MËSIMI 10
Kujtoni gruan e Lotit!
Loti jetonte në Kanan me xhaxhanë e vet, Abrahamin. Me kalimin e kohës, Abrahami dhe Loti u bënë me kaq shumë bagëti, saqë nuk kishte vend mjaftueshëm për to. Abrahami i tha Lotit: ‘S’jetojmë dot të gjithë në të njëjtin vend. Të lutem, zgjidh ku dëshiron të shkosh e unë do të shkoj në krahun tjetër.’ Abrahami nuk u tregua egoist, apo jo?
Loti pa një vend të bukur, pranë një qyteti që quhej Sodomë. Atje kishte ujë me bollëk dhe bar të gjelbër. Kështu që zgjodhi atë vend dhe u vendos atje bashkë me familjen. Në fund e ndërtuan shtëpinë brenda në Sodomë.
Njerëzit e Sodomës dhe ata të qytetit pranë, Gomorrës, ishin shumë të këqij. Aq të këqij, sa Jehovai vendosi t’i shkatërronte. Ndërsa Lotin dhe familjen e tij, donte t’i shpëtonte, prandaj dërgoi dy engjëj që t’i paralajmëronin: ‘Shpejt! Dilni nga ky qytet! Jehovai do ta shkatërrojë.’
Loti nuk iku menjëherë. Ai po ngurronte. Prandaj, engjëjt e kapën për dore atë, gruan dhe dy vajzat e tij dhe i nxorën jashtë qytetit. U thanë: ‘Vrap! Mbathjani për të shpëtuar jetën tuaj dhe mos shikoni prapa. Nëse shikoni prapa, do të vdisni!’
Kur arritën në qytetin e quajtur Zoar, Jehovai bëri që nga qielli të binte zjarr dhe squfur mbi Sodomën dhe Gomorrën. Ato dy qytete u shkatërruan fare. Gruaja e Lotit u kthye në shtyllë kripe në momentin kur nuk iu bind Jehovait, duke parë mbrapa. Kurse Loti dhe vajzat e tij shpëtuan, sepse iu bindën Jehovait. Kushedi sa duhet të jenë mërzitur ata të tre, që ajo nuk u bind! Ama, ishin të kënaqur që ata vetë kishin dëgjuar udhëzimet e Jehovait.
«Kujtoni gruan e Lotit!»—Luka 17:32