MËSIMI 14
Natyrshmëria
TË SHPREHURIT me natyrshmëri të ndihmon të fitosh besimin e të tjerëve. A do ta besoje diçka që ta thotë dikush i cili ka vënë një maskë në fytyrë? A do të ndryshonte gjë sikur maska të ishte më e bukur sesa vetë fytyra e atij që flet? Ka të ngjarë që jo. Prandaj, në vend që të shfaqesh ndryshe nga ç’je, ji vetvetja.
Natyrshmëria nuk duhet ngatërruar me shkujdesjen. Gabimet gramatikore, shqiptimi i gabuar dhe të folurit e paqartë nuk janë të përshtatshëm. Duhet shmangur, gjithashtu, edhe të folurit e rrugëve. Gjithmonë duam të shfaqim dinjitetin e duhur si në të folur, ashtu edhe në sjellje. Një njeri që shfaq natyrshmëri të tillë nuk është as tepër formal, as tepër i shqetësuar për t’u bërë përshtypje të tjerëve.
Në shërbimin në fushë. A je në tension kur i afrohesh një shtëpie ose dikujt në një vend publik për të dhënë dëshmi? Kjo i ndodh shumicës prej nesh, por disa vazhdojnë të ndihen kështu më gjatë se të tjerët. Tensioni mund të bëjë që zëri të dalë disi jo i natyrshëm ose me dridhje, ose ankthi mund të shfaqet në lëvizje jonormale të duarve ose të kokës.
Një lajmëtar mund ta ketë këtë problem për disa arsye. Ndoshta mendon për përshtypjen që do të lërë ose pyet veten nëse do të ketë sukses prezantimi i tij. Asnjë nga këto nuk është e pazakontë, por problemi lind kur këtyre gjërave u kushtohet tepër vëmendje. Çfarë mund të të ndihmojë nëse të pushton ankthi para se të dalësh në shërbim? Përgatitja e kujdesshme dhe lutjet e zjarrta drejtuar Jehovait. (Vep. 4:29) Mendo për mëshirën e madhe që tregon Jehovai duke i ftuar njerëzit që të gëzojnë shëndet të përsosur dhe jetë të përhershme në Parajsë. Mendo për ata të cilët po përpiqesh të ndihmosh dhe për nevojën e tyre që ta dëgjojnë lajmin e mirë.
Mos harro, gjithashtu, që njerëzit kanë vullnet të lirë, prandaj është në dorën e tyre ta pranojnë ose jo mesazhin. Ishte kështu edhe kur Jezui predikoi në Izraelin e lashtë. Caktimi yt është thjesht të predikosh. (Mat. 24:14) Edhe kur njerëzit nuk të lënë të flasësh, vetë prania jote do të japë dëshmi. Ke pasur sukses sepse ke lejuar që Jehovai të të përdorë për të kryer vullnetin e tij. Por, çfarë do ta karakterizojë të folurit tënd në ato raste kur ke mundësi të flasësh? Në qoftë se mëson të përqendrohesh te nevojat e të tjerëve, të folurit tënd do të jetë tërheqës dhe i natyrshëm.
Kur jep dëshmi, në rast se vepron dhe flet si çdo ditë, kjo do t’i bëjë dëgjuesit të ndihen rehat. Ata mund të jenë edhe më të gatshëm për t’i pranuar mendimet biblike që dëshiron të ndash me ta. Në vend që të mbash një fjalim formal para tyre, bisedo me ta. Ji miqësor. Trego se interesohesh për ta dhe mirëpriti komentet që bëjnë. Natyrisht, atje ku gjuha ose kultura e vendit kërkojnë të ndiqen disa rregulla për të treguar respekt kur flet me të panjohurit, duhet t’i ndjekësh ato. Megjithatë mund të kesh gjithmonë gati një buzëqeshje të natyrshme.
