Kapitulli i pestë
‘Kërko Jehovain’ me anë të adhurimit që miraton ai
1. Çfarë bekimesh po përjeton mes popullit të Perëndisë?
SA I privilegjuar je, sepse njeh Perëndinë që përmbush profecitë! Ke mundësi të provosh gjendjen për të cilën shkroi profeti Hozea: «Do të fejohem me ty e do të të tregoj besnikëri dhe ti ke për ta njohur Jehovain.» Hozea po përshkruante një gjendje të sigurt, si parajsë, që do të përjetonte populli i Perëndisë kur të kthehej nga mërgimi në Babiloni. Po njësoj, edhe sot populli i Perëndisë ka begati e siguri frymore; një gjendje ngjashëm parajsës. (Hozea 2:18-20) Tani, duke qenë shërbëtor i kushtuar i Perëndisë, ti mban emrin e tij, je Dëshmitar i Jehovait, dhe patjetër që dëshiron të vazhdosh si i tillë.—Isaia 43:10, 12; Veprat 15:14.
2, 3. (a) Pse Jehovai arriti deri aty sa urreu mënyrën si e adhuronte populli i tij i lashtë? (b) Pse duhet t’i analizojmë mesazhet që dhanë profetët?
2 Si komb, Izraeli i lashtë i ishte kushtuar Jehovait, i cili u dha një kod ligjesh që s’i kishte asnjë komb tjetër. (Ligji i përtërirë 4:33-35) Por aty nga shekulli i nëntë p.e.s., gjendja e izraelitëve kishte ndryshuar aq shumë, saqë Perëndia u tha nëpërmjet profetit Amos: «Unë i urrej, nuk i miratoj festat tuaja . . . Edhe sikur të më bëni blatime të plota të djegura, unë nuk do të kënaqem me blatimet tuaja.» (Amosi 5:21, 22) Ndonëse Perëndia nuk e thotë këtë gjë sot për kongregacionin e tij mbarëbotëror, e imagjinon dot si do të ishe ndier po të kishe dëgjuar një koment të tillë për adhurimin tënd? A ka ndonjë mësim këtu për secilin prej nesh?
3 Në ato kohë, populli i Jehovait pretendonte se e adhuronte në mënyrën që miratonte Ai. Megjithatë, shumë prej tyre u shërbenin perëndive pagane, siç ishte Baali i kananitëve dhe shëmbëlltyrat e viçave, ose paraqitnin flijime nëpër vendet e larta. Përkuleshin para ushtrisë së qiejve, ndërkohë që ende betoheshin për Jehovain. Prandaj, Perëndia i vërtetë dërgoi profetë për ta nxitur popullin të kthehej tek ai, në adhurimin e pastër. (2 Mbretërve 17:7-17; 21:3; Amosi 5:26) Pra, është e qartë se, edhe për shërbëtorët e kushtuar të Perëndisë, mund të ketë aspekte të cilave u duhet kushtuar vëmendje—qëndrime ose veprime që duhen analizuar për t’u siguruar se janë në përputhje me adhurimin që miraton Jehovai.
«NJOHURI PËR PERËNDINË»
4. Çfarë kushtesh mbizotëronin gjatë mbretërimit të Jeroboamit II?
4 Mendo për periudhën kur të parët nga 12 profetët filluan të thoshin mesazhet e Perëndisë. Po parathuhej se dita e Jehovait do të binte mbi mbretërinë dhjetëfisëshe të Izraelit. Por, në dukje, kombi jetonte në begati. Ashtu siç kishte profetizuar Jonai, mbreti Jeroboam II i rivendosi kufijtë e Izraelit nga veriu drejt Damaskut në Detin e Vdekur. (2 Mbretërve 14:24-27) Ndonëse Jeroboami bëri atë që ishte e keqe, Jehovai u tregua shpirtgjerë, ngaqë nuk donte t’i zhdukte krejt izraelitët. U la kohë të pendoheshin, ‘ta kërkonin Jehovain, që të jetonin’.—Amosi 5:6.
5. Çfarë u mungonte izraelitëve që e bëri Jehovain t’i hidhte poshtë?
