MËSIMI 43
Përdorimi i materialit të caktuar
BIBLA e krahason kongregacionin e krishterë me trupin e njeriut. Secila gjymtyrë është e domosdoshme, por ‘jo të gjitha kanë të njëjtin funksion’. Në harmoni me këtë, ne duhet të punojmë në çfarëdo privilegji që na është besuar. Kjo kërkon që të kuptojmë dhe ta përgatitim mirë çdo pjesë që na caktohet të zhvillojmë dhe jo të minimizojmë rëndësinë e disa argumenteve, duke menduar se disa argumente të tjera do të ishin më interesante. (Rom. 12:4-8) Klasa e skllavit të besueshëm dhe të matur ka përgjegjësinë të sigurojë ushqim frymor «në kohën e duhur». (Mat. 24:45) Kur i përdorim aftësitë tona personale për t’i zhvilluar fjalimet sipas udhëzimeve që na janë dhënë, tregojmë çmueshmëri për këtë rregull. Kjo ndihmon në funksionimin e mirë të të gjithë kongregacionit.
Çfarë të përfshish? Kur të caktohet një argument në shkollë, ki kujdes të zhvillosh atë argument dhe jo ndonjë gjë tjetër. Në shumicën e rasteve, do të të sigurohet një burim specifik për materialin. Në rast se nuk të është treguar se cilin material të shtypur të përdorësh si bazë për fjalimin, mund të mbledhësh vetë material nga burime që i zgjedh ti. Megjithatë, gjatë përgatitjes, sigurohu që ta ndërtosh të gjithë fjalimin rreth argumentit të caktuar. Kur të përcaktosh se çfarë të përfshish, do të të duhet të marrësh parasysh edhe auditorin.
Studioje me kujdes burimin e materialit, duke analizuar shkrimet e përdorura në të. Pastaj shqyrto si ta përdorësh në mënyrë sa më të efektshme në dobi të auditorit. Zgjidh dy ose tri pika kryesore nga materiali i shtypur për t’i përdorur si pikat kryesore të fjalimit. Në mënyrë të ngjashme, zgjidh nga materiali i caktuar shkrimet që planifikon të lexosh dhe të shpjegosh.
Sa material duhet të përfshish? Vetëm aq sa mund të trajtosh me efektshmëri, jo më shumë. Mos sakrifiko cilësinë e mësimdhënies vetëm për të përfshirë një sasi të madhe informacioni. Në qoftë se një pjesë e materialit nuk i përshtatet synimit të fjalimit, përqendrohu në ato pjesë që do të të ndihmojnë ta arrish atë qëllim. Nga materiali i caktuar përdor ato pjesë që do të jenë më informative dhe të dobishme për auditorin. Synimi yt kur punon në këtë pikë të këshillave për oratorinë nuk është të kuptosh se sa material mund të trajtosh, por të përdorësh atë që të është caktuar si bazë për fjalimin.
Fjalimi nuk duhet të jetë thjesht përmbledhja e materialit të caktuar. Duhet të planifikosh të shpjegosh disa pika, t’i shtjellosh, t’i ilustrosh dhe mundësisht të japësh një shembull të zbatimit të tyre. Idetë shtesë duhet t’i përdorësh për të zhvilluar pika të rëndësishme nga materiali që të është caktuar, jo për ta zëvendësuar materialin.
Me kalimin e kohës, vëllezërit që kanë kualifikimet e duhura si mësues mund të ftohen të japin udhëzime në Mbledhjen e Shërbimit. Ata e kuptojnë nevojën për të përdorur me efektshmëri materialin e caktuar, në vend që ta zëvendësojnë me diçka tjetër. Po ashtu, vëllezërit që mbajnë fjalime publike duhet t’u përmbahen skemave që u jepen. Këto skema i japin njëfarë lirie oratorit, por tregojnë qartë pikat kryesore që duhen zhvilluar, argumentet mbështetëse që duhen përdorur dhe shkrimet që përbëjnë bazën e fjalimit. Të mësosh si t’i mbash pjesët duke përdorur si bazë materialin e caktuar është një pjesë e rëndësishme e përgatitjes për privilegje të tjera oratorie.
Kjo stërvitje mund të të ndihmojë edhe që të drejtosh studime biblike që bëjnë përparim. Do të mësosh ta përqendrosh vëmendjen te materiali i studimit, në vend që të dalësh nga tema duke theksuar pika të tjera që mund të jenë interesante, por jo të domosdoshme për të kuptuar argumentin. Megjithatë, nëse e kap frymën e këtij mësimi, nuk do të bëhesh kaq i ngurtë sa të mos japësh shpjegimet shtesë që mund të kërkojë një student.