Kapitulli i nëntë
Të sillesh me të tjerët siç do Perëndia
1-3. (a) Ç’mund t’u vijë ndër mend shumë të krishterëve për sa i përket Tirit të lashtë? (b) Përshkruaj disa marrëveshje mes mbretit Hiram dhe Izraelit. (c) Çfarë duhet të shqyrtojmë për Tirin?
ÇFARË të vjen në mendje kur dëgjon të përmendet Tiri i lashtë? Shumë të krishterë mendojnë ndoshta si u plotësua profecia kur Aleksandri i Madh mblodhi materialet e mbetura nga gërmadhat e pjesës kontinentale të Tirit, ndërtoi një rrip toke deri te qyteti i ri i Tirit, që ndodhej në ishull, dhe e shkatërroi. (Ezekieli 26:4, 12; Zakaria 9:3, 4) Megjithatë, përmendja e Tirit, a do të të bënte të mendoje si duhet t’i trajtosh dhe si nuk duhet t’i trajtosh vëllezërit e tu në besim?
2 Pse u shkatërrua Tiri? «Për tri rebelimet e Tirit, . . . sepse ai i dorëzoi Edomit një grup të tërë robërish dhe sepse nuk e kujtoi besëlidhjen e vëllazërisë. Prandaj do të dërgoj një zjarr në muret e Tirit.» (Amosi 1:9, 10) Në kohët e shkuara, mbreti i Tirit, Hirami, ishte treguar i mirë me Davidin dhe kishte dhënë materiale për ndërtimin e tempullit të Solomonit. Solomoni kishte bërë një besëlidhje me Hiramin dhe i kishte dhënë disa qytete në Galile. Hirami e kishte quajtur Solomonin «vëlla». (1 Mbretërve 5:1-18; 9:10-13, 26-28; 2 Samuelit 5:11) Kur Tiri «nuk e kujtoi besëlidhjen e vëllazërisë» dhe shiti si skllevër një pjesë të popullit të Jehovait, Ai ia mbajti mend këto veprime.
3 Ç’mësim nxjerrim nga fakti që Perëndia i gjykoi kananitët e Tirit se e kishin trajtuar ashpër popullin e tij? Një mësim kyç ka të bëjë me mënyrën se si sillemi me vëllezërit tanë në besim. Në kapitujt e mëparshëm të këtij libri, shqyrtuam disa këshilla nga 12 profetët se si të sillemi me të tjerët, si për shembull, të jemi të ndershëm në praktikat e biznesit dhe të kemi një sjellje të dëlirë. Por në këta 12 libra ka edhe më shumë informacione që tregojnë se si dëshiron Perëndia që të sillemi me të tjerët.
MOS GËZO PËR HALLET E TJETRIT
4. Në cilin kuptim edomitët ishin ‘vëllezër’ të Izraelit, por si i trajtuan ata?
4 Një mësim mund ta nxjerrësh duke shqyrtuar dënimin që i dha Perëndia Edomit, një vendi pranë Izraelit: «Ti s’duhej të rrije e të bëje sehir kur vëllai yt ishte në ditë të keqe, në ditën e mynxyrës. S’duhej të gëzoheshe për bijtë e Judës ditën kur ata morën fund.» (Abdia 12) Banorët e Tirit mund të kenë qenë ‘vëllezër’ të Izraelit lidhur me aktivitetet tregtare, por edomitët ishin ‘vëllezër’ me ta në kuptimin e vërtetë, sepse e kishin prejardhjen nga Esau, vëllai binjak i Jakobit. Edhe vetë Jehovai i quajti edomitët ‘vëllezër’ të Izraelit. (Ligji i përtërirë 2:1-4) Prandaj, ishte vërtet gjë e urryer që edomitët u gëzuan kur judenjve u ra mynxyra nga babilonasit.—Ezekieli 25:12-14.
