BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • yp2 kap. 2 f. 21-27
  • Ç’të keqe ka një lidhje e fshehtë?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Ç’të keqe ka një lidhje e fshehtë?
  • Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike, Vëllimi 2
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Pse zgjedhin këtë rrugë?
  • «Na thanë të mos tregonim»
  • Grackat e lidhjeve të fshehta
  • Jepi fund fshehtësisë
  • Sekret apo jetë private?
  • «E dija ç’duhej të bëja»
  • Ç’të keqe ka të takohesh fshehurazi?
    Zgjohuni!—2007
  • Kur mund të nis një lidhje romantike?
    Zgjohuni!—2007
  • A jam gati të lidhem me dikë?
    Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike, Vëllimi 2
  • A kanë rregulla Dëshmitarët e Jehovait për rastet kur një djalë dhe një vajzë nisin një lidhje?
    Pyetje që bëhen më shpesh për Dëshmitarët e Jehovait
Shih më tepër
Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike, Vëllimi 2
yp2 kap. 2 f. 21-27

KAPITULLI 2

Ç’të keqe ka një lidhje e fshehtë?

Xhesika s’dinte ç’të bënte. Gjithçka filloi kur Toni, një shok klase, nisi të tregonte interes për të. «Ishte shumë simpatik,—thotë Xhesika,—dhe shoqet më thoshin se djalë më të mirë se ai s’do të gjeja. Disa vajza kishin dashur të lidheshin me të, por atij s’i binte në mend për to. I kishte sytë vetëm tek unë.»

S’vonoi shumë dhe Toni i kërkoi Xhesikës të dilnin bashkë. Ajo i shpjegoi se ishte Dëshmitare e Jehovait dhe prindërit s’do ta lejonin të dilte me një djalë që s’kishte besimin e saj. «Por Tonit i lindi një ide,—thotë ajo.—Ai më pyeti: ‘Po sikur të dalim fshehtas prindërve?’»

Ç’DO të bëje nëse dikush që të pëlqen, do të të propozonte diçka të tillë? Mbase të duket çudi, por në fillim Xhesikës s’iu duk keq ideja e Tonit. «Isha e bindur se po të dilja me të, do ta bëja ta donte Jehovain»,—thotë ajo. Si shkuan gjërat? Këtë do ta zbulojmë më vonë. Së pari, le të shohim si bien disa në grackën e lidhjeve të fshehta.

Pse zgjedhin këtë rrugë?

Pse disa lidhen fshehurazi? Një i ri me emrin David flet hapur: «E dinë se prindërit do të jenë kundër, kështu që nuk u tregojnë fare.» Xhejni tregon një arsye tjetër. «Lidhjet e fshehta janë shenjë rebelimi,—thotë ajo.—Kur të duket se nuk po të trajtojnë si të rritur, ndërkohë që ti mendon se je rritur, vendos të bësh ç’të të dojë qejfi pa u treguar prindërve.»

A të vijnë në mendje arsye të tjera pse disa i tundon ideja për të pasur një lidhje të fshehtë? Nëse po, shënoji më poshtë.

․․․․․

Pa dyshim, e di mirë se Bibla të urdhëron t’u bindesh prindërve. (Efesianëve 6:1) Në rast se tani për tani prindërit s’duan që të kesh një lidhje, me siguri duhet të kenë arsye të forta. Megjithatë, mos u çudit nëse në kokë të vijnë mendime si këto:

● Më duket vetja sikur jam prapa bote, ngaqë të gjithë, përveç meje, e kanë një të dashur.

● Më pëlqen dikush që nuk ka besimin tim.

● Do të më pëlqente të dilja me një të besimit tim, edhe pse s’kam moshën për t’u martuar.

Ndoshta e ke të qartë se ç’do të thoshin prindërit për ide të tilla. Dhe thellë-thellë, ti e di se kanë të drejtë. Njëkohësisht mbase ndihesh si Manami, që thotë: «Presioni për të pasur të dashur është kaq i fortë, sa ndonjëherë lëkundem. Për çunat e gocat sot është absurde të mos kenë të dashur. Veç kësaj, vetëm s’shtyhet!» Disa që janë gjendur në këtë situatë, kanë nisur një lidhje të fshehtë pas kurrizit të prindërve. Si?