5 Izraelitët e begatë, mund ta kishin përdorur atë kohë për t’u kthyer te Jehovai, duke e njohur më mirë dhe duke bërë gjërat që ai i miratonte. Por jo, ata kishin vetëbesim të tepruar, mendonin se ‘asnjë e keqe s’do t’u vinte dhe s’do t’i zinte’. (Amosi 9:10) E harruan Jehovain sepse «u ngopën dhe zemra nisi t’u lartësohej». (Hozea 13:6) Nuk duhet të mendojmë se kjo është thjesht një histori e lashtë që s’na prek. Shiko cila ishte arsyeja pse Jehovai kishte një çështje ligjore me izraelitët: «Meqë ti e ke hedhur poshtë njohurinë, edhe unë do të të hedh poshtë dhe ti nuk do të më shërbesh më si prift.» Ishin të kushtuar ndaj Jehovait dhe ishin të rrethuar nga familjarë të kushtuar ndaj tij. Megjithatë, individualisht nuk kishin vërtet «njohuri për Perëndinë».—Hozea 4:1, 6.
6. Në ç’kuptim kishin mangësi izraelitët në njohurinë për Perëndinë?
6 Jo se nuk i kishin dëgjuar kurrë fjalët e Perëndisë, të cilat prindërit izraelitë duhej t’i shqyrtonin bashkë me fëmijët e tyre. Shumica, me siguri që i kishin dëgjuar disa tregime biblike nga prindërit, në bisedat e njerëzve përreth tyre ose në asambletë ku mblidhej i gjithë populli. (Dalja 20:4, 5; Ligji i përtërirë 6:6-9; 31:11-13) Për shembull, kishin dëgjuar se ç’kishte ndodhur kur Aaroni bëri një viç të artë, ndërkohë që Moisiu ishte lart në malin Sinai për të marrë Dhjetë Urdhërimet. (Dalja 31:18–32:9) Pra, izraelitët në kohën e profetëve kishin njëfarë njohurie për Ligjin dhe kishin dëgjuar tregime të ndryshme historike. Megjithatë, ishte një njohuri e vdekur, sepse nuk lejuan t’i motivonte që ta adhuronin Perëndinë në mënyrën që donte ai.
7. (a) Si ka mundësi që izraelitët u rebeluan aq kollaj? (b) Si mund të ndodhë që një i krishterë ‘të fillojë ta harrojë Bërësin e tij’?
7 Ndoshta ti pyet: ‘Po si ka mundësi që izraelitët u joshën kaq kollaj në rebelim?’ Hozea përshkroi si ndodhi kjo: «Izraeli filloi ta harronte Bërësin e tij.» (Hozea 8:14) Përkthimi që i është bërë foljes origjinale hebraike është shumë i saktë, «filloi ta harronte». Nuk është që izraelitët papritur patën një humbje kujtese, e s’u kujtohej më Jehovai. Jo, dalëngadalë ata harruan sa e rëndësishme është ta adhurosh Jehovain në mënyrën që miraton ai. A mendon se edhe një i krishterë mund të bjerë në këtë kurth? Shqyrto, për shembull, rastin e një burri që përpiqet seriozisht për t’i siguruar familjes gjërat e nevojshme. (1 Timoteut 5:8) Normalisht që, për të arritur këtë, ai e sheh punën si të rëndësishme. Ndoshta lind një situatë dhe ai mendon se duhet të humbasë disa mbledhje të krishtere, që të punojë. Me kalimin e kohës, nuk i duket më edhe aq problem humbja e mbledhjeve, prandaj e bën më shpesh këtë. Pak nga pak, lidhja e tij me Perëndinë dobësohet: ai ‘ka filluar ta harrojë Bërësin e tij’. Diçka e ngjashme mund t’i ndodhë një të krishteri që ka prindër ose familjarë jobesimtarë. Ai përballet me këto çështje: Sa kohë do të kaloj me ta dhe kur? (Dalja 20:12; Mateu 10:37) Ç’të themi për kohën dhe energjitë që duhen përdorur për udhëtime, për aktivitetet që na pëlqejnë ose për t’u zbavitur?
8. Ç’kuptim kishte në ditët e Amosit shprehja ‘dhëmbë të pastër’?