5. Në cilat situata mund të tregojmë se kemi një frymë si ajo e edomitëve?
5 Qartë, Perëndisë nuk i pëlqeu mënyra si vepruan edomitët me vëllezërit e tyre judenj. Por, secili nga ne mund të pyesë veten: ‘Ç’do të mendojë Perëndia për mënyrën si veproj unë me vëllezërit e mi në besim?’ Një fushë që na intereson të gjithëve, është si e shohim dhe si e trajtojmë një vëlla kur gjërat me të nuk na kanë shkuar vaj. Për shembull, ta zëmë se një i krishterë të ka fyer ty ose ka pasur ndonjë mosmarrëveshje me një familjarin tënd. A do t’i mbaje mëri, nëse do të kishe «shkak për t’u ankuar», në vend që ta kaloje çështjen ose të përpiqeshe ta zgjidhje? (Kolosianëve 3:13; Josiu 22:9-30; Mateu 5:23, 24) Po të mbash mëri, kjo mund të ndikojë në mënyrën si reagon ndaj vëllait; ndoshta sillesh ftohtë, e shmang shoqërinë e tij ose flet keq për të. Duke e zgjeruar më tej shembullin, ta zëmë se ky vëlla më vonë gabon dhe ndoshta është e nevojshme që pleqtë e kongregacionit ta këshillojnë ose ta ndreqin. (Galatasve 6:1) A do të tregoje të njëjtën frymë si edomitët dhe të gëzoje për hallet e vëllait? Si do Perëndia që të veprosh?
6. Çfarë na sugjeron Mikea 7:18 që të bëjmë, në kontrast me Zakarinë 7:10?
6 Jehovai, me anë të Zakarisë, pohoi dëshirën e Tij që ‘të mos kurdisim në zemrën tonë asgjë të keqe kundër njëri-tjetrit’. (Zakaria 7:9, 10; 8:17) Kjo këshillë vlen në rastin kur mendojmë se një vëlla na ka lënduar ne ose ka vepruar keq ndaj një familjarit tonë. Në raste të tilla, është e lehtë ‘të kurdisim në zemër të keqen’ dhe pastaj ta pasqyrojmë këtë në veprimet tona. Nga ana tjetër, Perëndia dëshiron që ne të imitojmë shembullin e tij pozitiv. Sill ndër mend që Mikea shkroi se Jehovai «fal fajin dhe kapërcen shkeljen».a (Mikea 7:18) Si ta zbatojmë këtë në mënyra praktike?
7. Pse mund të zgjedhim që thjesht ta harrojmë një fyerje?
7 Ndoshta ndihemi të lënduar nga ajo që na kanë bërë ne ose të afërmit tonë, por sa serioze është në të vërtetë? Bibla rendit hapat që duhen bërë për të zgjidhur mosmarrëveshjet, e madje, edhe kur kemi të bëjmë me një mëkat ndaj një vëllai. Gjithsesi, shpesh është më mirë që thjesht ta kalojmë gabimin ose fyerjen, ‘ta kapërcejmë shkeljen’. Pyet veten: ‘Mos ndoshta kjo është një nga 77 herët që duhet ta fal? Pse të mos e harroj këtë ndodhi?’ (Mateu 18:15-17, 21, 22) Edhe sikur fyerja të na duket e rëndë tani, a do të jetë e tillë pas një mijë vjetësh? Nxirr një mësim të thjeshtë nga komenti që bëhet tek Eklisiastiu 5:20, ku flitet për një punëtor që ha e pi: «Rrallëherë do të mendojë për ditët e jetës së tij, sepse Perëndia i vërtetë e mban të zënë, duke ia mbushur zemrën me gëzim.» Kur përqendrohet në kënaqësinë që po kalon në atë çast, ai i harron problemet e jetës së përditshme. A mund ta imitojmë këtë qëndrim? Nëse përqendrohemi në gëzimet që na sjell vëllazëria e krishterë, do të mund t’i harrojmë çështjet që nuk kanë rëndësi të madhe, ato që nuk do t’i kujtojmë në botën e re. Sa ndryshon kjo nga qëndrimi që të gëzojmë për hallet e tjetrit ose t’i mbajmë mend fyerjet.
THUAJU TË VËRTETËN TË TJERËVE
8. Cilën sfidë hasim kur bëhet fjalë për të thënë të vërtetën?
8 Të 12 librat profetikë theksojnë edhe sa shumë dëshiron Perëndia që të themi të vërtetën në çdo gjë. Natyrisht, ne përpiqemi t’u themi të tjerëve ‘të vërtetën e lajmit të mirë’. (Kolosianëve 1:5; 2 Korintasve 4:2; 1 Timoteut 2:4, 7) Por, mund të jetë sfidë t’i përmbahemi të vërtetës në bisedat e përditshme në familje dhe me vëllezërit në besim, biseda që përfshijnë shumë argumente e situata. Po pse?
9. Kur mund të tundohemi për të mos thënë të gjithë të vërtetën, por ç’pyetje duhet t’i bëjmë vetes?
9 Cilit prej nesh nuk i ka ndodhur të thotë a të bëjë ndonjë gjë të pahijshme, që pastaj dikush ia ka vënë në dukje? Me siguri jemi ndier në siklet ose në faj. Këto ndjenja mund ta bëjnë një njeri të mohojë gabimin ose të japë ndonjë «shpjegim» që e shtrembëron të vërtetën, për t’u shfajësuar ose për ta bërë të duket e drejtë. Ose, në një situatë pak të sikletshme, mund të tundohemi të përmendim vetëm disa hollësi që i zgjedhim ne, për t’i bërë më të pranueshme faktet. Kështu, ajo që themi mund të jetë teknikisht e vërtetë, e megjithatë, mund të japë një përshtypje krejt tjetër. Ndonëse kjo mund të mos jetë një gënjeshtër haptazi, siç ndodh normalisht në botën e sotme, a ‘po i themi të vërtetën të afërmit’ ose vëllait tonë në besim? (Efesianëve 4:15, 25; 1 Timoteut 4:1, 2) Si mendon se ndihet Perëndia kur një i krishterë i formulon frazat në një mënyrë që brendapërbrenda e kupton se po i çon vëllezërit në përfundime të gabuara, duke i bërë të besojnë diçka që nuk është tamam e vërtetë, nuk është e saktë?
10. Si e përshkruajnë profetët një mënyrë të vepruari që ishte e zakonshme në Izraelin dhe në Judën e lashtë?
10 Profetët e kuptonin se edhe burrat e gratë që i janë kushtuar Jehovait, nganjëherë e shpërfillin atë që dëshiron ai prej tyre. Hozea shprehu atë që ndiente Perëndia për disa njerëz në ditët e tij: «Grabitje për ta, sepse kanë kryer shkelje kundër meje! Unë vetë i shpengoja, por ata kanë thënë gënjeshtra edhe kundër meje.» Përveçse thoshin sheshit gënjeshtra kundër Jehovait, disa filluan ‘të thoshin mallkime dhe të merreshin me mashtrime’, ndoshta duke i shtrembëruar faktet për të ngatërruar të tjerët. (Hozea 4:1, 2; 7:1-3, 13; 10:4; 12:1) Hozea i shkroi këto fjalë në Samari, në mbretërinë veriore. Mos ishin më mirë gjërat në Judë? Mikea na thotë: «Sepse pasanikët e tij janë plot dhunë, banorët e tij thonë gënjeshtra dhe kanë në gojë një gjuhë dhelparake.» (Mikea 6:12) Është mirë të mbajmë parasysh se si u dënuan nga profetët ata që ‘merreshin me mashtrime’ dhe ata që «kishin në gojë një gjuhë dhelparake». Kështu, edhe të krishterët, që sigurisht nuk thonë gënjeshtra të drejtpërdrejta, mund të pyesin veten: ‘Mos nganjëherë edhe unë përdor mashtrimin apo një gjuhë dhelparake? Çfarë dëshiron Perëndia nga unë, në këtë drejtim?’
