KAPITULLI 20
Ç’mund të bëj nëse familja ime është e varfër?
Gjergji, një i ri nga Evropa Lindore, s’i blen dot rrobat ose gjërat elektronike që mund të blejnë disa të rinj në Evropën Perëndimore. Është aq i mërzitur me jetën që bën, sa mendon të shkojë në Austri. A është i varfër Gjergji sipas teje?
□ Po □ Jo
Mijëra kilometra larg, në një fshat të Afrikës Jugore, jeton një i ri me emrin Luis. Familja e tij jeton në një kasolle të vogël, dhe Luisi i ka zili moshatarët e vet në një qytet aty afër që kanë «luksin» të jetojnë me drita dhe ujë të rrjedhshëm. A është i varfër Luisi sipas teje?
□ Po □ Jo
DUKET qartë se termi «i varfër» është relativ, pasi domethënia e tij ndryshon sipas vendit. Për shembull, Gjergji mund të ketë menduar se jeton në skamje, por në krahasim me Luisin, jeton në luks. Është mirë të kuptosh se sado i varfër të jesh, ka edhe më keq. Por, kur s’ke rroba për në shkollë ose të mungojnë gjërat kryesore si uji i rrjedhshëm, nuk ndihesh më mirë kur të thonë se ka edhe më keq.
Disa të rinj që janë rritur në familje të varfra ndihen inferiorë e të pavlerë, dhe mundohen ta harrojnë vuajtjen duke pirë alkool ose drogë. Megjithatë, përpjekjet për të harruar realitetin vetëm sa i përkeqësojnë gjërat. Ata që abuzojnë me alkoolin e kuptojnë se ai «kafshon si një gjarpër dhe nxjerr helm si një nepërkë». (Proverbat 23:32) Maria, një vajzë afrikano-jugore nga një familje e varfër me një prind, thotë: «Kur përpiqesh t’i bësh bisht realitetit, më shumë hap probleme se zgjidh.»
Mbase nuk i futesh pijes ose drogës, por mund të të duket se s’ka shpresë të dalësh ndonjëherë nga ajo gjendje. Çfarë të bësh? Këshillat e mençura të Biblës mund të jenë çelësi për të shpëtuar nga prangat e dëshpërimit dhe të ndihmojnë të jesh optimist. Le të shohim se si.
Mendo për ato që ke
Një gjë e rëndësishme që mund të bësh, është të mos e mbash mendjen tek ato që s’ke, por tek ato që ke. Pasuri si një shtëpi dhe një familje e ngrohtë, janë shumë më të çmuara se paratë. Një proverb në Bibël thotë: «Më mirë një pjatë me perime aty ku ka dashuri, se një dem i majmur bashkë me urrejtje.» (Proverbat 15:17) Të rinjtë e krishterë kanë një pasuri shumë të vyer—mbështetjen e ‘gjithë vëllazërisë’.—1 Pjetrit 2:17.
Gjithashtu, mund të përpiqesh t’i shohësh me sy optimist ato që ke. Vërtet mbase jeton në një shtëpi të thjeshtë a që mezi mbahet në këmbë. Mbase vesh rroba të vjetra, të konsumuara a të arnuara. Mbase të janë mërzitur të njëjtat ushqime. Por, a duhen rroba të modës ose një shtëpi e bukur për t’i pëlqyer Perëndisë? A duhet medoemos ushqim i larmishëm që të mbahesh gjallë dhe të kesh shëndet? Jo. Apostulli Pavël nxori një mësim të çmuar në këtë aspekt. Ai i kishte provuar vetë edhe kamjen, edhe skamjen. (Filipianëve 4:12) Çfarë përfundimi nxori? «Nëse kemi ç’të hamë, ç’të veshim e ku të futim kokën, le të kënaqemi me kaq.»—1 Timoteut 6:8.
Eldredi nga Afrika e Jugut, që u rrit në një familje të varfër, thotë: «E pranuam që familja jonë ishte trokë dhe se s’mund të kishim gjithçka që donim.» Ai kujton se sa herë që i vjetroheshin pantallonat që vishte për shkollë, e ëma ia arnonte. «Duroja ca tallje,—pranon ai,—por e rëndësishme ishte që rrobat i kishim të pastra dhe e përmbushnin qëllimin.»
Rrit respektin për veten
Xhejmsi, një djalë 11-vjeçar, jetonte me nënën dhe motrën në një kamp me baraka afër Johanesburgut, në Afrikën e Jugut. S’kishin pothuaj gjë prej gjëje. Por prapëseprapë, ai kishte gjëra me vlerë, si koha dhe energjia, që i pëlqente t’i përdorte për të ndihmuar të tjerët. Çdo fundjavë, Xhejmsi shkonte për të ndihmuar si vullnetar në ndërtimin e një Salle Mbretërie të Dëshmitarëve të Jehovait aty afër. Kështu kohën, që s’do të dinte si ta shtynte, e harxhoi për diçka të mirë, e përveç kësaj ndihej edhe i dobishëm e kishte respekt për veten. Ai thotë: «Pas një dite pune për ndërtimin e sallës, kam një ndjenjë kënaqësie të thellë.»
