ARADI
1. Një nga krerët e fisit të Beniaminit që dikur kishte banuar në Jerusalem.—1Kr 8:15, 28.
2. Qytet në kufirin jugor të Kanaanit, mbreti i të cilit sulmoi izraelitët kur po i afroheshin Kanaanit. Izraelitët e shkatërruan plotësisht krahinën dhe e quajtën «Hormah», që do të thotë «i caktuar për t’u shfarosur». (Nu 21:1-3; 33:40) Por, nuk u vendosën atje, dhe me sa duket disa nga banorët e vendit i shpëtuan shkatërrimit. Prandaj mbreti i Aradit është përfshirë në listën e 31 mbretërve që Josiu mposhti më vonë gjatë fushatës së tij të rrufeshme. (Js 12:14) Më pas në shkretëtirën në jug të Aradit u vendosën kenitët.—Gjy 1:16.
Në përgjithësi Aradi izraelit mendohet se është Tel-ʽAradi, një nga kodrinat më madhështore në rajonin e Negebit. Shtrihet në një rrafshinë disi të valëzuar, nja 28 km në lindje të Beer-Shebës. Nga gërmimet e bëra në Tel-ʽArad janë zbuluar afërsisht 200 ostraka, ku gati gjysma janë në hebraisht dhe pjesa tjetër në aramaisht. Në një nga këto copa qeramike të shkruara në hebraisht, që mendohet se i përket gjysmës së dytë të shekullit të 7-të p.e.s., lexohet: «Zotërisë tim, Eliashibit. Jahvehu [Jehovai] qoftë me ty e të dhëntë mbarësi! . . . Ai po rri në tempullin e Jahvehut.»—FIGURA, vëll. 1, f. 325 në botimin anglisht.
Meqë në Tel-ʽArad nuk kanë dalë në dritë gjetje kananite të epokave të mëvonshme, J. Aharoni mendon se Aradi kananit ndodhej në Tell-el-Milh (Tel-Malhata), 12 km në jugperëndim të Tel-ʽAradit.
[Figura në botimin e shtypur]
Rrënoja të një fortese në Tel-ʽArad. Një nga ostrakat në hebraisht të gjetura afër saj përmend «shtëpinë e Jehovait»