbresa të thella.

  • Kur bisedon, ftoji të tjerët që të shprehin mendimet e tyre dhe pastaj dëgjo përgjigjen. Lëri të mbarojnë. Mos i ndërprit.

USHTRIM: Lexo me zë Markun 9:1-13; bëj pauza të përshtatshme në përputhje me shenjat e ndryshme të pikësimit. Mos e zvarrit leximin. Pasi të kesh provuar disa herë, kërkoji dikujt të të dëgjojë dhe të të japë sugjerime për t’u përmirësuar në bërjen e pauzave.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo