KONKUBINA
Në shoqërinë hebraike statusi i konkubinës ishte i ngjashëm me atë të një gruaje dytësore, madje disa herë konsiderohej edhe si bashkëshorte. Duket se konkubinat ishin skllave në moshë të re që i përkitnin njërës prej këtyre kategorive: (1) vajza hebreje të shitura nga i ati (Da 21:7-9); (2) skllave të huaja të blera; (3) robinja lufte (Lp 21:10-14). Disa ishin skllave ose shërbëtore të grave të lira, si në rastin e Sarës, Leas dhe Rakelës.—Zn 16:3, 4; 30:3-13; Gjy 8:31; 9:18.
Konkubinat ekzistonin para se të bëhej besëlidhja e Ligjit dhe, më pas, Ligji e mori parasysh këtë dhe përcaktoi rregulla për të mbrojtur të drejtat e bashkëshorteve e të konkubinave. (Da 21:7-11; Lp 21:14-17) Në shtëpi, konkubinat nuk gëzonin gjithë të drejtat që kishin bashkëshortet e mirëfillta, dhe burri mund të kishte shumë gra e konkubina. (1Mb 11:3; 2Kr 11:21) Disa herë, kur bashkëshortja ishte shterpë, mund t’i jepte burrit shërbyesen e saj si konkubinë dhe kështu fëmija që lindte konkubina konsiderohej si fëmijë i gruas së lirë, pra, i zonjës së saj. (Zn 16:2; 30:3) Djemtë e konkubinave ishin të ligjshëm dhe kishin të drejtën e trashëgimisë.—Zn 49:16-21; krahaso Zn 30:3-12.
Sipas zakonit të popujve të Lindjes, gratë dhe konkubinat e një mbreti mund t’i trashëgonte vetëm pasuesi i tij i ligjshëm në fron. Për këtë arsye, duke treguar mungesë të thellë respekti për Davidin, Absalomi u orvat t’i shtonte përpjekjet e tij për të marrë mbretërinë duke pasur marrëdhënie me dhjetë konkubinat e të atit, Davidit. (2Sa 16:21, 22) Pasi Solomoni hipi në fron si mbret, një nga vëllezërit e tij më të mëdhenj, Adonijahu, i cili ishte përpjekur edhe më parë të shtinte në dorë mbretërinë, iu afrua Betshebës, nënës së Solomonit, dhe i tha: «Ti e di mirë se mbretëria duhej të ishte bërë imja.» Pastaj i kërkoi që t’i thoshte Solomonit t’i jepte për grua shunamiten Abishaga, e cila me sa duket konsiderohej si bashkëshorte ose konkubinë e Davidit. I zemëruar, Solomoni iu përgjigj: «Pse s’kërkon edhe mbretërinë për të?» Pastaj, dha urdhër që Adonijahu të vritej, duke treguar me këtë se e mori kërkesën e Adonijahut si përpjekje për të uzurpuar mbretërinë.—1Mb 1:5-7; 2:13-25.
Perëndia nuk e pa të përshtatshme të rivendoste normën fillestare të monogamisë që kishte themeluar në kopshtin e Edenit, pa u shfaqur Jezu Krishti; megjithatë, i mbrojti me ligj të drejtat e konkubinave. Është e qartë që fakti se ekzistonin konkubinat ndihmoi në shtimin e shpejtë të popullsisë së Izraelit.—Mt 19:5, 6; 1Ko 7:2; 1Ti 3:2; shih MARTESA (Poligamia).
Përdorimi i figurshëm. Apostulli Pavël e përngjason Jehovain me burrin e një gruaje të lirë, «Jerusalemi lart», që është «nëna» e të krishterëve të lindur nga fryma, sikurse Abrahami ishte burri i Sarës. Marrëdhënien e Jehovait me kombin e Izraelit, të përfaqësuar nga Jerusalemi, kryeqyteti, e krahason me atë të një burri me konkubinën. Nëpërmjet besëlidhjes së Ligjit, Jehovai ‘u martua’ me Jerusalemin, ‘shërbëtoren’ ose ‘konkubinën’, një marrëdhënie e ngjashme me atë të Abrahamit me shërbëtoren dhe konkubinën Agarë.—Ga 4:22-29; krahaso Is 54:1-6.