BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • lc f. 11-17
  • Kush e projektoi i pari?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Kush e projektoi i pari?
  • A u krijua jeta?
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Mësojnë nga pendët e notimit të balenës
  • Imitojnë krahët e pulëbardhës
  • Kopjojnë këmbën e pulëbardhës
  • Kujt i takon merita?
  • Një përfundim logjik
  • Çfarë na mëson natyra?
    Zgjohuni!—2006
  • Këmba e pulëbardhës
    Zgjohuni!—2008
  • Fija e merimangës
    Zgjohuni!—2008
  • Penda notuese e balenës me gungë
    Zgjohuni!—2013
Shih më tepër
A u krijua jeta?
lc f. 11-17
Pulëbardha dhe një balenë

Kush e projektoi i pari?

Vitet e fundit, shkencëtarët dhe inxhinierët kanë lejuar në kuptimin e plotë të fjalës që bimët dhe kafshët t’i mësojnë. (Jobi 12:​7, 8) Ata po studiojnë dhe po imitojnë veçoritë e krijesave të ndryshme, me qëllim që të krijojnë gjëra të reja e të përmirësojnë funksionimin e atyre ekzistuese. Kjo fushë njihet si biomimetikë. Teksa shqyrton shembujt e mëposhtëm, pyet veten: «Kujt i takon në të vërtetë merita për këto projekte?»

Mësojnë nga pendët e notimit të balenës

Pendët e balenës me gungë

Çfarë mund të mësojnë nga balena me gungë projektuesit e avionëve? Me sa duket, shumë. Një balenë e rritur peshon rreth 30 tonë, sa një kamion i ngarkuar, dhe ka një trup disi të ngrirë, me pendë notimi të mëdha që ngjajnë si krahë. Kjo kafshë 12 metra e gjatë është tejet e zhdërvjellët nën ujë.

Ajo që i bënte veçanërisht kureshtarë studiuesit ishte se si ka mundësi që kjo krijesë me një trup si bllok arrin të bëjë kthesa jashtëzakonisht të vështira me një zhdërvjelltësi kaq të madhe. Zbuluan se i gjithë sekreti ishte te forma e pendëve të notimit. Pjesa e përparme e pendëve nuk është e lëmuar, si krahët e avionit, por e dhëmbëzuar, me një varg gungëzash.

Kur balena rrëshqet në ujë, këto gungëza rritin forcën ngritëse dhe zvogëlojnë rezistencën e ujit. Në ç’mënyrë? Revista Natural History shpjegon se gungëzat bëjnë që uji të kalojë më shpejt mbi pendë me një lëvizje të rregullt rrotulluese, edhe kur balena ngrihet gati vertikalisht.10

Kujt i takon e drejta e patentës së natyrës?

Për çfarë mund të hyjë në punë ky zbulim? Nga sa duket, krahët e avionëve të ndërtuar sipas këtij projekti, do të kishin nevojë për më pak nënkrahë të lëvizshëm ose pajisje të tjera për të ndryshuar drejtimin e rrymës së ajrit. Këta krahë do të ishin më të sigurt e më të lehtë për t’u mirëmbajtur. Specialisti i biomekanikës Xhon Long mendon se së shpejti «ka shumë të ngjarë që çdo avion që do të na shohin sytë, do të ketë gunga si ato të pendëve të balenës me gungë».11

Imitojnë krahët e pulëbardhës

Sigurisht, krahët e avionit tashmë janë bërë në imitim të krahëve të zogjve. Megjithatë, kohët e fundit inxhinierët e kanë kopjuar edhe më mirë projektin e krahëve të zogjve. «Studiuesit në Universitetin e Floridës kanë ndërtuar një prototip avioni me telekomandë, i cili ka aftësinë e pulëbardhës për të qëndruar pezull, për t’u zhytur e për t’u ngjitur me shpejtësi»,​—thotë revista New Scientist.12

Një avion i vogël me krahë si të pulëbardhës

Pulëbardhat kryejnë akrobaci ajrore të jashtëzakonshme duke i thyer krahët te bërrylat dhe shpatullat. Revista thotë se duke kopjuar projektin e këtij krahu të përthyeshëm, «avioni prototip 24 inç [rreth 60 centimetra] përdor një motor të vogël për të kontrolluar një varg shufrash metalike që lëvizin krahët». Këta krahë të projektuar me mjeshtëri bëjnë të mundur që avioni i vogël të qëndrojë pezull e të futet midis ndërtesave të larta. Disa oficerë ushtarakë mezi presin të ndërtojnë një avion kaq të manovrueshëm që ta përdorin për zbulimin e armëve biologjike ose kimike në qytetet e mëdha.

