Kapitulli tetë
A ‘do të jetosh’, siç bëri Jeremia?
1, 2. Pse është logjike t’i kushtohet vëmendje si individit, edhe familjes së tij?
PASI i nxiti izraelitët të zgjidhnin kujt do t’i shërbenin, Josiu tha: «Sa për mua dhe për shtëpinë time, ne do t’i shërbejmë Jehovait.» (Jos. 24:15) Josiu ishte i vendosur t’i qëndronte besnik Perëndisë dhe i sigurt se edhe familja e tij do të mbetej besnike. Shumë kohë më vonë, tek afrohej shkatërrimi i Jerusalemit, Jeremia i tha mbretit Zedekia se po t’u dorëzohej babilonasve, ‘ai bashkë me ata të shtëpisë së tij do të jetonin’. (Jer. 38:17) Zgjedhja e gabuar e mbretit ndikoi për keq tek ai vetë, te gratë dhe bijtë e tij. Të bijtë ia vranë para syve dhe pastaj atë vetë e verbuan dhe e çuan rob në Babiloni.—Jer. 38:18-23; 39:6, 7.
2 Në të dyja shprehjet me shkrim të pjerrët, përfshihej drejtpërdrejt vetëm një njeri. Por përmendet edhe familja e tij dhe kjo është logjike. Çdo i rritur është përgjegjës para Perëndisë. Megjithatë, shumica e izraelitëve ishin pjesë e një familjeje. Edhe për të krishterët, familja është e rëndësishme. Këtë e shohim nga ajo që lexojmë në Bibël dhe që shqyrtojmë në mbledhjet e krishtere për martesën, rritjen e fëmijëve dhe respektin për pjesëtarët e familjes.—1 Kor. 7:36-39; 1 Tim. 5:8.
NJË URDHËR I PAZAKONTË
3, 4. Si ndryshonte situata e Jeremisë nga ajo e shumicës, por si nxori dobi nga kjo?
3 Jeremia zgjodhi t’i shërbente Jehovait dhe vazhdoi ‘të jetonte’. Ai mbijetoi nga shkatërrimi i Jerusalemit, por në rastin e tij zgjedhja që bëri, nuk ndikoi te ndonjë familje. (Jer. 21:9; 40:1-4) Perëndia i kishte thënë të mos martohej, të mos kishte bij e bija dhe të mos merrte pjesë në disa aspekte të tjera të zakonshme të jetës judaike në atë kohë.—Lexo Jereminë 16:1-4.
4 Për kohën dhe kulturën në të cilën jetoi Jeremia, ishte normale të martoheshe e të kishe fëmijë. Shumica e burrave judenj martoheshin, pasi kështu mund ta mbanin tokën brenda fisit dhe familjes së tyre.a (Ligj. 7:14) Po Jeremia, pse s’duhej të martohej? Për shkak të asaj që do të vinte, Perëndia i tha të mos merrte pjesë në rastet normale të hidhërimit ose të gëzimit. Nuk duhej të ngushëllonte ata që vajtonin e as të hante me ta pas një funerali. As duhej të merrte pjesë në raste festive, si dasmat judaike. Këto gosti e gëzime së shpejti do të merrnin fund një herë e mirë. (Jer. 7:33; 16:5-9) Veprimet e Jeremisë i jepnin peshë mesazhit të tij dhe theksonin sa i rëndë do të ishte gjykimi që po vinte. Së fundi, ajo gjëmë erdhi. E përfytyron dot si janë ndier ata që nga dëshpërimi u bënë kanibalë ose ata që panë familjarët e tyre të bëheshin kërma? (Lexo Jereminë 14:16; Vajt. 2:20.) Pra, Jeremia s’ishte për t’u mëshiruar që nuk u martua. Ndonëse rrethimi 18-mujor dhe kasaphana që do të shkaktonte, do të zhduknin familje të tëra, Jeremia s’do të përjetonte humbjen e gruas ose të fëmijëve.
5. Ç’domethënie kanë për të krishterët udhëzimet që gjenden te Jeremia 16:5-9?
5 Por, a mund të thuhet se Jeremia 16:5-9 zbatohet për ne? Jo. Të krishterët nxiten ‘të ngushëllojnë ata që janë në ndonjë lloj shtrëngimi’ e ‘të gëzojnë me ata që gëzojnë’. (2 Kor. 1:4; Rom. 12:15) Jezui shkoi në një dasmë dhe bëri diçka për t’ia shtuar gëzimin. Megjithatë, ajo që e pret këtë sistem të lig, është e rëndë. Madje të krishterët mund të hasin vështirësi dhe mungesën e gjërave të nevojshme. Jezui theksoi se duhet të jemi gati të bëjmë ç’është e nevojshme për të duruar e për të qëndruar besnikë, siç bënë vëllezërit tanë që ikën nga Judea në shekullin e parë. Prandaj, duhet ta mendojmë mirë nëse do të rrimë beqarë, do të martohemi ose do të kemi fëmijë.—Lexo Mateun 24:17, 18.
