PAZARI APIA
Një pazar 74 km në juglindje të Romës. Ishte një vendndalim shumë i njohur në rrugën e famshme romake Via Appia, e cila shkonte nga Roma në Brundusium (tani Brindizi) duke kaluar nga Kapua. Si rruga, edhe pazari e morën emrin nga themeluesi i tyre, Api Klaud Kaeku, shekulli i 4-t dhe i 3-të p.e.s.
Ky vendqëndrim, që ishte pika e zakonshme ku udhëtarët ndaleshin në fund të ditës së parë të udhëtimit nga Roma, u bë një qendër tregtare plot gjallëri. Ajo që ia shtonte rëndësinë ishte vendndodhja në skajin verior të një kanali i cili shtrihej përgjatë rrugës dhe përshkonte Kënetat Pontine. Me sa duket, natën nëpër këtë kanal transportoheshin udhëtarë me lundra që tërhiqeshin nga mushka. Poeti romak Horaci përshkruan parehatitë e udhëtimit, duke u ankuar për bretkosat e harrjet dhe duke e përshkruar Pazarin Apia si të stërmbushur me «lundërtarë dhe hanxhinj koprracë».—Satirat, I, V, 1-6.
Pikërisht në këtë udhëkryq plot aktivitet, apostulli Pavël, i cili po udhëtonte si i burgosur nga Puteoli në Romë, takoi për herë të parë delegacionin me vëllezër të krishterë që, sapo dëgjuan për ardhjen e tij, u nisën për udhë nga Roma që ta takonin. Një pjesë e këtij delegacioni priti te Tri Tavernat (15 km më afër Romës), kurse pjesa tjetër shkoi deri te Pazari Apia.—Ve 28:15.
Sot, në Rrugën Apia ekziston ende një vend që njihet si Foro Appio ose Forumi i Apias. Një tabelë tregon zonën ku dikur ndodhej Pazari Apia. Në anën tjetër të Rrugës Apia gjendet një fshat i vogël që quhet Faiti.
[Harta]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin e shtypur)
ITALI
Romë
Tri Tavernat
Pazari Apia
Rruga Apia
Puteoli
Brundusium