ARTAKSERKSI
Emër ose titull i përdorur në Bibël për dy mbretër persë.
1. Sundimtari pers që urdhëroi të ndalej ndërtimi i tempullit të Jehovait në Jerusalem. (Ezd 4:7-24) Në periudhën mes mbretërimit të Kirit të Madh, i cili i lejoi judenjtë të ktheheshin në Jerusalem (viti 537 p.e.s.), dhe mbretërimit të Darit të Madh, i cili në vitin 520 p.e.s. hoqi ndalimin për ndërtimin e tempullit, ndoshta sunduan tre mbretër: Kambisi II, vëllai i tij Bardijai (a mbase një prift i quajtur Gaumata, që thuhet se hiqej si Bardijai dhe që sundoi për shtatë muaj) dhe Nidintu-Beli (të cilin e mundi dhe e vrau Dari pas vetëm dy muajsh). Kambisi, me sa duket, është ‘Asueri’ i përmendur tek Ezdra 4:6, të cilit iu paraqit ankesa e parë nga kundërshtarët e ndërtimit të tempullit. Prandaj, nga Ezdra 4:7 e më tej, sundimtari i quajtur ‘Artakserks’ është ose Bardijai, ose Gaumata, që e mbajti pushtetin vetëm shtatë muaj (viti 522 p.e.s.).
Banorët e qyteteve të Samarisë i shkruan këtij mbreti pers një letër kundër judenjve. (Ezd 4:7) Kjo ndodhi ndërsa judenjtë i ishin përveshur punës për ndërtimin e tempullit. (Ezd 4:1-3) Që të arrinin synimin, kundërshtarët e judenjve gënjyen dhe thanë se judenjtë po rindërtonin qytetin e Jerusalemit, bashkë me muret. (Ezd 4:11-16) Si pasojë e atyre akuzave të rreme, «puna në shtëpinë e Perëndisë» u ndal.—Ezd 4:24.
2. Artakserks Dorëgjati, biri i Kserksit I, është mbreti për të cilin flitet tek Ezdra 7:1-28 dhe te Nehemia 2:1-18; 13:6. Ndonëse shumica e veprave të referimit japin si datë të hipjes së tij në fron vitin 465 p.e.s., ka arsye të forta për të besuar se ai nisi të mbretëronte në vitin 475 p.e.s.—Shih PERSIA, PERSËT (Mbretërimi i Kserksit dhe i Artakserksit).
Artakserks Dorëgjati i dha leje edhe priftit Ezdra, edhe Nehemisë që të udhëtonin për në Jerusalem. (Ezd 7:1-7; Ne 2:1, 7, 8) Sipas historianëve të lashtësisë, në përgjithësi ai ishte njeri dashamir dhe bujar. Kjo është në harmoni me atë që bëri vitin e shtatë të mbretërimit (468 p.e.s.), kur i plotësoi Ezdrës «të gjitha kërkesat» me anë të një dekreti që siguronte argjend, ar dhe enë për tempullin, si edhe furnizime me grurë, verë, vaj e kripë. (Ezd 7:6, 12-23; 8:25-27) Ai kontribut bujar mund të shpjegojë pse tek Ezdra 6:14 Artakserksi përmendet bashkë me Kirin dhe Darin si një nga ata që, me anë të urdhrave të tyre, bënë të mundur ‘të ndërtohej dhe të mbaronte’ tempulli, ndonëse ndërtimi në fakt kishte përfunduar 47 vjet më parë, në vitin 515 p.e.s. Madje dekreti i mbretit e autorizonte Ezdrën të caktonte krerë e gjykatës që t’u mësonin njerëzve ligjin e Perëndisë (si edhe ligjin e mbretit) dhe, po të ishte e nevojshme, t’i jepte dënimin kapital kujtdo që i shkelte ato ligje.—Ezd 7:25, 26.
Vitin e 20-të të mbretërimit (455 p.e.s.), Artakserks Dorëgjati i dha leje Nehemisë të kthehej në Jerusalem për të rindërtuar muret dhe portat e qytetit. (Ne 2:1-8) Danieli 9:25 tregon se kjo ngjarje lidhet me kohën e ardhjes së premtuar të Mesisë, prandaj viti i 20-të i mbretërimit të Artakserksit është një datë shumë e rëndësishme.
Te Nehemia 13:6 përmendet se «vitin e tridhjetedytë të mbretërimit të Artakserksit», pra në vitin 443 p.e.s., Nehemia u kthye për njëfarë kohe në oborrin e atij mbreti.