Kopjojnë këmbën e pulëbardhës

Pulëbardha nuk ngrin nga të ftohtët edhe kur qëndron mbi akull. Si e ruan nxehtësinë e trupit kjo krijesë? Pjesërisht sekreti qëndron te një veçori mahnitëse projektimi e disa kafshëve që banojnë në rajonet e ftohta. Bëhet fjalë për shkëmbyesit e nxehtësisë me kahe të kundërta.

Shkëmbyesi i nxehtësisë me kahe të kundërta te këmbët e një pulëbardhe i lejon asaj të qëndrojë mbi akull

Nxehtësia shkëmbehet, mbetet në trup. Të ftohtët mbetet te këmbët

Çfarë është një shkëmbyes nxehtësie me kahe të kundërta? Për ta kuptuar, përfytyro dy tuba uji të lidhur fort me njëri-tjetrin. Në njërin tub rrjedh ujë i ngrohtë, kurse në tjetrin, ujë i ftohtë. Nëse uji i ngrohtë dhe ai i ftohtë rrjedhin në të njëjtin drejtim, rreth gjysma e nxehtësisë përcillet tek uji i ftohtë. Por, nëse uji i ngrohtë dhe ai i ftohtë rrjedhin në kahe të kundërta, gati e gjithë nxehtësia do të përcillet nga uji i ngrohtë tek ai i ftohtë.

Kur pulëbardha qëndron mbi akull, shkëmbyesit e nxehtësisë në këmbët e saj e ngrohin gjakun ndërkohë që kthehet nga këmbët e ftohta. Shkëmbyesit e nxehtësisë e ruajnë nxehtësinë e trupit të zogut dhe pengojnë largimin e saj nëpërmjet këmbëve. Artur P. Frasi, inxhinier mekanik dhe aeronautik, e përshkroi këtë projekt si «një nga shkëmbyesit rigjenerues të nxehtësisë më të efektshëm në botë».13 Kaq mjeshtëror është ky projekt, sa inxhinierët njerëzorë e kanë kopjuar.

Kujt i takon merita?

Një peshk kuti dhe një makinë prototip

Një makinë prototip imiton projektin e peshkut-kuti, që ka stabilitet dhe një fërkim çuditërisht të vogël kur noton

Ndërkohë, Enti Kombëtar Aeronautik dhe Hapësinor (NASA) po krijon një robot shumëkëmbësh që ecën si akrep, kurse inxhinierët në Finlandë tashmë kanë ndërtuar një traktor gjashtëkëmbësh që mund të ngjitë pengesa, sikur të ishte një insekt gjigant. Kërkues të tjerë kanë projektuar pëlhura me pala që hapen e mbyllen si boçet e pishës. Këto pëlhura përshtaten me temperaturën e trupit të atij që i vesh. Një shoqëri makinash po ndërton një automjet duke kopjuar projektin e peshkut-kuti, që ka një fërkim çuditërisht të vogël kur noton. Kërkues të tjerë po mundohen të kuptojnë aftësitë amortizuese të guaskës së aliotidit, një lloj molusku, me synimin që të bëjnë jelekë antiplumb më të fortë e më të lehtë.

Delfinë

Radari i delfinëve ua kalon shumë herë atyre që ka bërë njeriu

Nga natyra janë marrë kaq shumë ide të mira, saqë studiuesit kanë krijuar një bazë kompjuterike të dhënash ku tashmë renditen me mijëra projekte gjeniale të natyrës. Revista The Economist thotë se shkencëtarët mund të hulumtojnë në këtë bazë kompjuterike për të gjetur «zgjidhje natyrore për problemet që hasin me projektet». Projektet natyrore që përmban kjo bazë të dhënash njihen si patenta biologjike. Normalisht, ai që ka të drejtën e patentës është personi ose shoqëria që regjistron ligjërisht një ide ose një shpikje të re. Duke diskutuar për këtë bazë të dhënash të patentave biologjike, The Economist thotë: «Duke i quajtur projektet biomimetike ‘patenta biologjike’, studiuesit thjesht po nxjerrin në pah se në të vërtetë mbajtësja e së drejtës së patentës është natyra.»14

Një guaskë aliotidi

Shkencëtarët po studiojnë aftësitë amortizuese të guaskës së aliotidit

Nga i lindën natyrës gjithë këto ide të shkëlqyera? Për këto projekte gjeniale që shihen në natyrë, shumë studiues ia japin meritën miliona viteve eksperimentale të evolucionit. Megjithatë, studiues të tjerë arrijnë në një përfundim tjetër. Në gazetën The New York Times të 7 shkurtit 2005, mikrobiologu Majkëll Bihi shkroi: «Projekti që duket qartë [në natyrë] na jep një argument të thjeshtë që të çarmatos.» Sipas tij, kur provat që vërtetojnë një fakt janë të bollshme e flasin qartë, dhe nuk ka prova bindëse që vërtetojnë të kundërtën, atëherë nuk ka nevojë për prova të tjera. Në ç’përfundim arriti ai? «Projekti nuk duhet shpërfillur vetëm sepse duket kaq qartë.»15

