DIMONI
Vend që përmendi Isaia kur shpalli dënimin kundër Moabit; nga vrasja e moabitëve, ujërat e Dimonit «u mbushën me gjak».—Is 15:9.
Disa komentues mendojnë se Dimon është formë tjetër e emrit Dibon (i përmendur në Isa 15 vargun e 2-të të profecisë) dhe është përdorur për të krijuar aliteracion ose lojë tingujsh me fjalën hebraike për «gjak» (dam); kështu vargu dilte ‘Dimoni u mbush me dam’. Këtë pikëpamje e mbështet fakti se te rrotullat e Detit të Vdekur lexojmë «Dibon» e jo «Dimon» në Isa 15 vargun 9, si edhe pohimi i Jeronimit se në kohën e tij (rr. 347-420 të e.s.) këta dy emra përdoreshin si sinonime.
Gjithsesi, të tjerë mendojnë se është e pamundur që emri Dibon të paraqitej në dy forma të ndryshme brenda një shpalljeje të shkurtër dhe, gjithashtu, vënë re se asnjë vend tjetër në këtë shpallje nuk përmendet dy herë. Për më tepër, theksojnë se Diboni nuk ndodhej pranë ndonjë vendi me ‘ujëra’ të bollshme, e në fakt ishte goxha larg nga vadi më i afërt, Arnoni. Ndaj hedhin idenë se emri Dimon mund të ketë ardhur nga një ndryshim gjatë kopjimit të emrit Madmen, i përmendur në dënimin që shpalli Jeremia për Moabin. (Jr 48:2) Zakonisht Madmenin e lidhin me Dimnën, afro 4 km në perëndim-veriperëndim të Rabat-Moabit, në një vend të lartë nga ku shihen ujërat e ʽAin-el-Megeisilit në juglindje.
Të dyja këto pikëpamje janë hamendje. Parapëlqehet kjo e fundit sepse lidhet me një vend me ujëra, një kusht që duket se e kërkon konteksti.