11. Çfarë zbulojnë profetët në lidhje me vullnetin e Perëndisë, për sa i përket të folurit?
11 Nga ana tjetër, Perëndia i përdori profetët edhe për të bërë të qarta gjërat e mira që dëshiron të bëjmë ne. Te Zakaria 8:16 thuhet: «Këto gjëra duhet të bëni: I thoni të vërtetën njëri-tjetrit. Në portat tuaja gjykoni në përputhje me të vërtetën dhe me paqe.» Në ditët e Zakarisë, portat ishin vende publike ku pleqtë e qytetit merreshin me çështjet gjyqësore. (Rutha 4:1; Nehemia 8:1) Gjithsesi, Zakaria nuk tha se kjo ishte e vetmja rrethanë kur duhej folur me ndershmëri. Patjetër, duhet të jemi të ndershëm në çështje serioze ose kur jemi në publik, por, nga ana tjetër, na bëhet edhe kjo nxitje: «I thoni të vërtetën njërit-tjetrit.» Kjo përfshin edhe mjedisin privat të shtëpisë, kur flasim me bashkëshortin ose me familjarët e tjerë. Gjithashtu, zbatohet edhe për bisedat e përditshme me vëllezërit e motrat në besim, qoftë kur flasim ballë për ballë, në telefon apo në ndonjë mënyrë tjetër. Ata kanë çdo arsye të presin që t’u themi gjithnjë të vërtetën. Prindërit e krishterë duhet t’u theksojnë fëmijëve të tyre sa jetësore është të shmangin gënjeshtrat. Kështu, të vegjlit do të rriten me dijeninë se Perëndia pret nga ata të mos kenë një gjuhë dhelparake dhe të jenë vërtet të ndershëm në atë që thonë.—Sofonia 3:13.
12. Çfarë mësimesh të vlefshme mund të nxjerrim nga librat profetikë?
12 Një fëmijë ose i rritur që qëndron në udhën e vërtetësisë, e pranon thirrjen e Zakarisë: «Duajeni, pra, të vërtetën dhe paqen.» (Zakaria 8:19) Vër re edhe përshkrimin që i bën Malakia asaj që Jehovai e pa të mishëruar te Biri i Tij: «Ligji i së vërtetës ishte në gojën e tij dhe në buzët e tij nuk gjendej asnjë padrejtësi. Në paqe e në drejtësi eci me mua.» (Malakia 2:6) A do të donte Jehovai më pak prej nesh? Mos harro se ne e kemi të gjithë Fjalën e tij, duke përfshirë edhe librat e 12 profetëve dhe gjithë mësimet që mund të nxjerrim prej tyre.
SHMANG SJELLJEN E DHUNSHME
13. Cili problem tjetër ekzistonte, sipas Mikesë 6:12?
13 Te Mikea 6:12 lexuam për një mënyrë se si i keqtrajtonte të tjerët populli i lashtë i Perëndisë. Ata ‘thoshin gënjeshtra dhe kishin një gjuhë dhelparake’. Megjithatë, ky varg zbulon edhe një të metë tjetër serioze. Përmend që ‘pasanikët ishin plot dhunë’. Si ndodhte kjo, dhe ç’mësim nxjerrim?
14, 15. Çfarë nami kishin kombet përreth popullit të Perëndisë, për sa i përket dhunës?
