BETH-HARANI, BETH-HARAMI
Qytet në lindje të Jordanit, në territorin që kërkoi fisi i Gadit ngaqë kishte kullota të mira. E ndërtuan ose e rindërtuan gaditët dhe, ndonëse ndodhej në ultësirë, u bë një nga qytetet e tyre të fortifikuara.—Nu 32:1, 34, 36; Js 13:27.
Me sa duket emri ruhet në atë të Tell-er-Ramehut, pranë Vadi-er-Ramehut (Vadi-Husbanit) në rrafshinat e Moabit, por vendndodhja e hershme e Beth-Haranit (Beth-Haramit) mendohet se është Tell-Iktanu, rreth 13 km në lindje-verilindje të pikës ku Jordani derdhet në Detin e Vdekur. Ky vend ishte afër një burimi termal të njohur, e mbase pjesërisht për këtë arsye mbreti Herod ndërtoi atje një pallat. Në fillim të erës sonë, Tell-er-Ramehu quhej Livia, emër që ia vuri Herod Antipa e që më pas u ndryshua në Julia.