BAJGAT, JASHTËQITJET
Në gjuhët biblike ka fjalë të ndryshme për jashtëqitjet e njerëzve, zogjve dhe kafshëve. Në Shkrime, ato përdoren shpesh në kuptim të figurshëm.
Në kampet e ushtarëve izraelitë kishte një «vend për nevojat [personale]» ose «nevojtore», ku duhej të mbulonin jashtëqitjet. (Lp 23:12-14) Kjo masë e mbante ushtrinë të pastër përpara Jehovait dhe parandalonte përhapjen e sëmundjeve infektive të shkaktuara nga mizat.
Një nga portat e Jerusalemit ishte «Porta e Togjeve të Hirit», e cila zakonisht quhej «Porta e Bajgave». (Ne 2:13; 3:13, 14; 12:31) Ajo ndodhej një mijë kute (445 m) në lindje të Portës së Luginës, pra ishte në jug të malit të Sionit. Ka të ngjarë që porta të mbante atë emër për shkak të plehrave që grumbulloheshin në luginën e Hinomit; në fakt, porta ndodhej mbi luginë dhe të çonte atje. Po ashtu, ka mundësi që plehrat e qytetit të nxirreshin përmes asaj porte.
Disa popullsi nomade mund t’i kenë përdorur bajgat si lëndë djegëse. Kur vuri në skenë një profeci për rrethimin e Jerusalemit, Ezekieli kundërshtoi kur Perëndia e urdhëroi të piqte kuleç mbi jashtëqitje njeriu. Me dashamirësi, Perëndia e lejoi të përdorte në vend të tyre pleh gjedhësh. (Ezk 4:12-17) Me sa duket, kjo tregon se një përdorim i tillë nuk ishte i zakonshëm në Izrael.
Bajgat përdoreshin edhe si pleh për tokën. Nga sa duket, kashta dhe bajgat përziheshin në «një plehërishtë», ku ka të ngjarë që kashta të shkelej nga kafshët. (Is 25:10) Një mënyrë për ta bërë pjellore një pemë fiku, ishte ‘ta punoje rreth e rrotull dhe t’i hidhje pleh’.—Lu 13:8.
Përgjithësisht, bajgat konsideroheshin të pështira e duheshin flakur. Fjalët e Jehovait drejtuar shtëpisë kryeneçe të Jeroboamit, mbretit të Izraelit, shprehin neverinë që ngjallin bajgat dhe theksojnë faktin se duheshin flakur: «Do ta fshij shtëpinë e Jeroboamit, ashtu si fshihen bajgat derisa të jenë hequr fare.»—1Mb 14:10.
Ta ktheje shtëpinë e dikujt në nevojtore publike, ishte fyerja më e madhe dhe ndëshkim. (Ezd 6:11; Dn 2:5; 3:29) Gjatë provës që u bë në majë të malit të Karmelit për të vërtetuar se kush ishte Perëndia i vërtetë, Elija u tall me profetët e Baalit gojëmbyllur duke thënë: «Mbase është i zënë me ndonjë punë, a i vjen për të dalë jashtë dhe i duhet të shkojë në nevojtore.» (1Mb 18:27) Më vonë, Jehu dhe njerëzit e tij e rrëzuan tempullin e Baalit dhe «e lanë për t’u përdorur si nevojtore».—2Mb 10:27.
Bajgat ose plehu janë përdorur edhe si krahasim që tregon fundin e turpshëm të një individi ose kombi. (2Mb 9:36, 37; Ps 83:10; Jr 8:1, 2; 9:22; 16:4) Perëndia paratha se, kur të zgjidhë çështjen me kombet, të vrarët nga Jehovai nuk do t’i vajtojnë dhe as do t’i varrosin, por do të bëhen «si pleh në faqen e dheut».—Jr 25:31-33; krahaso So 1:14-18.
Sipas Ligjit, prifti nuk duhej të hante mishin e blatimit për mëkatin, gjakun e të cilit e kishin çuar në shenjtërore për të bërë shlyerjen. Kërma dhe bajgat duheshin djegur në një vend të pastër jashtë kampit. (Le 4:11, 12; 6:30; 16:27) Kjo bëhej sepse asnjë pjesë e kafshës nuk duhej përdorur për diçka tjetër ose të lihej të dekompozohej. Ajo ishte «e pastër», domethënë, e shenjtëruar për Jehovain, prandaj duhej djegur në një vend të pastër.—Krahaso He 13:11-13.
Pavli, i cili i vlerësonte jashtëzakonisht gjërat frymore dhe shpresën te Krishti, shpalli: «Për shkak të tij pranova të humb çdo gjë dhe i konsideroj sikur të jenë shumë plehra, që të fitoj Krishtin.» (Fi 3:8, 9) Fjala greke (skíbalon) e përkthyer «plehra» në këtë varg, tregon qoftë jashtëqitje, qoftë mbeturinat e ndonjë gostie që duheshin hequr nga tavolina. Edhe sikur apostulli të ketë pasur ndër mend këtë domethënie të fundit, prapëseprapë përcaktimi i ‘çdo gjëje’ si plehra, tregon sa shumë vlerë kishte për Pavlin të fitonte Krishtin e të ishte në unitet me të.—Shih GLASA E PËLLUMBIT.