ELIEZERI
[Perëndia im është ndihmë].
1. Një burrë nga Damasku dhe me sa duket trashëgimtar i Abrahamit derisa lindi fëmijë. Abrahami e quajti «shërbëtor i shtëpisë sime». (Zn 15:2, 3) Në gjuhën origjinale, fjala për «shërbëtor» është «bir» dhe zbulimet arkeologjike, si pllakat e Nuzit, ndihmojnë për të kuptuar pse Abrahami e quante Eliezerin trashëgimtarin e tij. Shpesh, çiftet pa fëmijë birësonin një djalë që të kujdesej për ta në moshë të shkuar dhe, kur të vdisnin, të merrej me varrimin e tyre. Më pas, ai trashëgonte gjithçka që linin ata. Megjithatë, birësimi bëhej me kusht që, nëse çiftit i lindte një djalë, ky i fundit bëhej trashëgimtari kryesor.
Ka të ngjarë që Eliezeri të ishte ai që përmendej si shërbëtori më i moshuar që administronte shtëpinë dhe që Abrahami e dërgoi në shtëpinë e Nahorit në veri të Mesopotamisë që të gjente një grua për Isakun. Njësoj si Abrahami, zotëria i tij, Eliezeri i kërkoi udhëheqje Jehovait dhe e dalloi drejtimin e Tij.—Zn 24:2, 4, 12-14, 56.
2. Më i vogli nga dy djemtë e Moisiut. Moisiu i vuri këtë emër, sepse Perëndia e kishte ndihmuar duke e çliruar nga shpata e faraonit. (Da 18:4) Eliezeri pati vetëm një bir, Rehabjahun, nga i cili erdhën shumë pasardhës. Në kohën e Davidit, njëri prej tyre, Shelomoti, bashkë me vëllezërit e tij, u caktua të mbikëqyrte çdo gjë të shenjtëruar.—1Kr 23:17; 26:25, 26, 28.
3. Biri i Bekerit dhe pasardhës i Beniaminit.—1Kr 7:6, 8.
4. Njëri nga shtatë priftërinjtë që u binin fort trumbetave para arkës së Jehovait, kur Davidi e solli nga shtëpia e Obed-Edomit në Jerusalem.—1Kr 15:24.
5. Biri i Zikrit dhe kreu i fisit të Rubenit gjatë mbretërimit të Davidit.—1Kr 27:16.
6. Biri i Dodavahut nga Maresha; profet që paratha se Jehovai do të prishte punën që kishte bërë mbreti Jehozafat, i cili ishte lidhur me mbretin e lig Ahaziah për të ndërtuar anije.—2Kr 20:35-37; 1Mb 22:48.
7. Një nga krerët e të mërguarve që u kthyen në Jerusalem me Ezdrën.—Ezd 8:16.
8. Një prift nga ‘bijtë e Jeshuas’, mes atyre që iu bindën këshillës së Ezdrës dhe premtuan t’i largonin gratë e huaja.—Ezd 10:18, 19.
9. Një levit mes atyre që larguan gratë e huaja siç i këshilloi Ezdra.—Ezd 10:23, 44.
10. Një pasardhës i Harimit mes atyre që ndoqën këshillën e Ezdrës për të larguar gratë e huaja.—Ezd 10:31, 44.
11. Një paraardhës i Marisë, nënës së Jezuit.—Lu 3:29.