«Na thanë të mos tregonim»

Vetë shprehja «lidhje e fshehtë» tregon se të duhet të dredhosh, dhe faktikisht vetëm kështu mund të funksionojë. Disa arrijnë ta mbajnë sekret lidhjen duke komunikuar kryesisht nëpërmjet telefonit ose Internetit. Para të tjerëve janë thjesht shokë, kurse telefonatat, mesazhet në celular dhe në Internet flasin ndryshe.

Një tjetër taktikë dinake është organizimi i ndonjë aktiviteti në grup për t’i krijuar mundësinë një çifti të rrinë bashkë. Xhejmsi thotë: «Një herë, disa prej nesh ishim ftuar diku. Më pas, zbuluam se e gjithë kjo ishte sajuar që dy nga grupi të rrinin bashkë. Na thanë të mos tregonim.»

Në të shumtën e rasteve, siç tregon Xhejmsi, këto lidhje mbahen të fshehta me ndihmën e shokëve dhe shoqeve. «Shpesh, të paktën një nga shokët e di si është puna, por nuk e hap gojën se thotë ‘s’dua të spiunoj’»,—shprehet Karola. Nganjëherë, ata që kanë lidhje të fshehta tregojnë një mungesë të theksuar ndershmërie. «Shumë të rinj e mbajnë lidhjen të fshehtë duke i gënjyer prindërit e duke mos u treguar se ku shkojnë»,—thotë një vajzë 17-vjeçare me emrin Beti. Këtë bëri edhe Misaki, një vajzë 19-vjeçare. «Duhej t’i sajoja me kujdes gënjeshtrat,—thotë ajo.—Që të mos humbja besimin e prindërve, bëja kujdes të mos thosha as edhe një gënjeshtër, përveç atyre që kishin të bënin me lidhjen time.»

Grackat e lidhjeve të fshehta

Nëse të josh ideja e një lidhjeje të fshehtë ose nëse tashmë e ke filluar, bën mirë t’i bësh vetes dy pyetjet e mëposhtme:

Ku po më çon kjo rrugë? A ke ndër mend të martohesh me atë njeri në një kohë pak a shumë të afërt? «Të lidhesh me dikë pa pasur si synim martesën, është si të reklamosh diçka që nuk ke ndër mend ta shesësh»,—thotë Evani, një djalë 20-vjeçar. Ku mund të çojë kjo? Te Proverbat 13:12 thuhet: «Pritja e zgjatur e sëmur zemrën.» A do të doje ta vrisje shpirtërisht dikë që e ke për zemër? Edhe një këshillë tjetër: nëse ke një lidhje të fshehtë, po pengon prindërit ose të rriturit e tjerë të kujdesen me dashuri për ty. Kjo mund të të futë në grackën e imoralitetit seksual.​—Galatasve 6:7.

Çfarë mendon Jehovai për këtë që po bëj? Bibla thotë: «Të gjitha gjërat janë lakuriq dhe fare sheshit në sytë e atij, të cilit do t’i japim llogari.» (Hebrenjve 4:13) Pra, mos kujto se Jehovai s’e di që po e fsheh lidhjen që ke nisur ose lidhjen e një shoku a të një shoqeje. E nëse, për ta mbuluar, duhet të gënjesh, duhet të shqetësohesh vërtet. Jehovai e ka shumë inat gënjeshtrën. Madje, sipas Biblës, «gjuha gënjeshtare» është një ndër gjërat që Jehovait i ngjall më shumë neveri.​—Proverbat 6:16-19.

Jepi fund fshehtësisë

Pa dyshim, është mirë të flasësh me prindërit ose me një të krishterë të rritur e të pjekur nëse ke një lidhje të fshehtë. E në rast se një shok ka një lidhje të fshehtë, mos e ndihmo që ta mbulojë. (1 Timoteut 5:22) A do të të vinte mirë sikur shokut t’i ndodhte gjë? A nuk do të ndiheshe deri diku fajtor?

Le të bëjmë një shembull. Ta zëmë se një shoku yt është me diabet dhe dendet fshehurazi me ëmbëlsira. Çfarë do të bëje po ta merrje vesh, sado që shoku të lutet të mos tregosh? Për çfarë do të merakosesh më shumë: ta mbash të fshehtë apo të bësh diçka për t’i shpëtuar jetën?

E njëjta gjë është edhe kur di se dikush tjetër ka një lidhje të fshehtë. Mos ki merak se mos prishësh shoqërinë. Me kalimin e kohës, një shok i vërtetë do ta kuptojë se e bëre për të mirën e tij.​—Psalmi 141:5.

