DORI
Një nga qytetet palestineze që lidhën aleancë me Jabinin, mbretin kananit të Hazorit, për të luftuar kundër Josiut (Js 11:1, 2), por u mposhtën menjëherë. (Js 11:12; 12:23) Dori dhe fshatrat e tij në të vërtetë ndodheshin në territorin e Asherit, por iu dhanë fisit të Manaseut, që nuk arriti t’ua merrte pronat banorëve të mbetur. (Js 17:11-13; 1Kr 7:29) Më vonë, territori i Dorit, nën mbikëqyrjen e një dhëndri të Solomonit, furnizonte me ushqim një muaj në vit shtëpinë e mbretit.—1Mb 4:11.
Zakonisht qytetin e Dorit e lidhin me Kirbet-el-Burjin (Tel-Dorin), 13 km në veri të Cezaresë, në rrafshinën e gjatë e të ngushtë bregdetare që shtrihet buzë Mesdheut. Kjo vendndodhje në rrafshinën bregdetare ka ngjallur disa polemika për kuptimin e shprehjes së përdorur shpesh «kreshtat [nga heb., nafáh] e malit të Dorit». (Js 11:2) Sipas disa studiuesve, kjo u referohet shkëmbinjve përgjatë pjesës dërrmuese të brigjeve të këtij rajoni, duke e lidhur kështu fjalën hebraike nafáh me termin arab nafnaf, që do të thotë «shkëmb, greminë». Të tjerë mendojnë se mund të tregojë shpatet e kodrave që zënë fill në brendësi të vendit, 3 km larg Dorit dhe përfundojnë në lartësitë e malit Karmel.