6. Kush mund të nxjerrë dobi duke medituar për urdhrin që i dha Perëndia Jeremisë?
6 Si gjen zbatim sot urdhri i Perëndisë që Jeremia të mos martohej e të mos kishte fëmijë? Disa të krishterë besnikë nuk janë të martuar ose nuk kanë fëmijë. Ç’mund të mësojnë ata nga rasti i Jeremisë? Pse duhet ta shqyrtojnë këtë aspekt të jetës së tij edhe të krishterët që janë të martuar e kanë fëmijë?
7. Pse ia vlen ta shqyrtojmë faktin që Jeremia s’duhej të kishte fëmijë?
7 Fillimisht, shqyrto faktin që Jeremia s’duhej të kishte fëmijë. Jezui nuk i urdhëroi ithtarët e tij të mos kishin fëmijë. Por, vlen të përmendet se tha «mjerë» gratë shtatzëna ose ato që kishin foshnjë në gji, kur të vinte shtrëngimi mbi Jerusalemin në vitet 66-70 të e.s. Ajo kohë do të ishte veçanërisht e vështirë për to, duke parë situatën e tyre. (Mat. 24:19) Tani jemi para një shtrëngimi edhe më të madh. Çiftet e krishtere që po vendosin nëse do të kenë fëmijë apo jo, duhet ta mendojnë seriozisht këtë. A s’je dakord që sa vjen e duket më e vështirë të përballosh këto kohë kritike? Gjithashtu, disa çifte kanë pranuar se ka qenë shumë e vështirë të rritnin fëmijë që ‘do të jetojnë’ kur të vijë fundi i këtij sistemi. Ndonëse çdo çift duhet të vendosë vetë nëse do të ketë fëmijë, rasti i Jeremisë vlen të shqyrtohet. Po ç’të themi për urdhrin e Perëndisë që ai as të mos martohej?
Cilin urdhër të pazakontë mori Jeremia dhe për çfarë duhet të na nxitë të mendojmë?
MËSO NGA BEQARIA E JEREMISË
8. Pse mund të themi se martesa nuk është e domosdoshme për t’i pëlqyer Perëndisë?
8 Kur i tha Jeremisë të mos martohej, Perëndia nuk po vendoste një normë që duhej ta ndiqnin të gjithë shërbëtorët e tij. S’ka asgjë të keqe të martohesh. Martesën e themeloi Jehovai, që të popullohej toka dhe që të ishte burim kënaqësie e lumturie të madhe. (Prov. 5:18) Gjithsesi, në ditët e Jeremisë, jo të gjithë ishin të martuar. Gjatë kohës kur profetizonte ai, në popullin e Perëndisë mund të ketë pasur disa eunukë.b Veç kësaj, sigurisht që kishte vejanë e vejusha. Pra, Jeremia nuk ishte i vetmi adhurues i vërtetë pa bashkëshorte. Natyrisht, kishte një arsye për të mos u martuar, siç kanë edhe disa të krishterë sot.
9. Cilën këshillë të frymëzuar për martesën duhet të shqyrtojmë seriozisht?
9 Shumë të krishterë martohen, por jo të gjithë. Siç e di, Jezui nuk u martua dhe tha se disa dishepuj do të kishin dhuratën që ‘t’i bënin vend’ beqarisë në mendje e në zemër. Ai i nxiti ata që mund të rrinin beqarë, ta bënin këtë. (Lexo Mateun 19:11, 12.) Prandaj, është mirë t’i lavdërojmë e jo t’i vëmë në lojë, ata që rrinë beqarë për të bërë më shumë në shërbim të Perëndisë. Kuptohet, disa të krishterë rrinë beqarë, të paktën për ca kohë, për shkak të rrethanave. Për shembull, ndoshta s’kanë gjetur një bashkëshort të përshtatshëm të krishterë dhe janë për t’u lavdëruar që duan të mbajnë me çdo kusht normën e Perëndisë për t’u martuar «vetëm në Zotërinë». (1 Kor. 7:39) E natyrisht disa shërbëtorë të Perëndisë janë vejanë ose vejusha, pra beqarë.c Ata s’duhet të harrojnë kurrë se Perëndia, si dhe Jezui, prej kohësh kanë shprehur interesim për këta beqarë.—Jer. 22:3; lexo 1 Korintasve 7:8, 9.