14 Mendo se ç’nam kishin disa kombe që ndodheshin përreth popullit të Perëndisë. Në verilindje ndodhej Asiria me kryeqytetin e vet, Ninevinë, për të cilin Naumi shkroi: «Mjerë qyteti gjakatar! Ai është i tëri plot mashtrim e grabitje dhe preja nuk i ndahet.» (Naumi 3:1) Asirianët njiheshin për luftërat e ashpra që bënin dhe për mizorinë ndaj robërve të luftës; disa, ndërsa ishin ende gjallë, i digjnin ose u rripnin lëkurën, kurse të tjerëve u nxirnin sytë, u pritnin hundën, veshët ose gishtat. Libri Perëndi, varre dhe dijetarë (anglisht), thotë: «Ninevia ishte ngulitur në mendjen e gjithë njerëzve kryesisht për shkak të vrasjeve, të grabitjeve, të shtypjes dhe të dhunimit të të dobëtve; me luftë e me çdo formë tjetër të dhunës fizike.» Në lidhje me këtë dhunë, kemi një dëshmitar okular (që ndoshta mori pjesë edhe vetë në këto akte dhune). Ai, mbreti i Ninevisë, pasi dëgjoi mesazhin e Jonait, tha për popullin: «Të mbulohen me copë thesi, njerëz e kafshë shtëpiake, dhe secili të thërrasë me forcë Perëndinë e të heqë dorë nga rruga e keqe dhe nga dhuna.»—Jonai 3:6-8.b
15 Kjo dhunë e skajshme nuk kufizohej vetëm në Asiri. Edhe Edomi, që ndodhej në juglindje të Judës, do të merrte shpagim. Përse? «Edomi do të bëhet një shkretëtirë e braktisur, për shkak të dhunës ndaj bijve të Judës, në vendin e të cilëve derdhën gjak të pafajshëm.» (Joeli 3:19) A ia vunë veshin edomitët këtij paralajmërimi dhe a i lanë rrugët e tyre të dhunshme? Rreth dy shekuj më vonë, Abdia shkroi: «Burrat e tu të fuqishëm do të tmerrohen, o Teman [një qytet edomit]. . . . Për shkak të dhunës ndaj Jakobit, vëllait tënd, . . . do të shfarosesh përgjithmonë.» (Abdia 9, 10) Por, ç’të themi për popullin e Perëndisë?
16. Për cilin problem të kohës së tyre folën Amosi dhe Habakuku?
16 Amosi tregoi se si ishte gjendja në Samari, në kryeqytetin e mbretërisë veriore: «‘Shihni sa rrëmujë dhe sa të zhvatur ka atje. Ata që i mbushnin kullat e tyre me dhunë dhe plaçkitje, nuk ditën të bëjnë atë që është e drejtë’,—thotë Jehovai.» (Amosi 3:9, 10) Ndoshta ti mendon se gjendja ishte ndryshe në Judë, ku ndodhej tempulli i Jehovait. Por Habakuku, që jetonte në Judë, e pyeti Perëndinë: «Deri kur do të thërras për ndihmën tënde kundër dhunës e ti nuk do të më shpëtosh? Përse më bën të shoh të keqen dhe vazhdon të vështrosh ligësinë? Përse para meje ka grabitje dhe dhunë?»—Habakuku 1:2, 3; 2:12.
17. Pse në popullin e Perëndisë mund të jetë zhvilluar prirja ndaj dhunës?
17 Mos ndoshta dhuna u bë e zakonshme në popullin e Perëndisë sepse lejuan të ndikoheshin nga qëndrimi që kishin ndaj saj Asiria, Edomi ose kombe të tjera? Solomoni kishte paralajmëruar kundër këtij rreziku: «Mos e ki zili njeriun e dhunshëm dhe mos zgjidh asnjë nga udhët e tij.» (Proverbat 3:31; 24:1) Më vonë, Jeremia u tregua edhe më specifik: «Kështu thotë Jehovai: ‘Mos mësoni fare udhën e kombeve.’»—Jeremia 10:2; Ligji i përtërirë 18:9.
18, 19. (a) Po të jetonte sot Habakuku, si do të ndihej për llojet e sotme të dhunës? (b) Çfarë mendon ti për dhunën në kohët tona?
