ATAROTI
[kurora (d.m.th. vatha rrethore)].
1. Qytet në anën lindore të Jordanit, ndër qytetet që fiset e Gadit dhe të Rubenit kërkuan t’u jepeshin si pronë. Ato vise konsideroheshin goxha të përshtatshme për bagëtitë e atyre fiseve. (Nu 32:1-5) Kohë më vonë, qytetin e rindërtuan gaditët.—Nu 32:34.
Ky vend përmendet edhe në Gurin e Moabit të mbretit Mesha, në rreshtat 10 e 11 të mbishkrimit. Pjesërisht në të thuhet: «E pra, burrat e Gadit kishin banuar ngaherë në territorin e Atarotit, dhe mbreti i Izraelit e kishte ndërtuar Atarotin për ta; por unë luftova kundër qytetit, e mora dhe masakrova tërë popullsinë e tij . . . Mora prej andej Arelin (ose Orielin), prijësin e qytetit . . . dhe shpërngula atje burra nga Sharoni dhe burra nga Mahariti.»—Ancient Near Eastern Texts, nga Xh. B. Priçardi, 1974, f. 320.
Në përgjithësi mendohet se ndodhej në Kirbet-ʽAtarusin e sotëm, në lindje të Detit të Vdekur dhe rreth 13 km në veriperëndim të Dibonit (i përmendur pas Atarotit te Nu 32:3). Rrënojat ndodhen në shpatin perëndimor të një mali me të njëjtin emër, rreth 750 m i lartë. Ndonëse gjendej brenda territorit të Rubenit, duket se fiset e Gadit dhe të Rubenit bënë një këmbim territori me shoqi-shoqin.
2. Qytet ku kalonte kufiri mes territoreve të Efraimit dhe të Beniaminit. (Js 16:2) Me sa duket, është i njëjti qytet i quajtur Atarot-Adar te Josiu 16:5 dhe 18:13. Vargu i fundit tregon se gjendej në kufirin verior të Beniaminit dhe «mbi malin që ndodhet në jug të Beth-Horonit të Poshtëm».
3. Qytet në kufirin verilindor të fisit të Efraimit.—Js 16:7.