Një tjetër aktivitet i dobishëm është vepra e arsimimit biblik shtëpi më shtëpi. (Mateu 24:14) Dëshmitarët e Jehovait në moshë të re marrin pjesë rregullisht në këtë vepër. Kështu u japin të tjerëve shpresë për një jetë më të mirë në të ardhmen, rritin respektin për veten dhe ndihen krenarë. Jo se fitojnë para nga kjo. Por, a të kujtohet mesazhi që i dha Jezui kongregacionit të lashtë të Smirnës? Ishte një kongregacion mjaft i varfër. Megjithatë, duke parë përkushtimin e tij ndaj Perëndisë, Jezui tha: «E njoh shtrëngimin dhe varfërinë tënde, por ti je i pasur.» Në fund, falë besimit me vepra që tregonin në gjakun që derdhi Jezui, ata do të bëheshin shumë të pasur, do të merrnin kurorën e pavdekësisë.—Zbulesa 2:9, 10.
Shih përpara
I varfër a i pasur, mund të krijosh miqësi të ngushtë me Jehovain. Bibla thotë: «I pasuri dhe i vobekti janë ballë për ballë. Bërësi i të gjithëve është Jehovai.» (Proverbat 22:2) Kjo ka ndihmuar mijëra të rinj Dëshmitarë të përballojnë varfërinë. Ata e kuptojnë se lumturia nuk varet nga gjërat që kanë, por nga miqësia me Perëndinë Jehova, i cili u hap krahët të gjithë atyre që duan t’i shërbejnë. Perëndia na jep shpresë se në të ardhmen do të jetojmë në një botë të re, pa brengat e varfërisë.—2 Pjetrit 3:13; Zbulesa 21:3, 4.
Ndërkohë, përdori me mençuri ato që ke. Shiko drejt së ardhmes. Grumbullo thesare frymore. (Mateu 6:19-21) Shihe varfërinë si një vështirësi që mund ta përballosh.
SHKRIMI KYÇ
«Edhe kur dikush ka me bollëk, jeta e tij nuk varet nga gjërat që zotëron.»—Luka 12:15.
KËSHILLË
Mos iu afro bixhozit dhe duhanit e mos e tepro me alkoolin. Nëse pjesëtarët e tjerë të familjes i kanë këto vese, ji shembull për ta me sjelljen tënde.
A E DIJE . . . ?
Parimet biblike mund të të ndihmojnë të mësosh si të jesh i kënaqur, pavarësisht nga kushtet ku jeton.—Filipianëve 4:12, 13; 1 Timoteut 6:8; Hebrenjve 13:5.
HAPAT QË DUA TË BËJ . . .
Gjërat me vlerë që kam, janë: ․․․․․
Do t’i vë në shërbim të të tjerëve duke ․․․․․
Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․
ÇFARË MENDON?
● Pse domethënia e termit «i varfër» ndryshon sipas vendit?
● Pse nuk është e mençur të përdorësh drogë, alkool dhe substanca të tjera për të harruar realitetin?
● Ç’hapa praktikë mund të bësh për të përballuar varfërinë?
[Diçitura në faqen 168]
«Megjithëse më dukej se s’i shpëtoja dot varfërisë, e kuptova se zgjidhja nuk ishte të bashkohesha me bandat ose të vidhja. Shumë nga moshatarët e mi, që u morën me gjëra të tilla, sot janë njerëz pa shkollë e pa shpresë, skllevër të pijes dhe drogës, ose të mbyllur në qeli.»—Xhorxhi
[Kutia dhe figurat në faqen 164]
Fletë pune
A duhet të shkoj të jetoj jashtë shtetit?
Disa të rinj duan të shkojnë jashtë shtetit për të bërë para për vete ose për të mbajtur familjen. Të tjerë shkojnë për të mësuar një gjuhë të huaj, për një arsimim të mëtejshëm ose për t’u shpëtuar problemeve që kanë në shtëpi. Disa të rinj Dëshmitarë të Jehovait kanë shkuar në ato vende ku ka nevojë për ungjillëzues. Vendimi për të jetuar jashtë shtetit është i rëndësishëm dhe duhet menduar mirë. Kështu, nëse mendon të shkosh jashtë shtetit, lexo dhe medito për shkrimet e renditura më poshtë. Bëji vetes këto pyetje dhe shkruaji përgjigjet në një fletë. Pastaj lutu për të marrë vendimin e duhur.
□ Ç’kërkesa ligjore duhen plotësuar?—Romakëve 13:1.
□ Sa do të më kushtojë të shkoj jashtë shtetit?—Luka 14:28.
□ Si po tregoj tani se di të kujdesem për veten kurtë jem jashtë shtetit?—Proverbat 13:4.
□ Ç’më kanë këshilluar njerëz të pjekur që e kanë provuar jetën jashtë shtetit?—Proverbat 1:5.
□ Ç’mendojnë prindërit për këtë?—Proverbat 23:22.
□ Çfarë më shtyn të shkoj jashtë shtetit?—Galatasve 6:7, 8.
□ Nëse do të jetoj me të tjerë, a do të më nxitin të mbaj zakone të mira frymore?—Proverbat 13:20.
□ Para cilave rreziqe morale, fizike dhe frymore mund të gjendem?—Proverbat 5:3, 4; 27:12;1 Timoteut 6:9, 10.
□ Në mënyrë realiste, ç’pres të arrij duke shkuar jashtë shtetit?—Proverbat 14:15.
[Figura në faqen 167]
Këshillat e Biblës mund të jenë çelësi për të shpëtuar nga prangat e dëshpërimit