ASHKELONI
[ndoshta: vend për të peshuar (paguar)].
Port në Mesdhe dhe një nga pesë qytetet kryesore filistine. (Js 13:3) Mendohet se është ʽAskalani (Tel-Ashkeloni), rreth 19 km në veri-verilindje të Gazës. Qyteti ngrihej në një amfiteatër natyror prej shkëmbi, ku pjesa e harkuar ishte me pamje nga Mesdheu. Fushat pjellore prodhojnë mollë, fiq dhe qepë të njoma të quajtura skallion, që duket se e marrin emrin pikërisht nga ky qytet filistin.
Ashkeloni iu caktua fisit të Judës dhe ai e pushtoi, por nuk e mbajti gjatë. (Gjy 1:18, 19) Në kohën e Samsonit dhe të Samuelit ishte qytet filistin. (Gjy 14:19; 1Sa 6:17) Davidi e përmendi në këngën e përvajshme që thuri për vdekjen e Saulit dhe të Jonatanit. (2Sa 1:20) Ashkeloni nuk renditet mes qyteteve filistine që pushtoi mbreti Uziah.—2Kr 26:6.
Në profecinë e Amosit (rr. 804 p.e.s.) ishte parathënë se sundimtari i Ashkelonit do të mundej. (Am 1:8) Historia jobiblike tregon se shekullin pasues, Tiglath-Pileseri III i Asirisë e bëri Askalunën (Ashkelonin) qytet vasal. Jeremia (pas vitit 647 p.e.s.) shpalli dy profeci që përfshinin edhe Ashkelonin. Profecia te Jeremia 47:2-7 mund të jetë plotësuar pjesërisht kur Nabukodonosori plaçkiti qytetin në fillim të mbretërimit të tij (rr. 624 p.e.s.), kurse ajo te Jeremia 25:17-20, 28, 29 është e qartë se u plotësua pas rënies së Jerusalemit në vitin 607 p.e.s. Edhe profecia e Sofonisë (e shkruar para vitit 648 p.e.s.) paratha shkretimin e Ashkelonit dhe të qyteteve të tjera filistine, pas të cilit ata që kishin mbetur nga Juda do të zinin «shtëpitë e Ashkelonit». (So 2:4-7) Në fund, rreth vitit 518 p.e.s., Zakaria shpalli se Ashkeloni do të merrte fund pasi të shihte shkretimin e Tirit (332 p.e.s.).—Za 9:3-5.