10, 11. (a) Çfarë e ndihmoi Jereminë të ruante gëzimin si beqar? (b) Si e vërtetojnë përvojat e sotme se ata që mbeten të pamartuar mund të kenë një jetë shpërblyese?
10 Si pasojë, ndërsa Jeremia qëndronte beqar, mund të mbështetej në ndihmën e Perëndisë. Si? Po ja, mos harro se ai kënaqej me fjalën e Jehovait. Ajo do të ketë qenë burim force e sigurie për Jereminë gjatë dekadave, ndërsa përqendrohej në shërbimin që i kishte caktuar Perëndia. Për më tepër, me kujdes shmangte shoqërinë e atyre që mund ta tallnin se ishte beqar. Ishte gati që më mirë ‘të ulej i vetëm’, sesa në shoqërinë e njerëzve që kishin prirje të tilla.—Lexo Jereminë 15:17.
11 Shumë të krishterë beqarë, burra e gra, të rinj a të mëdhenj, po ndjekin shembullin e mirë të Jeremisë. Përvojat tregojnë sa i ndihmon fakti që janë të zhytur në shërbim të Perëndisë dhe që kanë një pjesëmarrje të gjerë në aktivitete frymore domethënëse. Për shembull, një motër që shërben në një kongregacion të gjuhës kineze, shprehet: «Shërbimi si pioniere më jep drejtim në jetë. Si beqare, kam një jetë aktive e plot punë, dhe kjo më ndihmon të luftoj vetminë. Në fund të çdo dite ndihem e kënaqur, sepse shoh që me shërbimin tim po i ndihmoj vërtet njerëzit. Kjo më jep shumë gëzim.» Një pioniere 38-vjeçare thotë: «Mendoj se sekreti i lumturisë është të arrish të kënaqesh me aspektet pozitive të çdo rrethane ku gjendesh.» Një e krishterë e pamartuar në Evropën Jugore, pranoi hapur: «Jeta ime mund të mos ketë dalë siç e kisha menduar, por jam e lumtur dhe do të vazhdoj të jem.»
12, 13. (a) Cila është një pikëpamje realiste qoftë për beqarinë, qoftë për martesën? (b) Çfarë theksojnë për beqarinë jeta dhe këshillat e Pavlit?
12 Mos vallë edhe Jeremia pa se jeta e tij nuk doli siç e kishte menduar ndërsa rritej? Gjithsesi, me mençuri ai mund të ketë parë se kjo është e vërtetë edhe për shumë që martohen e kanë fëmijë. Një pioniere në Spanjë arriti të kuptojë këtë: «Njoh të martuar që janë të lumtur dhe të tjerë që nuk janë të lumtur. Kjo më bind se lumturia ime nuk varet nga fakti që do të martohem apo jo në të ardhmen.» Pa dyshim, përvoja e Jeremisë, si edhe e mijëra të tjerëve, tregon se një beqar mund të ketë një jetë të plotë, të lumtur e shpërblyese. Këtë na e vërteton më tej apostulli Pavël, që shkroi: «Të pamartuarve dhe vejushave po u them se për ta është mirë të mbeten siç jam edhe unë.» (1 Kor. 7:8) Pavli mund të ketë qenë i ve. Sidoqoftë, gjatë kohës që bëri aq shumë në shërbimin misionar, ishte i pamartuar. (1 Kor. 9:5) A s’është e arsyeshme të nxjerrim si përfundim se beqaria ishte avantazh për të? E ndihmoi të bënte ‘shërbim të vazhdueshëm ndaj Zotërisë, pa shpërqendrim’ e të bënte shumë të mira.—1 Kor. 7:35.
13 Nën frymëzim, Pavli shtoi edhe diçka tjetër: «Këta [që martohen] do të kenë shtrëngim në mish.» Perëndia e frymëzoi të përfshinte këtë të vërtetë të thellë: «Nëse dikush qëndron i vendosur në zemër të vet . . . të ruajë virgjërinë, do të bëjë mirë. Prandaj, kush e humb virgjërinë, duke u martuar, bën mirë, por kush nuk e humb, duke mos u martuar, do të bëjë edhe më mirë.» (1 Kor. 7:28, 37, 38) Jeremia nuk i lexoi kurrë këto fjalë, por jeta e tij gjatë dekadave vërteton se beqaria nuk të pengon të kesh një jetë të kënaqshme në shërbim të Perëndisë. Madje, mund të të ndihmojë shumë të kesh një jetë domethënëse, të përqendruar tek adhurimi i vërtetë. Edhe pse i martuar, mbreti Zedekia nuk e dëgjoi këshillën e Jeremisë, e kështu ‘të jetonte’, kurse profeti i pamartuar ndoqi një rrugë që i dha mundësinë të mbijetonte.