Në podium. Kur flet para një grupi, zakonisht, më e mira është të flasësh me stil bisedor. Sigurisht, kur auditori është i madh, duhet të nxjerrësh më shumë zë. Nëse përpiqesh ta mësosh përmendësh fjalimin ose nëse shënimet e tua janë shumë të hollësishme, ka të ngjarë të jesh tepër i shqetësuar për gjetur fjalët e sakta. Të gjesh fjalët e përshtatshme është e rëndësishme, por kur u kushtohet tepër vëmendje, prezantimi bëhet i ngurtë dhe formal. Natyrshmëria humbet. Duhet ta kesh menduar me kujdes që më përpara se çfarë do të thuash, por vëmendjen më të madhe kushtojua ideve, jo fjalëve të sakta me të cilat të shprehesh.
E njëjta gjë është e vërtetë kur intervistohesh në një mbledhje. Përgatitu mirë, por mos i lexo ose mos i mëso përmendësh përgjigjet. Fol me intonacion të natyrshëm, që komentet e tua të kenë një natyrshmëri që të bën për vete.
Edhe cilësitë e dëshirueshme oratorike, kur përdoren me tepri, mund t’i tingëllojnë auditorit si jo të natyrshme. Për shembull, duhet të flasësh qartë dhe me shqiptimin e duhur, por jo deri në atë masë sa fjalimi yt të tingëllojë i ngurtë ose artificial. Gjestet emfatike dhe përshkruese, kur bëhen mirë, mund ta gjallërojnë fjalimin, por gjestet që janë të ngurta ose të zmadhuara do të ndikojnë negativisht mbi atë që po thua. Përdor volum të mjaftueshëm, por përpiqu të mos flasësh me zë tepër të lartë. Është mirë që herë pas here të kesh entuziazëm në fjalim, por duhet të shmangësh të folurit pompoz. Intonacioni, entuziazmi dhe ndjenjat duhen përdorur të gjitha duke mos e tërhequr vëmendjen drejt teje ose duke mos e vënë në siklet auditorin.
Disa njerëz e kanë për natyrë të shprehen me përpikëri, madje edhe kur nuk janë duke mbajtur fjalim. Të tjerë janë më të çlirët në të folur. E rëndësishme është të flasësh mirë çdo ditë dhe të sillesh me dinjitet siç i takon një të krishteri. Pastaj, kur të jesh në podium, do ta kesh më të lehtë të flasësh dhe të veprosh me një natyrshmëri që të bën për vete.
Kur lexon në publik. Natyrshmëria kur lexon në publik kërkon përpjekje. Për ta arritur këtë, përcakto idetë kryesore në materialin që ke për të lexuar dhe shiko si janë zhvilluar. Mbaji qartë në mendje ato sepse përndryshe do të lexosh thjesht fjalë. Kontrollo shqiptimin e saktë të fjalëve të panjohura. Ushtrohu duke lexuar me zë për të arritur volumin dhe tonin e duhur të zërit, si dhe për t’i grupuar fjalët bashkë në një mënyrë që i përcjell me qartësi mendimet. Bëje disa herë me radhë derisa leximi yt të jetë i rrjedhshëm. Njihe mirë materialin me qëllim që kur ta lexosh me zë, leximi të ngjajë si një bisedë e gjallë. Kjo do të thotë të jesh i natyrshëm.
Sigurisht, pjesa më e madhe e materialit që lexojmë në publik është nga botimet tona të bazuara në Bibël. Përveç caktimeve të leximit në Shkollën e Shërbimit Teokratik, ne lexojmë shkrime në shërbimin në fushë dhe kur mbajmë fjalime nga podiumi. Vëllezërit caktohen të lexojnë materialin që shqyrtohet në Studimin e Kullës së Rojës dhe në Studimin e Librit të Kongregacionit. Disa vëllezër të kualifikuar caktohen për të lexuar dorëshkrime në kongrese. Qoftë kur lexon Biblën, qoftë kur lexon materiale të tjera, lexoji pjesët që përmbajnë citime të dikujt tjetër në një mënyrë që e bën materialin të gjallë. Në rast se citohen disa personazhe, ndryshoje paksa zërin për secilin. Kujdes ama: mos ji tepër dramatik, por jepi gjallëri leximit në një mënyrë të natyrshme.
Të lexuarit e natyrshëm i ngjan një bisede. Nuk tingëllon artificial, por shpreh bindje.