BEER-LAHAI-ROI
[pusi i të Gjallit që më sheh].
Kur iku për të shpëtuar nga zemërimi i së zonjës, Agara, shërbyesja egjiptiane e Sarajës, ndoqi «udhën për në Shur», që përshkonte Negebin e zbriste deri në Egjipt. Megjithatë, si arriti pranë një burimi (heb., ʽájin), një engjëll i dha siguri, e udhëzoi të kthehej tek e zonja dhe i tregoi për lindjen e për të ardhmen e Ismaelit (emri i të cilit do të thotë «Perëndia dëgjon [mban vesh]»). Kështu, pusi që ndodhej atje u quajt «Beer-Lahai-Roi», meqë Agara tha për Jehovain: «Ti je një Perëndi që sheh.»—Zn 16:7-14.
Kohë më vonë, Isaku po kthehej nga «rruga që çon në Beer-Lahai-Roi» në Negeb kur i zunë sytë karvanin e deveve që sillte nusen e tij të ardhshme, Rebekën. (Zn 24:62, 63) Pas vdekjes së Abrahamit, Isaku banoi «pranë Beer-Lahai-Roit».—Zn 25:11.
Shkrimet thonë se Beer-Lahai-Roi ishte «mes Kadeshit dhe Beredit». (Zn 16:14) Sipas një tradite beduine, ndodhej në ʽAin-Muvejlih, rreth 19 km në veriperëndim të ʽAin-Kedeisit (vendndodhja e mundshme e Kadesh-Barneas). Gjithsesi, kjo mbetet një hipotezë, pasi vendndodhja e Beredit nuk dihet me siguri.