18 Po të jetonte sot Habakuku, a nuk do të tmerrohej nga dhuna që karakterizon ditët tona? Shumë veta bombardohen me skena të dhunshme që kur janë fëmijë. Filmat vizatimorë që magjepsin fëmijët, si djemtë edhe vajzat, janë plot me dhunë. Njëri personazh përpiqet ta bëjë tjetrin copë-copë, ta hedhë në erë ose ta shkatërrojë në ndonjë mënyrë. S’kalon shumë kohë dhe fëmijët ngjiten një shkallë më lart, te lojërat elektronike, të cilat i fitojnë duke i qëlluar me armë kundërshtarët, duke i hedhur në erë ose duke i shpartalluar. «Po lojëra janë!»—mund të kundërshtojë ndonjë. Gjithsesi, lojërat e dhunshme elektronike i zhytin në dhunë ata që luajnë me to, në shtëpi apo jashtë saj, dhe u modelojnë qëndrimin e reagimet. Sa e vërtetë është këshilla e frymëzuar: «Njeriu i dhunshëm do ta joshë të afërmin e tij dhe ka për ta bërë të shkojë në një udhë që s’është e mirë.»—Proverbat 16:29.
19 Ndonëse Habakuku s’kishte rrugëdalje tjetër veçse të shihte të keqen dhe ‘dhunën para tij’, kjo gjë e trishtonte shumë. Ndoshta mund të pyesësh veten: ‘A do të ndihej ai rehat, ulur bashkë me mua, duke parë programet që shoh rregullisht në televizor?’ Pyet veten, gjithashtu: ‘A do të rezervonte kohë për të ndenjur si spektator në të ashtuquajturat veprimtari sportive që janë bërë për të qenë të dhunshme, e madje, ku lojtarët veshin armatura mbrojtëse si gladiatorët e lashtë?’ Në disa lojëra, ajo që i entuziazmon shumë veta janë përleshjet mes lojtarëve në fushë ose ato mes tifozëve të çmendur. Në disa kultura, shumë njerëz shohin filma e videokaseta të dhunshme që kanë si subjekt luftën ose artet marciale. Këtë mund ta justifikojnë duke e quajtur histori ose shfaqje të së kaluarës kulturore të kombit, por a e bën kjo më të pranueshme dhunën?—Proverbat 4:17.
20. Për cilën formë të dhunës shprehu Malakia pikëpamjen e Jehovait?
20 Malakia përmend një aspekt që lidhet me këtë, kur thekson pikëpamjen e Jehovait për tradhtinë e disa judenjve ndaj grave të tyre. «Ai e urren divorcin,—thotë Jehovai, Perëndia i Izraelit,—si dhe atë që e mbulon me dhunë rrobën e tij.» (Malakia 2:16) Shprehja hebraike e përkthyer «e mbulon me dhunë rrobën e tij», është kuptuar në mënyra të ndryshme. Sipas disa studiuesve, do të thotë të ndotësh rrobën me gjak, kur sulmon me dhunë dikë. Sidoqoftë, është e qartë se Malakia po dënonte keqtrajtimin e bashkëshorteve. Po, Malakia përmendi çështjen e dhunës në familje dhe tregoi se Perëndia nuk e pëlqente atë.
21. Në cilat situata të krishterët duhet ta shmangin dhunën?
21 Dhuna fizike a me fjalë, është njësoj e dënueshme si në publik, ashtu edhe kur ushtrohet në mjedisin privat të një shtëpie të krishterë; Perëndia i sheh që të dyja. (Eklisiastiu 5:8) Edhe pse Malakia foli për dhunën kundër grave, askund në Bibël nuk tregohet se dhuna që ushtrohet ndaj fëmijëve ose prindërve të moshuar është më pak e gabuar. Nuk është e justifikueshme as kur një grua ushtron dhunë ndaj të shoqit, fëmijëve ose prindërve. Kuptohet, në një familje të përbërë nga njerëz të papërsosur, mund të lindin tensione që shkaktojnë acarim e ndonjëherë zemërim. Gjithsesi, Bibla na këshillon: «Zemërohuni, por mos mëkatoni. Perëndimi i diellit të mos ju gjejë në gjendje të acaruar.»—Efesianëve 4:26; 6:4; Psalmi 4:4; Kolosianëve 3:19.
