KOMBE QË ZININ VENDIN QË I DHA PERËNDIA IZRAELIT
KUR Jehovai i dha Izraelit vendin që i kishte premtuar Abrahamit, atje banonin kombe të degjeneruara moralisht. Bibla e tregon haptas se Perëndia dekretoi shfarosjen e atyre kombeve të liga dhe i caktoi izraelitët si ekzekutues të dënimit. (Lp 7:2) Shumë veta e kanë kritikuar këtë veprim. Të tjerë e pranojnë me përulësi se nuk u takon njerëzve të papërsosur të bëhen gjykatës të Perëndisë. (Krahaso Ezk 18:29.) Dëshira e tyre është të kuptojnë udhët e Perëndisë. Çfarë kanë mësuar?
Bibla tregon qartë se të gjithë njerëzit do t’i japin llogari Krijuesit të njerëzimit, Perëndisë Jehova, pavarësisht nëse besojnë apo jo tek ai. Tregon se Perëndia është i durueshëm, por nuk i mbyll sytë para së keqes. (Zn 15:16) Gjithashtu, Bibla bën të qartë se, në sytë e Jehovait, përgjegjësia për fëmijët e vegjël bie mbi supet e prindërve; ai nuk ua heq prindërve këtë përgjegjësi dhe kështu nuk u jep shkas të mendojnë se veprimet e tyre ndikojnë vetëm tek ata vetë. (Lp 30:19; Js 10:40) Tregon edhe se të gjithë ata që kthehen nga rruga e keqe dhe adhurojnë Jehovain mund t’i shpëtojnë shkatërrimit.—Js 6:25; 9:3–10:11.
Bibla nxjerr në pah praktikat e liga pas të cilave jepeshin banorët e Kanaanit. Në një vepër thuhet: «Arkeologët që gërmojnë në rrënojat e qyteteve kananite, çuditen pse Perëndia nuk i shkatërroi edhe më shpejt.» (Halley’s Bible Handbook, 1964, f. 161) Mësimi është i qartë: Jehovai nuk e toleron përgjithmonë ligësinë.
[Kutia]
Arsyet pse u shkatërruan:
Degjenerimi moral. (Le 18:3-25)
Praktikat spiritiste. (Lp 18:9-12)
Idhujtaria e ndyrë. (Da 23:23, 24; 34:11-16; Lp 7:1-5; 1Mb 21:26)
[Figura në botimin e shtypur]
Stela të Tanitit e të Baalit dhe një statujë e Tanitit (që përkon me Ashtorethin), të zbuluara në një varrezë afër Kartagjenës (Tunizi, Afrikë Veriore)
[Figura në botimin e shtypur]
Varrezë ku u gjetën eshtrat e mijëra fëmijëve të flijuar perëndeshës Tanit. Ato rite fetare vrasëse i çuan atje detarët fenikas (kananitë). Ky vend i kobshëm mbetet dëshmi e zvetënimit të kananitëve