8 Ne e kemi studiuar Fjalën e Perëndisë dhe këtë njohuri e kemi vënë në zbatim. Megjithatë, secili prej nesh mund të shqyrtojë një shprehje që gjendet në librin e Amosit, ‘dhëmbë të pastër’. Nëpërmjet Amosit, Perëndia e paralajmëroi popullin e Tij: «Dhëmbët i keni të pastër në të gjitha qytetet, sepse ju lashë pa bukë në të gjitha vendet tuaja.» (Amosi 4:6) Kjo pastërti nuk ishte nga larja e dhëmbëve, po ngaqë s’kishin asgjë për të ngrënë dhe vuanin nga zia e bukës. Për më tepër, ishte paralajmërim për ‘një uri, jo për bukë dhe etje për ujë, por për të dëgjuar fjalët e Jehovait’.—Amosi 8:11.
9, 10. (a) Si mund të përfundojë një i krishterë në një situatë që të vuajë urie frymësisht? (b) Pse duhet të jemi syçelë ndaj rreziqeve të të pangrënët frymor?
9 Në kuptimin frymor, ajo që përshkroi Amosi është përmbushur në gjendjen e vajtueshme të të ashtuquajturit krishterim. Ndryshe nga ai, për popullin e Perëndisë në mbarë botën janë hapur «portat e qiejve». Ky popull është bekuar me bollëk ushqimi frymor. (Malakia 3:10; Isaia 65:13, 14) Por, një i krishterë mund të pyesë: ‘Sa po marr unë vetë nga ky ushqim frymor?’ Është interesante që disa shkencëtarë kanë zbuluar se disa kafshë laboratori që kanë dëmtime të pjesës së trurit që sinjalizon urinë, humbin oreksin dhe madje mund të ngordhin nga të pangrënët, edhe po të kenë përreth tyre ushqim me bollëk. A mund t’i dëmtohet një të krishteri ndjesia e urisë frymore deri në atë pikë sa të fillojë të vuajë urie, edhe pse është mes një bollëku me ushqim frymor?
10 Duke menduar për situatën tënde, shqyrto këtë: Jehovai u siguroi izraelitëve ushqim frymor me bollëk. Ata kishin Ligjin, me anë të të cilit mund të forconin marrëdhënien me Perëndinë; kishin një program arsimimi për t’u ngulitur fëmijëve të tyre njohurinë për Perëndinë dhe kishin profetë që t’i ndihmonin për të kuptuar vullnetin e tij. E megjithatë, filluan ta harronin Jehovain. Bibla thotë se në ditët e Hozesë, ata «u ngopën [materialisht] dhe zemra nisi t’u lartësohej». (Hozea 13:6; Ligji i përtërirë 8:11; 31:20) Në qoftë se nuk duam që gjendja jonë ekonomike të bëhet më e rëndësishme se lidhja që kemi me Perëndinë, duhet ta mbajmë në mendje çdo ditë këtë rrezik.—Sofonia 2:3.
KUSHTOJU VËMENDJE GJËRAVE MË TË RËNDËSISHME
11, 12. (a) Pse, gjatë mbretërimit të Uziahut, profetëve iu desh ta nxitnin popullin që të kthehej te Jehovai? (b) Cilën nevojë theksoi Joeli?
11 Ndërkohë që në Izrael mbretëronte Jeroboami II, në Judë mbretëronte Uziahu (i quajtur edhe Azariah). Ky e zgjeroi territorin e tij, si dhe Jerusalemin. Uziahu «u tregua jashtëzakonisht i fortë» sepse «Perëndia i vërtetë vazhdoi ta ndihmonte». «Bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Jehovait» dhe «u kujdes vazhdimisht që të kërkonte Perëndinë». Mirëpo, shumë banorë të Judës vazhdonin të paraqitnin tymin e blatimit në vendet e larta.—2 Kronikave 26:4-9.
12 Nga kjo mund të kuptosh se, ndonëse njerëzit në Judë e në Izrael mbanin emrin e Perëndisë, shpesh adhurimi i tyre përfshinte gjëra që ai nuk i miratonte. Profetët u përpoqën t’i ndihmonin që të dallonin adhurimin e vërtetë nga ai i rremë. «Kthehuni tek unë me gjithë zemrën tuaj, me agjërime, me të qara e me vaje»,—u përgjërua Perëndia nëpërmjet Joelit. (Joeli 2:12) Vër re: Perëndia donte që populli të kthehej tek ai ‘me gjithë zemër’. Po, problemi qëndronte pikërisht te zemra e tyre. (Ligji i përtërirë 6:5) Mund të thuhet se e adhuronin mekanikisht Jehovain, pasi zemrën nuk e kishin plotësisht drejt tij. Shumë herë, nëpërmjet profetëve, ai theksoi se sa rëndësi kishin dashamirësia, drejtësia dhe butësia, që të gjitha cilësi të zemrës.—Mateu 23:23.
13. Çfarë duhej të shqyrtonin judenjtë që u kthyen nga mërgimi në Babiloni?
13 Më tej, shqyrto se çfarë ndodhi pasi judenjtë u kthyen në vendin e tyre. Edhe pse adhurimi i vërtetë, në përputhje me Ligjin, u rivendos, jo gjithçka shkonte mirë. Judenjtë agjëronin në ditë që ishin përvjetorë të ngjarjeve që lidheshin me shkatërrimin e Jerusalemit. «A agjëruat vërtet për mua?»—pyeti Jehovai. Shkatërrimi i atij qyteti kishte ardhur ngaqë Jehovai kishte ushtruar drejtësinë e tij, dhe kjo s’ishte diçka për t’u vajtuar. Ata judenj duhej të ishin gëzuar e të kremtonin periudha feste për bekimet që sillte adhurimi i vërtetë, e jo të mendonin për të kaluarën dhe të agjëronin me vajtime. (Zakaria 7:3-7; 8:16, 19) Veç kësaj, duhej t’u kushtonin vëmendje disa gjërave të tjera. Cilave për shembull? «Gjykoni me drejtësi të vërtetë, tregojini vazhdimisht njëri-tjetrit dashamirësi dhe mëshirë . . . [e] mos kurdisni në zemrën tuaj asgjë të keqe kundër njëri-tjetrit.» (Zakaria 7:9, 10) Të gjithë mund të nxjerrim dobi nga gjërat që profetët i mësuan popullit të Perëndisë, për adhurimin me gjithë zemër.
14. (a) Çfarë duhej të përfshinin në adhurimin e tyre judenjtë e kthyer nga mërgimi? (b) Si i theksuan profetët gjërat më me rëndësi në adhurim?
14 Çfarë përfshin adhurimi me gjithë zemër? Po mirë, çfarë kërkohej nga populli i Perëndisë si para, edhe pas kthimit nga mërgimi? Siç e di, ata duhej të zbatonin normat e Perëndisë për çështjet morale. Gjithashtu, në Ligj përfshiheshin edhe aktivitete të veçanta, si grumbullimet për të dëgjuar e për të mësuar vullnetin e Perëndisë. Por, përveç këtyre, Perëndia dërgoi profetët e tij që të theksonin se duhej të zhvillonin dhe duhej të shfaqnin dashamirësi, drejtësi, butësi, mëshirë dhe modesti. Shiko se si i theksoi këto gjëra Jehovai: «Unë jam kënaqur me dashamirësinë, jo me flijimin; me njohurinë për Perëndinë dhe jo me blatimet e plota të djegura.» «Mbillni farë me drejtësi. Korrni sipas dashamirësisë.» (Hozea 6:6; 10:12; 12:6) Mikea tha: «Çfarë kërkon në këmbim Jehovai nga ti, veçse të tregosh drejtësi, të duash mirëdashjen dhe të jesh modest ndërsa ecën me Perëndinë tënd?» (Mikea 6:6-8) Ndërsa, profeti Sofonia i nxiti shërbëtorët e Perëndisë: «Kërkoni Jehovain të gjithë ju zemërbutët e dheut . . . kërkoni drejtësinë, kërkoni zemërbutësinë.» (Sofonia 2:3) Këto cilësi janë thelbësore në adhurimin që miraton Perëndia.
15. Çfarë duhet të bëjnë të krishterët në adhurimin e tyre, në përputhje me këshillat e profetëve?
15 Po në adhurimin tonë, ç’rol luajnë këto cilësi? Siç e di, predikimi i lajmit të mirë për Mbretërinë është shumë i rëndësishëm. (Mateu 24:14; Veprat 1:8) Por ndoshta mund të pyesësh veten: ‘A kam prirjen ta shoh predikimin në zonën ku banoj si një barrë ose një angari? Apo e shoh si një mundësi për të ndihmuar individët që kanë nevojë të dëgjojnë mesazhin jetëshpëtues të Biblës? A u tregoj mëshirë atyre?’ Po, mëshira dhe dashamirësia duhet të na nxitin t’i paralajmërojmë të tjerët për ditën e Jehovait. Edhe drejtësia na nxit të përpiqemi t’ia predikojmë çdo lloj njeriu këtë mesazh.—1 Timoteut 2:4.
