HARANI
1. Bir i Terahut dhe vëlla i Abramit (Abrahamit) e i Nahorit. Haranit i lindën Loti dhe dy vajza, Iska e Milka; kjo e fundit u martua me xhaxhanë, Nahorin. Harani vdiq para se Terahu dhe Abrami të iknin nga Uri i kaldeasve.—Zn 11:26-31.
2. Pasardhës i Gershonit nëpërmjet Shimeit; ishte nga fisi i Levit.—1Kr 23:6-9.
3. Bir i Kalebit dhe i konkubinës së tij, Efahës. Haranit «i lindi» Gazezi; ishte nga fisi i Judës.—1Kr 2:3, 42, 46.
4. Qytet në veri të Mesopotamisë, ku banoi përkohësisht Abrami (Abrahami) dhe ku vdiq i ati, Terahu. (Zn 11:31, 32; 12:4, 5; Ve 7:2-4) Me sa duket, emri Haran përfshinte edhe zonën përreth, sepse Harani renditet mes «kombeve» që pushtuan mbretërit e Asirisë.—2Mb 19:11, 12.
Njëfarë kohe pasi doli nga Harani, Abrahami dërgoi shërbëtorin më të moshuar te të afërmit e vet (që duket se jetonin në Haran a në një qytezë pranë, në «qytetin e Nahorit»), që të gjente një nuse për birin e tij, Isakun. (Zn 24) Më vonë, nipi i Abrahamit, Jakobi, iku në Haran për t’i shpëtuar zemërimit të vëllait, Esaut, dhe për të gjetur grua mes bijave të të ungjit, Labanit. (Zn 27:42-46; 28:1, 2, 10) Te një pus që duhet të ketë qenë afër Haranit, Jakobi takoi Rakelën.—Zn 29:4-12.
Në shekullin e 8-të p.e.s., Senakeribi, mbreti i Asirisë, u mundua t’i fuste frikën Hezekisë, mbretit të Judës, me disa mesazhe ku mburrej se paraardhësit e tij kishin pushtuar Haranin dhe vende të tjera.—2Mb 19:8-13; Is 37:8-13.
Në tekstet asiriane, Harani me sa duket quhet Haranu (që do të thotë «rrugë»), ndoshta ngaqë ndodhej në një rrugë karvanësh që e lidhte me qytete si Ninevia, Ashuri, Babilonia e Tiri, si edhe me Egjiptin. (Krahaso Ezk 27:23.) Emrin e qytetit të lashtë e ruan Harani i sotëm, i cili gjendet aty ku bashkohen dy vade, duke formuar një rrjedhë që në dimër arrin deri te lumi Balik, rreth 110 km sipër grykëderdhjes së Balikut në lumin Eufrat. Megjithatë, disa mendojnë se Harani i lashtë ndodhej në veri të Haranit të sotëm. Ngjashmërinë e emrave të lashtë të vendeve në atë zonë me emra njerëzish, si Serugu, Nahori dhe Terahu, disa studiues e shohin si dëshmi se atje kanë jetuar patriarkë (siç tregon Bibla).—Zn 11:22-26.
[Figura në botimin e shtypur]
Harani i sotëm ruan emrin e qytetit të lashtë ku, ose pranë të cilit, shërbëtori i Abrahamit gjeti grua për Isakun