PYETJA 10
Si mund të më ndihmojë Bibla?
ÇFARË DO TË BËJE TI?
Imagjino këtë situatë: Danieli po i jep makinës në një zonë ku gjithçka i duket e panjohur. Tabelat dhe shenjat rrugore tregojnë se nuk është atje ku duhej të ishte. E kupton se ka humbur rrugën. Duhet të ketë marrë ndonjë kthesë të gabuar.
Po të ishe Danieli, çfarë do të bëje?
NDALU E MENDO
Ke disa mundësi:
të kërkosh ndihmë,
të shohësh hartën ose të përdorësh një GPS,
të vazhdosh të ecësh me shpresën se herët a vonë do ta gjesh rrugën.
Qartë, mundësia C ka më pak gjasa të të ndihmojë.
Mundësia B është më e kollajshme se e para. Në fund të fundit, hartën ose GPS-në e ke me vete gjatë gjithë udhëtimit për të të drejtuar.
Po njësoj mund të të ndihmojë edhe Bibla.
Ky libër, që është më i përhapuri, mund të të . . .
drejtojë kur ke probleme
ndihmojë të njohësh veten dhe të bëhesh njeri më i mirë
tregojë si të kesh një jetë fantastike
PËRGJIGJE PËR PYETJET E RËNDËSISHME TË JETËS
Sapo mësojmë të flasim, bëjmë pyetje.
Pse është i kaltër qielli?
Pse ndriçojnë yjet?
Më vonë fillojmë të bëjmë pyetje për botën përreth nesh.
Pse ndodhin gjëra të këqija?
Pse vdesim?
Po sikur përgjigjet të kenë qenë gjithmonë në Bibël?
Shumë thonë se Bibla është e mbushur me mite e përralla, se është e dalë mode ose se është tepër e vështirë për t’u kuptuar. Por a është vërtet Bibla problemi apo ajo që njerëzit kanë dëgjuar për të? Mos vallë janë keqinformuar?
Për shembull, sipas njerëzve, Bibla thotë se botën e kontrollon Zoti. Por, si ka mundësi? Bota ka dalë jashtë kontrollit. Është e mbushur me dhembje e vuajtje, sëmundje e vdekje, varfëri e katastrofa. Si është e mundur që një Perëndi i dashur të jetë përgjegjës për të gjitha këto?
A do të doje ta dije përgjigjen? Mund të habitesh kur të mësosh nga Bibla se kush e kontrollon botën.
Ndoshta e ke vënë re se këshillat që gjenden në këtë broshurë bazohen në Bibël. Dëshmitarët e Jehovait janë të bindur se Bibla është burim i besueshëm këshillash. Ajo është e besueshme, sepse është ‘e frymëzuar nga Perëndia dhe e dobishme për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr’. (2 Timoteut 3:16, 17) Ti meriton ta studiosh këtë libër të lashtë e njëkohësisht modern.