EVIL-MERODAKU
[nga gjuha babilonase që do të thotë «adhurues i Mardukut»].
Mbreti babilonas që hipi në fron pas Nabukodonosorit, në vitin 581 p.e.s. Vitin që u bë mbret, Evil-Merodaku u tregua mirëdashës me Jehojakinin, mbretin e Judës, dhe e liroi nga burgu. Ishte viti i 37-të i mërgimit të Jehojakinit në Babiloni. Evil-Merodaku i dha atij një pozitë më të favorshme nga të gjithë mbretërit e tjerë që ishin robër në Babiloni. (2Mb 25:27-30; Jr 52:31-34) Historiani Jozef pohon se Evil-Merodaku e konsideronte Jehojakinin një ndër miqtë e vet më të ngushtë.
Për Evil-Merodakun (Avil-Mardukun, Amil-Mardukun) ka edhe dëshmi arkeologjike. Për shembull, në mbishkrimin e një vazoje të gjetur pranë Suzës thuhet: «Pallati i Amil-Mardukut, mbret i Babilonisë, bir i Nabukodonosorit, mbret i Babilonisë.» (Mémoires de la mission archéologique de Susiane, nga V. Shajli, Paris, 1913, vëll. XIV) Sipas Berosit, që citohet nga Jozefi, ai mbretëroi dy vjet. Kurse Jozefi vetë thotë se mbretëroi 18 vjet. Evil-Merodakut, që mendohet se u vra si pasojë e një komploti, ia zuri vendin Neriglisari (Nergal-Sharezeri). Por nuk ka dëshmi të besueshme që t’i vërtetojnë këto hollësi.