GETSEMANIA
[shtypëse ullinjsh].
Ndoshta kopsht me ullinj që kishte një shtypëse për të nxjerrë vaj. Getsemania ndodhej në lindje të Jerusalemit, matanë luginës së Kidronit (Gjo 18:1), në Malin e Ullinjve ose pranë tij. (Lu 22:39) Këtu Jezu Krishti takohej shpesh me dishepujt e vet. (Gjo 18:2) Natën e Pashkës së vitit 33 të e.s., shkoi në këtë kopsht me dishepujt besnikë që të lutej. Pasi Judë Iskarioti e gjeti dhe e tradhtoi, këtu Jezuin e kapi një turmë e armatosur.—Mt 26:36-56; Mr 14:32-52; Lu 22:39-53; Gjo 18:1-12.
Vendndodhja e saktë e kopshtit të Getsemanisë nuk mund të përcaktohet, sepse (sipas dëshmisë së historianit Jozef) të gjitha pemët përqark Jerusalemit u prenë gjatë rrethimit romak më 70 të e.s. (Lufta judaike, VI, 5-8 [i, 1]) Sipas një tradite, Getsemania është kopshti që rrethuan me mur françeskanët më 1848. Kopshti është pak a shumë 46 me 43 m dhe ndodhet rrëzë Malit të Ullinjve, aty ku rruga degëzon në shpatin perëndimor të tij. Ky kopsht ka tetë ullinj shekullorë.
Figura në botimin e shtypur
Pamje nga Mali i Tempullit drejt vendit ku ndodhej Getsemania sipas traditës