Ç’mund të mësosh nga shembulli i Jeremisë, i cili qëndroi beqar për shumë dekada?
INKURAJO DHE MERR INKURAJIM
14. Çfarë thekson lidhja mes Pavlit dhe familjes së Akuilës?
14 Siç e pamë, shumica e burrave dhe grave në kohën e Jeremisë martoheshin dhe kishin familje. Njësoj ishte edhe në kohën e Pavlit. Pa dyshim, shumë të krishterë me familje nuk shërbenin dot jashtë vendit të tyre si Pavli, por kishin shumë për të bërë aty ku ishin. Kjo përfshinte të ishin një bekim për vëllezërit e motrat e pamartuar. Kujto që kur Pavli shkoi në Korint, Akuila dhe Prishila e mikpritën në shtëpi dhe punuan së bashku në zanatin e tyre. Por nuk mbaroi këtu. Miqësia që i ofroi Pavlit ajo familje, me siguri ka qenë inkurajuese. Mendo për drekat e darkat e këndshme që kalonin bashkë dhe për rastet e tjera të shoqërisë së përzemërt. A gëzonte një shoqëri të ngjashme edhe Jeremia? Ai po e përdorte beqarinë në shërbim të Perëndisë, por s’duhet ta mendojmë si njeri vetmitar. Me siguri do të ketë gëzuar shoqërinë e përzemërt të familjeve të shërbëtorëve të devotshëm të Perëndisë, ndoshta të Barukut, Ebed-Melekut ose të të tjerëve.—Rom. 16:3; lexo Veprat 18:1-3.
15. Ç’ndihmë mund t’u japin familjet e krishtere të pamartuarve në kongregacion?
15 Edhe sot, të krishterët beqarë gëzojnë atë lloj shoqërie të përzemërt që i ofroi Pavlit familja e Akuilës. Nëse ke familje, a sigurohesh që të përfshish në shoqëri të pamartuarit? Një motër e shprehu kështu ç’kishte në zemër: «E kam braktisur botën dhe s’kam dëshirë të kthehem në të. Por, gjithsesi kam nevojë të më duan e të kujdesen për mua. Lutem që Jehovai të sigurojë më tej ushqim frymor e inkurajim për ne të krishterët beqarë. Kemi nevojë të na mbështetin, jo të na anashkalojnë, dhe jo të gjithë mezi presim të martohemi. Por, në njëfarë mënyre, duket sikur jemi vetëm. Vërtet që gjithnjë mund t’i drejtohemi Jehovait, por, kur kemi nevojë të shoqërohemi me të tjerë, a mund të flasim me familjen tonë frymore?» Mijëra vëllezër e motra beqarë përgjigjen me plot gojën po. Ata e kanë një shoqëri të tillë në kongregacion. Rrethi i tyre i miqve nuk përbëhet vetëm nga vëllezër e motra të të njëjtës moshë. U pëlqen të kenë njerëz përreth, prandaj kanë miqësi me mosha të ndryshme, duke përfshirë të moshuarit ose të rinjtë në familjet e krishtere.
16. Ç’gjëra të thjeshta mund të bësh për të inkurajuar të krishterët e pamartuar në kongregacionin tënd?
16 Me pak planifikim, mund të jesh burim inkurajimi për beqarët duke i përfshirë nganjëherë në aktivitetet e familjes sate, siç është mbrëmja e Adhurimit Familjar. Kur fton një vëlla a motër të pamartuar të hajë diçka me ty dhe familjen tënde, për të kjo mund të nënkuptojë shumë më tepër se një pjatë me ushqim të mirë. A mund të marrësh iniciativën dhe të lësh takim që të dilni në shërbim bashkë? Ose, a mund të ftosh një të krishterë beqar që të punojë me familjen tënde në një projekt të mirëmbajtjes së Sallës së Mbretërisë ose që të dilni për pazar ndonjëherë? Gjithashtu, disa familje kanë ftuar një vejan, vejushë ose një pionier beqar që të udhëtojnë bashkë për në kongres ose për pushime. Kjo shoqëri i ka inkurajuar të dyja palët.
