KALDEA, KALDEASIT
Fillimisht rajoni dhe popullsia e pjesës jugore të rrafshinës lymore të Babilonisë, delta pjellore e lumenjve Tigër dhe Eufrat. Ndoshta dikur këta lumenj derdheshin veç e veç në Gjirin Persik dhe qytetet e Eridut dhe Urit ishin porte detare. Por në rrjedhën e viteve, lymi i lumenjve ndoshta e mbushi dalëngadalë gjirin, e kështu bregu u shty më në juglindje dhe Tigri e Eufrati u bashkuan para se të derdheshin në det. Në lashtësi, qyteti më i rëndësishëm i këtij rajoni ishte Uri, vendlindja e Abrahamit, prej nga u nis bashkë me familjen e tij para vitit 1943 p.e.s., me urdhër të Perëndisë. (Zn 11:28, 31; 15:7; Ne 9:7; Ve 7:2-4) Rreth 300 vjet më vonë, Satana Djalli nxiti disa kusarë kaldeas t’i shkaktonin humbje të rënda Jobit besnik.—Jb 1:17.
Me shtrirjen e ndikimit të kaldeasve drejt veriut, mbarë territori i Babilonisë u quajt «vendi i kaldeasve». Në profecitë e tij, Isaia paratha ngritjen në pushtet dhe rënien e mëvonshme të kaldeasve. (Is 13:19; 23:13; 47:1, 5; 48:14, 20) Pushteti i tyre u ndie sidomos në shekujt e shtatë dhe të gjashtë p.e.s., kur në fuqinë e tretë botërore, në Babiloni, sunduan Nabopolasari, një kaldeas, dhe pasuesit e tij: Nabukodonosori II, Evil-Merodaku (Avil-Marduku), Neriglisari, Labashi-Marduku, Nabonidi dhe Belshazari. (2Mb 24:1, 2; 2Kr 36:17; Ezd 5:12; Jr 21:4, 9; 25:12; 32:4; 43:3; 50:1; Ezk 1:3; Ha 1:6) Ajo dinasti mori fund kur «Belshazari, mbreti kaldeas, u vra». (Dn 5:30) Medi Dar u bë «mbret në mbretërinë e kaldeasve».—Dn 9:1; shih BABILONIA nr. 2.
Që në antikitet, kaldeasit ishin të famshëm për njohuritë në matematikë dhe astronomi. Në kohën e Danielit, me termin kaldeas u quajt një kult i veçantë parashikuesish, të cilët e konsideronin veten të zotë në të ashtuquajturën shkencë të fallit.—Dn 2:2, 5, 10; 4:7; 5:7, 11.