Këmba e një gekoje

Gekoja mund të ngjitet edhe në sipërfaqet më të lëmuara, duke përdorur forcat molekulare

Sigurisht, inxhinierit që projekton një avion më të sigurt e më cilësor, i takon merita për projektin e tij. Po kështu, shpikësit që krijon një material më të rehatshëm për rroba ose një automjet më cilësor, i takon merita për projektin. Një prodhues që kopjon projektin e tjetërkujt, por nuk ia njeh ose nuk ia jep meritën projektuesit, mund të quhet kriminel.

Tani, mendo për këto fakte: studiues shumë të përgatitur përpiqen të imitojnë deri diku projektet në natyrë, për të zgjidhur probleme inxhinierike të vështira. E megjithatë, disa ia japin meritën për gjenialitetin e idesë origjinale një evolucioni pa inteligjencë. A të duket e arsyeshme kjo? Nëse për të bërë një imitim, kërkohet një projektues inteligjent, po për origjinalin? Vërtet, kush ka më shumë meritë, inxhinieri që është mjeshtër apo nxënësi që imiton projektet e tij?

Një përfundim logjik

Pasi shqyrtojnë me kujdes provat që flasin për një projekt në natyrë, shumë njerëz bashkohen me ndjenjat e Pavlit, një shkrimtari të Biblës, që tha: «Cilësitë e tij [Perëndisë] të padukshme, madje edhe fuqia e tij e përjetshme dhe Hyjnia e tij, shihen qartë që nga krijimi i botës, pasi dallohen nga gjërat e bëra.»​—Romakëve 1:​19, 20.

Si do të përgjigjeshe?

  • A të duket logjike të besosh se projektet gjeniale inxhinierike që janë të dukshme në natyrë, erdhën rastësisht?

  • Ç’mendon për pohimin se jeta vetëm sa duket se është e projektuar?

Merimanga endëse

A është projektuar?

Nëse për një imitim kërkohet një projektues, po për origjinalin?

Fibrat

  • Masurë me Kevlar

    Produkti i njeriut: Kevlari është një fije e fortë, e prodhuar nga njeriu, që përdoret për artikuj të tillë si veshjet antiplumb. Për ta prodhuar, duhet temperaturë e lartë dhe tretës të rrezikshëm.

  • Produkti natyror: Merimanga endëse prodhon shtatë lloje fijesh. Më e forta prej tyre është fija që përdorin si litar zbritës, e cila është më e lehtë se pambuku, por më e fortë se çeliku dhe kevlari me të njëjtën peshë. Nëse do të kishte përmasat e një fushe futbolli, një rrjetë e endur me këtë fije, e trashë 1 centimetër dhe me fijet 4 centimetra larg njëra-tjetrës, mund të ndalte një avion shumë të madh në fluturim. Merimangat e prodhojnë këtë fije në temperaturë dhome, duke përdorur si tretës ujin.

Orientimi

  • Një aeroplan

    Produkti i njeriut: Disa avionë pasagjerësh kanë sisteme autopilotimi të kompjuterizuara që jo vetëm mund ta drejtojnë avionin nga njëri vend në tjetrin, por edhe ta ulin. Kompjuteri i përdorur në një sistem autopilotimi eksperimental, ka pothuajse përmasat e një karte krediti.

  • Produkti natyror: Flutura monarke ka një tru që është gati sa pika në fund të kësaj fjalie. Megjithatë, ajo shtegton 3.000 kilometra nga Kanadaja te një pyll i vogël në Meksikë. Kjo flutur orientohet sipas diellit dhe ka aftësinë të ndjekë lëvizjet e tij.

Thjerrat

  • Një sy i përbërë artificial mbi kokën e një gjilpëre

    Produkti i njeriut: Inxhinierët kanë arritur të krijojnë një sy të përbërë artificial me 8.500 thjerra, që është sa një kokë gjilpëre. Këto thjerra mund të përdoren për të krijuar dedektorë që kapin lëvizje me shpejtësi të madhe dhe kamera tejet të holla që vrojtojnë në shumë drejtime.

  • Produkti natyror: Syri i pilivesës përbëhet nga rreth 30.000 thjerra. Pamjet e përftuara nga çdo thjerrë bashkohen si një mozaik dhe krijojnë pamjen e plotë. Sytë e përbërë të pilivesës i diktojnë lëvizjet në mënyrë të shkëlqyer.

    Një pilivesë
    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo