Për ku po drejtohet kjo botë?
Anembanë botës po dëgjohen çdo ditë lajme për probleme të rënda dhe ngjarje tronditëse. Çfarë do të thotë kjo?
SIGURIA: Shpërthejnë bomba nëpër supermarkete. Vrasin mësues e nxënës nëpër shkolla. Rrëmbejnë fëmijë që prindërit i kishin lënë për një çast vetëm. Sulmojnë dhe grabitin gra e të moshuar në mes të ditës.
GJENDJA FETARE: Kishat mbështetin palët kundërshtare në luftë. Klerikët akuzohen për gjenocid. Priftërinj abuzojnë seksualisht me fëmijë dhe kisha i mbulon këto veprime. Bie numri i atyre që shkojnë në kishë; shiten kishat.
MJEDISI: Pyje të tëra rrafshohen për qëllime fitimi. Të varfërit presin pa karar pemët për dru, që të ngrohen. Uji i pijshëm është i ndotur, s’është i sigurt për t’u pirë. Mbeturinat industriale dhe disa metoda moderne peshkimi shkatërrojnë faunën e deteve. Ajri i ndotur të mbyt.
KOSTOJA E JETESËS: Të ardhurat për frymë në zonën e Afrikës që ndodhet në jug të Saharasë janë rreth 480 dollarë në vit. Konkurrenca ndërmjet firmave çon në falimentim, duke lënë mijëra veta pa punë. Mashtrimet bëjnë që investuesit të humbasin gjithë kursimet e jetës.
MUNGESA E USHQIMIT: Në mbarë botën ka rreth 800.000.000 njerëz që shkojnë të flenë pa ngrënë.
LUFTËRAT: Në shekullin e 20-të, më shumë se 100.000.000 njerëz humbën jetën si pasojë e luftërave. Ekzistojnë mjaft armë bërthamore sa për ta shkatërruar njerëzimin shumë herë me radhë. Bëhen luftëra civile. Terrorizmi është përhapur derisa ka mbërthyer botën.
EPIDEMI DHE SËMUNDJE TË TJERA: Që nga viti 1918, gripi spanjoll vrau 21.000.000 veta. SIDA është bërë tani «epidemia më shkatërrimtare në gjithë historinë njerëzore». Kanceri dhe sëmundjet e zemrës shkaktojnë shumë hidhërim në gjithë botën.
Shiko përtej asaj që thuhet nëpër lajme. A kanë të bëjnë me ngjarje që s’kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën? Apo janë pjesë e një situate mbarëbotërore që ka vërtet domethënie?
[Kutia dhe figura në faqen 5]
A interesohet vërtet Perëndia?
Të tronditur nga ngjarjet e tmerrshme ose nga vdekja e një njeriu të dashur, shumë njerëz pyesin se përse s’ndërhyn Perëndia për t’i ndaluar këto gjëra.
Perëndia interesohet vërtet. Ai jep udhëheqje të besueshme dhe lehtësim të vërtetë tani. (Mateu 11:28-30; 2 Timoteut 3:16, 17) Po ashtu, ka marrë masa që t’i japë fund një herë e mirë dhunës, sëmundjeve dhe vdekjes. Masat që ka marrë tregojnë se interesohet jo vetëm për njerëzit e një kombi, por për njerëzit e çdo kombi, fisi dhe gjuhe.—Veprat 10:34, 35.
Sa interesohemi ne për Perëndinë? A e di kush është Krijuesi i qiellit dhe i tokës? Si e ka emrin? Cili është qëllimi i tij? Këtyre pyetjeve ai u jep përgjigje në Bibël. Aty na thotë se çfarë hapash po ndërmerr për t’i dhënë fund dhunës, sëmundjeve dhe vdekjes. Çfarë kërkohet prej nesh që të nxjerrim dobi nga këto? Duhet të mësojmë për të dhe për qëllimin e tij. E si mund të shpresojmë se do të nxjerrim dobi nga masat që ka marrë, nëse nuk kemi besim tek ai? (Gjoni 3:16; Hebrenjve 11:6) Është e nevojshme edhe që t’u bindemi kërkesave të tij. (1 Gjonit 5:3) A interesohesh për Perëndinë aq sa t’i bindesh me gatishmëri?
Për të kuptuar pse Perëndia i lejon kushtet e tanishme, duhet të kuptojmë një çështje jetike. Bibla e shpjegon këtë. Në faqen 15 të këtij botimi tregohet cila është kjo çështje.