16, 17. Pse zemërbutësia dhe modestia janë thelbësore në adhurimin që i bën Perëndisë?
16 Si një shembull tjetër, shqyrto detyrimin tonë për të ndjekur mbledhjet e krishtere, që, siç e di, janë të rëndësishme. (Hebrenjve 10:24, 25) A ke menduar ndonjëherë se si përfshihet zemërbutësia dhe modestia në këtë? Njerëzit zemërbutë janë aq të përulur sa ta pranojnë mësimin e pastaj ta zbatojnë atë që mësojnë, duke vepruar kështu sipas vendimeve gjyqësore të Jehovait. Një njeri që është modest, pra që i di kufizimet e veta, e kupton se ka nevojë për inkurajimin dhe për njohurinë që marrim në mbledhje.
17 Këta shembuj na ndihmojnë të shohim dobitë që nxjerrim nga mësimet e profetëve. Mirëpo, çfarë duhet të bësh nëse mendon se ke nevojë të ndreqesh në një a më shumë nga fushat e përmendura më sipër? Apo, nëse ke bërë gabime të rënda, kujtimet e të cilave ende të shqetësojnë herë pas here? Në shkrimet e 12 profetëve mund të gjesh ngushëllim dhe ndihmë.
KTHEHU TE JEHOVAI
18. (a) Për cilët kanë një mesazh veçanërisht ngushëllues 12 profetët? (b) Çfarë ndien kur mendon për Jehovain që i lutet popullit të vet të kthehet tek ai?
18 Siç e kemi parë, profetët që po analizojmë nuk u mjaftuan vetëm duke denoncuar e duke dënuar. Ata bënë përshkrime të Jehovait që u bënte thirrje njerëzve të ktheheshin tek ai. Mendo për ndjenjat që përcjellin fjalët e Hozesë: «Ejani, le të kthehemi te Jehovai, sepse ai na ka copëtuar, por do të na shërojë. Na godiste, por do të na i lidhë plagët. . . . Ne do ta njohim, do të përpiqemi ta njohim Jehovain.» (Hozea 6:1-3) Ishte e vërtetë që, në përputhje me drejtësinë e tij, Perëndia Jehova ekzekutoi gjykimin kundër Izraelit dhe pastaj kundër Judës. Gjithsesi, populli duhej t’i kishte konsideruar këto goditje si hapa për të rifituar gjendjen e mirë frymore. (Hebrenjve 12:7-13) Në qoftë se populli i pabindur i Jehovait do të kthehej, ai ‘do t’i shëronte’ dhe ‘do t’ua lidhte plagët’. Përfytyro një njeri që përkulet për t’i lidhur plagën një shoku të plagosur. Tani përpiqu të përfytyrosh Jehovain duke bërë këtë. Sa Perëndi i mëshirshëm është Jehovai, i cili u lidh plagët atyre që duan të kthehen tek ai! A nuk na shtyn kjo të dëshirojmë të kthehemi tek ai, nëse mëkatojmë kundër tij?—Joeli 2:13.
19. Çfarë do të thotë ta njohësh Jehovain?
19 Ç’do të thotë të kthehesh te Perëndia? Hozea na kujton nevojën që jo vetëm «ta njohim» Perëndinë, por «të përpiqemi ta njohim». Një vepër referimi e kohëve tona thotë për Hozenë 6:3: «Ka një ndryshim të theksuar të dish diçka për Perëndinë dhe ta njohësh Perëndinë. Mund të krahasohet me ndryshimin që ekziston kur lexon për dashurinë dhe kur bie në dashuri.» Na duhet më shumë se një njohuri sipërfaqësore për Jehovain. Ai duhet të bëhet real për ne, duhet të bëhet Miku ynë i besuar me të cilin mund të flasim lirshëm. (Jeremia 3:4) Duke pasur një lidhje të tillë, mund ta kuptosh se si ndihet ai kur ti vepron në një mënyrë të caktuar, dhe kjo të ndihmon shumë për të ndjekur adhurimin që ai miraton.