17-19. (a) Pse fëmijët kanë nevojë për ekuilibër të përzemërt ndërsa shqyrtojnë kush do të kujdeset për prindërit e moshuar a të sëmurë? (b) Ç’mësim praktik mund të nxjerrim nga ajo që bëri Jezui për t’u kujdesur për nënën e tij?
17 Një fushë tjetër që duhet shqyrtuar lidhur me vëllezërit e motrat e pamartuar, ka të bëjë me kujdesin për prindërit e moshuar. Në kohën e Jezuit, me dinakëri disa judenj të shquar e anashkalonin detyrimin për t’u kujdesur për prindërit. Ata pohonin se plotësimi i detyrimeve fetare që i kishin vënë vetes, ishte më me rëndësi se detyrimet biblike ndaj prindërve. (Mar. 7:9-13) Në familjet e krishtere nuk duhet të jetë kështu.—1 Tim. 5:3-8.
18 Po kur prindërit e moshuar kanë disa fëmijë të krishterë? Nëse njëri nga fëmijët është i pamartuar, a e ka se s’bën ai përgjegjësinë të kujdeset për ta? Një motër shkruan nga Japonia: «Do të doja të martohesha, por kam përgjegjësinë të kujdesem për prindërit, prandaj s’mund të martohem. Jam e sigurt se Jehovai e kupton sa stresuese është të kujdesesh për prindërit dhe ç’dhembje ndiejnë në zemër beqarët.» Mos ndoshta ajo ka vëllezër e motra të martuar që, pa u konsultuar me të, kanë vendosur të kujdeset ajo për prindërit? Në raste të tilla, vlen të përmendet se edhe Jeremia kishte vëllezër që nuk u sollën drejt me të.—Lexo Jereminë 12:6.
19 Jehovai i kupton beqarët dhe i vjen keq për ata që po kalojnë rrethana sprovuese. (Psal. 103:11-14) Megjithatë, prindërit e moshuar ose të sëmurë janë prindërit e të gjithë fëmijëve të tyre, jo vetëm të të pamartuarve. Natyrisht, disa nga fëmijët mund të jenë të martuar e të kenë edhe vetë fëmijë. Por kjo nuk i shkëput lidhjet e përzemërsisë së natyrshme ndaj prindërve dhe as i përjashton nga detyrimi i krishterë që të ndihmojnë kur ka nevojë. Nuk harrojmë se edhe kur ishte në shtyllë e po i afrohej vdekja, Jezui e ndjeu detyrimin e tij dhe bëri diçka për t’u kujdesur për të ëmën. (Gjoni 19:25-27) Bibla nuk jep rregulla të hollësishme se si duhet ndarë kujdesi për prindërit e moshuar a të sëmurë dhe as sugjeron se fëmijët e pamartuar automatikisht janë më përgjegjës për t’u kujdesur për ta. Në këtë fushë delikate, hollësitë duhen vendosur me arsyetueshmëri dhe konsideratë reciproke nga të gjithë ata që janë përfshirë, duke mbajtur në mend shembullin që la Jezui kur u kujdes për nënën e tij.
20. Ç’mendon për shoqërinë me të pamartuarit në kongregacionin tënd?
20 Nën frymëzim, Jeremia paratha se shërbëtorët e Jehovait do të gjenin shoqëri mes njëri-tjetrit dhe se mes tyre do të kishte një lidhje vëllazërore. (Jer. 31:34) Në parim, tashmë po e gëzojmë këtë shoqëri të jashtëzakonshme në kongregacionin e krishterë, duke përfshirë edhe shoqërinë me vëllezërit e motrat beqarë. Pa dyshim, të gjithë duam të gjejmë inkurajim reciprok dhe të shohim me sytë tanë që këta të pamartuar ‘të jetojnë’.
Ç’hapa të mëtejshëm mund të bësh që të inkurajosh disa vëllezër a motra të pamartuar e të marrësh inkurajim?
a Në Shkrimet Hebraike nuk ka fjalë për «beqar».
b Isaia iu drejtua në mënyrë profetike eunukëve të mirëfilltë të kohës së tij, që normalisht kishin pjesëmarrje të kufizuar në adhurimin e izraelitëve. Ai paratha se, po të bindeshin, do të fitonin «diçka më të mirë se bijtë dhe bijat», «një emër të përjetshëm» në shtëpinë e Perëndisë.—Isa. 56:4, 5.
c Të tjerë mund të jetojnë vetëm, sepse bashkëshorti, që ndoshta nuk është besimtar, është ndarë ose divorcuar ligjërisht.