AMAZIAHU
[Jehovai është i fortë].
1. Levit nga familja e Merarit; bir i Hilkiahut dhe i ati i Hashabiahut. Një nga pasardhësit e tij dirigjonte kur këndohej para tabernakullit në kohën e Davidit.—1Kr 6:31, 32, 45.
2. Mbret i Judës. Hipi në fron në vitin 858 p.e.s. në moshën 25-vjeçare dhe mbretëroi për 29 vjet që nga vrasja e të atit, Jehoasit. E ëma quhej Jehoadina (Jehoadana), kurse e shoqja Jekolia. (2Mb 14:1, 2; 15:2; 2Kr 25:1; 26:3) Me të forcuar mbretërinë, ai ekzekutoi vrasësit e të atit, por, sipas Ligjit të Moisiut, nuk i ndëshkoi bijtë e tyre. (2Mb 14:5, 6; Lp 24:16) Mbretërimi i tij u karakterizua nga njëfarë zelli për adhurimin e vërtetë, megjithëse jo «me gjithë zemër» dhe jo pa mangësi serioze që i sollën rrënimin atij vetë dhe gjithë kombit të Judës. Tregimi që flet për mbretërimin e tij merret kryesisht me dy fushata ushtarake.—2Kr 25:2.
Fillimisht Amaziahu korri fitoren kundër Edomit ose Seirit me një ushtri me 300.000 burra nga Juda dhe Beniamini. Gjithashtu, mblodhi 100.000 mercenarë nga Izraeli, por sipas këshillës së njeriut të Perëndisë i pagoi dhe i ktheu mbrapsht. Jehovai i dha Amaziahut një fitore të bujshme në Luginën e Kripës, ku vrau 20.000 luftëtarë nga radhët armike dhe pushtoi Selën, që e quajti Jokthel. Megjithatë, Amaziahu mori me vete perënditë e Seirit dhe filloi t’i adhuronte, duke bërë që Jehovai të shpërthente tërë zemërim kundër tij: «Pse ke kërkuar perënditë e këtij populli, perëndi që nuk çliruan dot popullin e tyre nga dora jote?» Amaziahu e rëndoi edhe më shumë fajin e vet duke e detyruar profetin e Jehovait të mbyllte gojën.—2Mb 14:7; 2Kr 25:5-16.
Fushata e dytë e Amaziahut pati pasoja tragjike që nga fillimi. Pas kthimit drejt veriut, 100.000 izraelitët që kishte përzënë, mësynë qytetet e Judës. Mbase kjo gjë e shtyu Amaziahun që si i marrë të sfidonte Jehoasin, mbretin e mbretërisë së fuqishme veriore, duke thënë: «Eja! Le të ndeshemi ballë për ballë.» Jehoasi iu përgjigj se ishte marrëzi që një gjembaç të matej me një cedër të madh të Libanit, thjesht për t’u shkelur nga një bishë. Amaziahu nuk deshi të dëgjonte. Me sa duket i ishte rritur mendja nga fitorja e fundit dhe Jehovai kishte vendosur që Amaziahu të mundej për shkak të idhujtarisë së tij. Beteja u ndez në Beth-Shemesh. Juda ia mbathi, Amaziahu u kap i gjallë, në murin e Jerusalemit u hap një e çarë rreth 178 m dhe një pjesë e mirë e thesarit të tempullit u çua në Samari bashkë me shumë pengje.—2Mb 14:8-14; 2Kr 25:13, 17-24.
Që nga koha që Amaziahu u largua nga adhurimi i Jehovait, kundër tij u thur një komplot që përfundimisht e detyroi t’ia mbathte në Lakish, ku komplotuesit e vranë. Në fron e pasoi Azariahu (Uziahu), biri i tij 16-vjeçar.—2Mb 14:17-21; 2Kr 25:25-28.
3. Prift i kultit të viçit në Bethel, që akuzoi profetin Amos për kryengritje para Jeroboamit II. Ai provoi ta trembte Amosin që të kthehej në Judë. Megjithatë, profeti nuk u lëkund, por i tha Amaziahut se gruaja e tij do të bëhej prostitutë, fëmijët e tij do të vriteshin me shpatë dhe vetë Amaziahu do të vdiste në tokë të papastër.—Am 7:10-17.
4. I ati i Joshahut; nga fisi i Simeonit. Joshahu ishte një nga prijësit që në kohën e Hezekisë spastruan luginën afër Gedorit nga meunimët dhe kamitët.—1Kr 4:24, 34, 38-41.