ASENAPARI
Ky emër del në një pjesë të librit të Ezdrës (4:10) të shkruar në aramaisht. Me sa duket, është shkurtim i emrit të mbretit asirian Ashurbanipal, ku germa r zëvendëson në fund germën l, njësoj si në gjuhën persiane, e cila nuk e ka germën l. Asenapari i shpërnguli banorët e Suzës (kryeqytetit të Elamit) në Samari. (Krahaso 2Mb 17:24-28.) Historia tregon se Ashurbanipali ishte mbreti i vetëm asirian që mund të vepronte kështu me banorët e Elamit.
Ashurbanipali ishte i biri i Esar-Hadonit (Ezd 4:2) dhe nipi i Senakeribit. Ai ishte bashkëkohës i Manaseut, mbretit të Judës (716-662 p.e.s.), emri i të cilit gjendet në një prizëm të Ashurbanipalit ku renditen emrat e rreth 20 mbretërve që i paguanin haraç Asirisë. (Krahaso 2Kr 33:10-13.) Gjatë mbretërimit të tij, Asiria arriti majat e saj. Ashurbanipali, i cili me sa duket ishte vendosur si princi trashëgimtar tre a katër vjet më parë, hipi në fronin e Asirisë pas vdekjes së të atit, kurse i vëllai, Shamash-Shum-U-Kini, ishte mbreti i Babilonisë.
Ashurbanipali shtypi një kryengritje në Egjipt dhe pushtoi e rrënoi qytetin e Tebës (No-Amonin; krahaso Na 3:8-10.). Më vonë, ai u përfshi në një konflikt të gjatë me të vëllanë, mbretin e Babilonisë, dhe, pasi e nënshtroi Babiloninë, shkatërroi Suzën, kryeqytetin e Elamit. Pikërisht kjo fitore është prova historike që e lidh atë me Asenaparin e përmendur tek Ezdra 4:9, 10.
Sidoqoftë, Ashurbanipali njihet më shumë për interesin që kishte në fushën e letërsisë, një karakteristikë e pazakontë për monarkët e tmerrshëm asirianë. Që nga viti 1845 i erës sonë, nga gërmimet është zbuluar një bibliotekë e madhe e ngritur nga Ashurbanipali në Ninevi, në të cilën gjenden rreth 22.000 pllaka dhe tekste argjile. Përveç magjive, lutjeve dhe himneve fetare, mes mijëra shkrimeve kuneiforme gjenden edhe vepra historike, gjeografike, astronomike, mjekësore, gramatikore, tabela matematike dhe dokumente tregtare që përfshinin kontrata, shitje dhe hua. Ato konsiderohen si një burim i çmuar informacioni rreth Asirisë.