Sekret apo jetë private?

Natyrisht, mbajtja sekret e një lidhjeje jo gjithnjë nënkupton mashtrimin. Ta zëmë se një djalë dhe një vajzë në moshë për martesë, duan të njihen më mirë, por për njëfarë kohe duan të mos e përhapin fjalën. Ndoshta arsyeja është ajo që tha një i ri me emrin Tomas: «Nuk duan që t’i ngacmojnë me pyetje, si: ‘Hë, kur do t’jua hamë llokumet?’»

Presioni i pavend i të tjerëve mund të jetë vërtet i dëmshëm. (Kënga e Solomonit 2:7) Prandaj, kur nisin një lidhje, disa çifte me të drejtë vendosin të mos e përhapin shumë. (Proverbat 10:19) «Kjo i jep kohë djalit dhe vajzës të vendosin nëse duan t’i hyjnë një lidhjeje serioze,—thotë Ana, një vajzë 20-vjeçare.—Nëse po, atëherë mund ta shpallin hapur.»

Nga ana tjetër, do të ishte gabim t’ua fshihje këtë gjë atyre që duhet ta dinë, siç janë prindërit e tu ose prindërit e njeriut me të cilin po njihesh. Nëse s’mund ta tregosh hapur që po shoqëroheni, pyet veten përse. Mos ndoshta thellë-thellë e kupton se prindërit do të kishin arsye të forta për të qenë kundër?

«E dija ç’duhej të bëja»

Xhesika, e përmendur në hyrje të artikullit, vendosi të hiqte dorë nga Toni kur dëgjoi si veproi një vajzë tjetër në kongregacion që po kalonte të njëjtën situatë. «Pasi dëgjova se i dha fund lidhjes së saj, e dija ç’duhej të bëja»,—thotë Xhesika. A ishte e lehtë ndarja? Aspak! Ajo thotë: «Ishte i vetmi djalë që më kishte pëlqyer. Qaja çdo ditë për javë të tëra.»

Megjithatë, Xhesika ishte e sigurt për një gjë. Ajo e donte Jehovain, e ndonëse i kishte hyrë një rruge të gabuar, donte me gjithë shpirt të vepronte drejt. Me kalimin e kohës, dhembja e ndarjes u fashit. «Tani,—thotë Xhesika,—miqësia ime me Jehovain është më e fortë se kurrë. Jam vërtet mirënjohëse që ai na jep drejtim pikërisht kur na duhet!»

NË KAPITULLIN TJETËR:

Ta zëmë se je gati për të pasur një të dashur dhe je lidhur me dikë që të pëlqen. Si mund ta dish nëse është njeriu i duhur?

SHKRIMI KYÇ

«Duam të sillemi me ndershmëri në çdo gjë.»​—Hebrenjve 13:18.

KËSHILLË

S’ka pse ta dijë gjithë bota për lidhjen tënde. Ama, atyre që duhet ta dinë, prindërve të tu, prindërve të njeriut me të cilin je lidhur a ndonjë tjetri, duhet t’u tregosh.

A E DIJE . . . ?

Themeli i lidhjeve të qëndrueshme është besimi. Lidhjet e fshehta çojnë në humbjen e besimit të prindërve dhe krisin themelin e lidhjes suaj si çift.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Nëse kam një lidhje të fshehtë me një të krishterë tjetër, do të ․․․․․

Nëse një shok a një shoqe ka një lidhje të fshehtë do të ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Lexoji edhe një herë tri situatat me shkronja të zeza në faqen 22. A ndihesh edhe ti ndonjëherë ashtu? Nëse po, cili nga tri rastet përshkruan gjendjen tënde?

● Si mund ta përballosh këtë gjendje pa nisur një lidhje të fshehtë?

● Po ta dije se një shok a një shoqe ka një lidhje të fshehtë, si do të veproje dhe pse në këtë mënyrë?

[Diçitura në faqen 27]

«I dhashë fund lidhjes së fshehtë. S’e mohoj, bëhesha keq kur e shihja çdo ditë në shkollë. Por, ndryshe nga ne, Jehovai mund të shohë përtej asaj që duket. Ne duhet vetëm të mbështetemi tek ai.»​—Xhesika

[Figura në faqen 25]

Të mos tregosh për një shok a shoqe që ka një lidhje të fshehtë, është si të mbulosh një diabetik që dendet fshehurazi me ëmbëlsira

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo