MËSIMI 22
Zbatimi i saktë i shkrimeve
KUR mësojmë të tjerët, kërkohet më shumë sesa vetëm të lexojmë vargje nga Bibla. Apostulli Pavël i shkroi Timoteut, bashkëpunëtorit të tij: «Bëj çmos për t’u paraqitur para Perëndisë i miratuar, si një punëtor që s’ka pse t’i vijë turp për asgjë, që e përdor drejt fjalën e së vërtetës.»—2 Tim. 2:15.
Kjo do të thotë se shpjegimi që u bëjmë shkrimeve duhet të jetë në përputhje me atë që mëson vetë Bibla. Një gjë e tillë kërkon që të marrim parasysh kontekstin e jo thjesht të zgjedhim shprehje që na pëlqejnë dhe t’u shtojmë atyre mendimet tona. Nëpërmjet profetit Jeremia, Jehovai paralajmëroi kundër atyre profetëve që pohonin se flitnin atë që dilte nga goja e Jehovait, por që në të vërtetë paraqitnin «vegimin e zemrës së tyre». (Jer. 23:16) Apostulli Pavël i paralajmëroi të krishterët që të mos e ndotnin Fjalën e Perëndisë me filozofi njerëzore, kur shkroi: «Kemi hequr dorë nga gjërat që bëhen në fshehtësi, për të cilat të na vijë turp, duke mos ecur me dinakëri, as duke bastarduar fjalën e Perëndisë.» Në atë kohë, tregtarët e pandershëm të verës e hollonin verën për ta shtuar dhe për të fituar më shumë para. Ne nuk e bastardojmë Fjalën e Perëndisë duke e përzier me filozofi njerëzore. «Nuk jemi shitës ambulantë të fjalës së Perëndisë, siç janë shumë njerëz,—tha Pavli,—por flasim nga sinqeriteti, po, si të dërguar nga Perëndia, nën shikimin e Perëndisë, bashkë me Krishtin.»—2 Kor. 2:17; 4:2.
Ndonjëherë mund të citosh një shkrim për të theksuar ndonjë parim. Bibla është plot me parime që sigurojnë udhëheqje të shëndoshë se si të veprojmë në një larmi të madhe rrethanash. (2 Tim. 3:16, 17) Por duhet të sigurohesh se zbatimi që po i bën shkrimit është i saktë dhe se nuk po e përdor gabim atë, duke e bërë të duket sikur thotë atë që ti dëshiron. (Psal. 91:11, 12; Mat. 4:5, 6) Zbatimi duhet të jetë në harmoni me qëllimin e Jehovait, në përputhje me gjithë fjalën e Perëndisë.
‘Të përdorim drejt fjalën e së vërtetës’ përfshin edhe të kapim frymën e asaj që thotë Bibla. Ajo nuk është një «shkop» me të cilin godasim të tjerët. Mësuesit fetarë që kundërshtuan Jezu Krishtin cituan Shkrimet, por po i mbyllnin sytë para çështjeve më të rëndësishme që kërkon Perëndia—ato që përfshinin drejtësinë, mëshirën dhe besueshmërinë. (Mat. 22:23, 24; 23:23, 24) Kur u mësonte të tjerëve Fjalën e Perëndisë, Jezui pasqyronte personalitetin e Atit të tij. Zelli që kishte Jezui për të vërtetën ndërthurej me dashurinë e tij të thellë për njerëzit që mësonte. Ne duhet të përpiqemi të ndjekim shembullin e tij.—Mat. 11:28.
Si mund të jemi të sigurt se po i bëjmë zbatimin e duhur një shkrimi? Leximi i rregullt i Biblës do të na ndihmojë. Duhet të çmojmë edhe masën që ka marrë Jehovai, pra, «skllavin e besueshëm dhe të matur», trupin e të krishterëve të mirosur me frymë, nëpërmjet të cilit ai siguron ushqim frymor për familjen e besimit. (Mat. 24:45) Studimi personal, ndjekja e rregullt e mbledhjeve të kongregacionit dhe pjesëmarrja aktive në to do të na ndihmojnë që të nxjerrim dobi nga arsimimi i siguruar nëpërmjet kësaj klase të skllavit të besueshëm dhe të matur.
Në qoftë se libri T ë arsyetojmë me anë të Shkrimeve është në gjuhën tënde dhe mëson ta përdorësh mirë, do të gjesh fare lehtë udhëheqjen që të nevojitet për t’i bërë një zbatim të saktë qindra shkrimeve që përdoren shpesh në shërbim. Nëse planifikon të përdorësh një shkrim të panjohur, modestia do të të shtyjë të bësh kërkimet e nevojshme, në mënyrë që kur të flasësh ta përdorësh drejt fjalën e së vërtetës.—Prov. 11:2.
Bëje të qartë zbatimin. Kur mëson të tjerët, sigurohu se ata e shohin qartë lidhjen midis argumentit që po trajton dhe shkrimeve që përdor. Po t’i paraprish shkrimit me një pyetje, dëgjuesit e tu do ta kuptojnë se si i përgjigjet shkrimi asaj pyetjeje. Në rast se po e përdor shkrimin për të mbështetur ndonjë pohim, sigurohu që studenti ta shohë qartë se si e vërteton shkrimi atë pohim.
Zakonisht nuk mjafton vetëm të lexojmë shkrimin, edhe sikur këtë ta bëjmë me emfazë. Mbaj parasysh që në përgjithësi njerëzit nuk e njohin Biblën dhe ka të ngjarë të mos e kapin pikën vetëm me një lexim. Drejtoje vëmendjen te pjesa e shkrimit që ka lidhje të drejtpërdrejtë me atë që po trajton.
Zakonisht kjo kërkon që të veçosh fjalët kyçe, ato që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me pikën që po trajtohet. Metoda më e thjeshtë është t’i pohosh përsëri ato fjalë kyçe. Në rast se po i flet një individi, mund t’i bësh pyetje që do ta ndihmojnë të përcaktojë fjalët kyçe. Kur flasin para një grupi njerëzish, disa oratorë e kanë më të lehtë ta arrijnë këtë synim duke përdorur sinonime ose duke pohuar përsëri idenë. Megjithatë, në qoftë se vendos të përdorësh këtë mënyrë, trego kujdes që auditori të mos e humbasë lidhjen ndërmjet pikës që po trajtohet dhe fjalëve të shkrimit.
Kur të kesh veçuar fjalët kyçe, do të kesh hedhur një themel të mirë. Tani duhet të vazhdosh. A e paraqite shkrimin duke treguar qartë arsyen pse e përdore? Nëse po, trego se si lidhen fjalët që ke theksuar me atë për të cilën e parapërgatite auditorin. Tregoje qartë se cila është lidhja. Edhe po të mos i kesh bërë një paraqitje të drejtpërdrejtë shkrimit, duhet të japësh ndonjë shpjegim pasi ta lexosh.
Farisenjtë i bënë Jezuit një pyetje që mendonin se ishte e vështirë. Ata i thanë: «A është e ligjshme që burri ta divorcojë gruan e tij për çdo lloj arsyeje?» Jezui e bazoi përgjigjen e tij te Zanafilla 2:24. Vër re që ai e përqendroi vëmendjen vetëm te një pjesë e shkrimit dhe pastaj bëri zbatimin e nevojshëm. Pasi nxori në pah se burri dhe gruaja e tij bëhen «një mish i vetëm», Jezui përfundoi: «Prandaj, atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.»—Mat. 19:3-6.
Deri në ç’masë do të japësh shpjegime për ta bërë të qartë se si zbatohet një shkrim? Këtë duhet ta përcaktojë përbërja e auditorit dhe rëndësia e pikës që po trajtohet. Ki si synim që të flasësh thjesht e qartë.
Arsyeto nga Shkrimet. Lidhur me shërbimin e apostullit Pavël në Selanik, Veprat 17:2, 3 na tregon se ai ‘arsyetoi nga Shkrimet’. Kjo është një aftësi që çdo shërbëtor i Jehovait duhet të përpiqet ta kultivojë. Për shembull, Pavli përmendi disa fakte për jetën dhe shërbimin e Jezuit, tregoi që ato ishin parathënë në Shkrimet Hebraike dhe më pas nxori një përfundim të fuqishëm, duke thënë: «Ky është Krishti, ky Jezu të cilin unë po jua shpall.»
Kur u shkroi hebrenjve, Pavli citoi vazhdimisht nga Shkrimet Hebraike. Për të theksuar ose për të qartësuar një pikë, shpesh ai veçoi një fjalë ose një shprehje të shkurtër dhe pastaj tregoi domethënien e saj. (Hebr. 12:26, 27) Në tregimin që gjejmë në kapitullin 3 të Hebrenjve, Pavli citoi nga Psalmi 95:7-11. Vër re se më pas ai shtjelloi tri pjesë nga këto vargje: (1) referimin për zemrën (Hebr. 3:8-12), (2) domethënien e fjalës «sot» (Hebr. 3:7, 13-15; 4:6-11) dhe (3) domethënien e thënies «nuk kanë për të hyrë në pushimin tim» (Hebr. 3:11, 18, 19; 4:1-11). Përpiqu ta imitosh shembullin e tij sa herë që i bën zbatimin ndonjë shkrimi.
Shiko me sa efektshmëri arsyetoi Jezui nga Shkrimet, siç tregohet te Luka 10:25-37. Një njeri që e njihte mirë Ligjin e pyeti: «Mësues, ç’duhet të bëj, që të trashëgoj jetën e përhershme?» Si përgjigje, në fillim Jezui e ftoi atë njeri që të shprehte pikëpamjen e tij për këtë çështje dhe më pas theksoi se është e rëndësishme të bëjmë atë që thotë Fjala e Perëndisë. Kur u duk qartë që ai njeri nuk po e kapte pikën, Jezui trajtoi me hollësi vetëm një fjalë të shkrimit: «i afërm». Në vend që thjesht ta përkufizonte atë fjalë, ai përdori një ilustrim për ta ndihmuar burrin që të arrinte vetë në përfundimin e duhur.
Është e dukshme që, kur u përgjigjej pyetjeve, Jezui nuk mjaftohej duke cituar shkrime që jepnin përgjigje të drejtpërdrejtë e të qartë. Ai e analizonte atë që thoshin këto shkrime dhe pastaj bënte zbatimin për pyetjen e ngritur.
Kur saducenjtë vunë në diskutim shpresën e ringjalljes, Jezui e përqendroi vëmendjen te një pjesë specifike e Daljes 3:6. Por nuk ndaloi pasi citoi shkrimin. Ai arsyetoi rreth kësaj pjese, për të treguar qartësisht se ringjallja është pjesë e qëllimit të Perëndisë.—Mar. 12:24-27.
Po të aftësohesh për të arsyetuar saktë dhe me efektshmëri nga Shkrimet, kjo do të jetë një faktor domethënës që do të të ndihmojë të bëhesh mësues i aftë.