22. Si e dimë se mund ta shmangim të qenët të dhunshëm, edhe po të jemi të rrethuar nga njerëz që janë të tillë?
22 Disa mund ta justifikojnë sjelljen e tyre të dhunshme, duke thënë: ‘Jam kështu sepse u rrita në një familje të dhunshme’ ose ‘Njerëzit në zonën a në kulturën time janë më impulsivë, më gjaknxehtë.’ Megjithatë, kur dënoi ‘pasanikët që ishin plot dhunë’, Mikea nuk tha se ata s’bënin dot ndryshe, ngaqë ishin rritur mes dhunës. (Mikea 6:12) Noeja jetonte në një kohë kur toka ishte ‘mbushur me dhunë’, dhe bijtë e tij u rritën të rrethuar nga dhuna. Por, a patën edhe ata sjellje të dhunshme? Aspak! «Noeja gjeti hir në sytë e Jehovait» dhe të bijtë ndoqën shembullin e tij dhe shpëtuan nga Përmbytja.—Zanafilla 6:8, 11-13; Psalmi 11:5.
23, 24. (a) Çfarë na ndihmon të njihemi si njerëz jo të dhunshëm? (b) Si ndihet Jehovai për ata që sillen me të tjerët siç dëshiron ai?
23 Në mbarë tokën, Dëshmitarët e Jehovait janë të njohur, jo si njerëz të dhunshëm, por si paqësorë. Ata respektojnë dhe zbatojnë ligjet e Cezarit për sa u përket akteve të dhunës. (Romakëve 13:1-4) Janë përpjekur «t’i farkëtojnë shpatat duke i kthyer në plore» dhe përpiqen të ndjekin paqen. (Isaia 2:4) Përpiqen të veshin «personalitetin e ri», që i ndihmon të shmangin dhunën. (Efesianëve 4:22-26) Po ashtu, imitojnë shembullin e mirë të pleqve të krishterë, të cilët nuk mund të jenë ‘njerëz që godasin’, as me fjalë e as me vepra.—1 Timoteut 3:3; Titit 1:7.
24 Po, ne mund të sillemi me të tjerët siç do Perëndia, dhe duhet të veprojmë kështu! Hozea thotë: «Kush është i mençur, që t’i kuptojë këto gjëra? I matur, që t’i dijë? Sepse udhët e Jehovait janë të drejta dhe në to do të ecin të drejtët.»—Hozea 14:9.
a Për shprehjen «kapërcen shkeljen», një studiues thotë se kjo metaforë hebraike «është nxjerrë duke krahasuar sjelljen e një udhëtari, që kalon pa e vënë re një objekt të cilit nuk dëshiron t’i kushtojë vëmendje. Ideja [nuk është që Perëndia s’e vëren mëkatin], por që në disa raste, nuk i kushton vëmendje me qëllimin për të ndëshkuar; nuk ndëshkon, por fal».
b Rreth 35 kilometra në juglindje të Ninevisë ndodhej Kalahu (Nimrudi), të cilin e rindërtoi Asurnasirpali. Në Muzeun Britanik ka disa pjesë nga muri i Kalahut, për të cilat lexojmë: «Asurnasirpali nuk la pa shënuar asnjë hollësi të egërsisë e të mizorisë me të cilën bënte fushatat e tij ushtarake. Të burgosurit i varnin nëpër hunj ose i gozhdonin në shtylla, mbi muret e qyteteve të rrethuara . . . ; djemve dhe vajzave u rripnin lëkurën të gjallë.»—Archaeology of the Bible.