20, 21. Si e përvetësoi mbreti Josia njohurinë e Perëndisë?
20 Mbreti Josia la një shembull të mirë në ndjekjen e adhurimit të vërtetë. Le ta shqyrtojmë edhe më tej jetën e tij. Në kohën kur ai u bë mbret, kombi ishte rrënuar për shkak të idhujtarisë, dhunës dhe mashtrimit, që kishin qenë me bollëk gjatë mbretërimit të Manaseut e të Amonit. (2 Mbretërve 21:1-6, 19-21) Këshilla e Sofonisë «kërkoni Jehovain», duhet të ketë ndikuar pozitivisht te Josia, sepse «filloi të kërkonte Perëndinë e Davidit». Ai nisi një fushatë për ta pastruar Judën nga idhujtaria, e madje e përhapi këtë fushatë edhe në ish-territorin e mbretërisë veriore.—Sofonia 1:1, 14-18; 2:1-3; 3:1-4; 2 Kronikave 34:3-7.
21 Pas këtij pastrimi, Josia vazhdoi ta kërkonte Jehovain. Ai urdhëroi të bëheshin meremetime në tempull. Gjatë këtyre punimeve, u gjet ‘libri i ligjit të Jehovait që ishte dhënë me anë të dorës së Moisiut’, i cili, me sa duket, ishte dorëshkrimi origjinal i Ligjit. Si reagoi Josia kur u lexua ky libër? «Me të dëgjuar fjalët e ligjit, mbreti shqeu rrobat.» Përveç kësaj, ai ‘shqeu zemrën e tij’ dhe e zbatoi menjëherë atë që iu lexua. Nuk u përpoq të justifikohej, duke thënë se tashmë kishte bërë shumë. A të kujtohet cili ishte rezultati i reformës së tij? «Gjatë gjithë ditëve të tij, [bijtë e Izraelit] ndoqën Jehovain, Perëndinë e paraardhësve të tyre dhe nuk u larguan prej tij.»—2 Kronikave 34:8, 14, 19, 21, 30-33; Joeli 2:13.
22. Si nxjerrim dobi nga shembulli i Josisë?
22 ‘Po unë, si do të kisha reaguar?’—mund të pyesësh veten. Ashtu si Josia, a do t’i kishe dëgjuar fjalët e profetëve dhe a do të kishe bërë ndryshimet e nevojshme në veprimet dhe në mendimet e tua? Ndonëse nuk jetojmë në ditët e Sofonisë e të Josisë, e kuptojmë se duhet t’u përgjigjemi mesazheve dhe këshillave që jep Perëndia sot. Pra, nëse një i krishterë e ndien në zemrën e vet se duhet të ndreqë mënyrën e tij të jetesës ose adhurimin, shqyrtimi i shkrimeve të 12 profetëve mund të shërbejë si një zile alarmi.—Hebrenjve 2:1.
23. Çfarë mund të bësh, nëse sheh që ke nevojë të përmirësosh në ndonjë aspekt?
23 Nganjëherë, mund të ndihesh si Jonai kur ishte në barkun e peshkut të madh: «Jam përzënë nga sytë e tu. A do ta shoh vallë përsëri tempullin tënd të shenjtë?» (Jonai 2:4) Megjithatë, sa qetësuese mund të jenë fjalët e Jehovait për ne, njerëzit e papërsosur, që kemi prirjen për të gabuar! «Kthehuni tek unë dhe unë do të kthehem te ju.» (Malakia 3:7) Në qoftë se sheh që ke nevojë të forcosh marrëdhënien tënde me Jehovain, pleqtë e kongregacionit tënd do të të ndihmojnë me kënaqësi. Siç ndodh kur nget makinën, duhet të fillosh me marshin më të ulët, në kuptimin figurativ. Po kur të fillosh t’i vësh gjërat në lëvizje, përparimi do të bëhet më i lehtë. Mund të jesh i sigurt se Jehovai do të të mirëpresë e do të të ndihmojë, sepse është «hirmadh e i mëshirshëm, nuk zemërohet shpejt e [është] plot dashamirësi». (Joeli 2:12-14) Sigurisht, mesazhet e profetëve janë inkurajuese për të gjithë ata që po ndjekin adhurimin që miraton Perëndia.