HILKIAHU
[pjesa ime është Jehovai].
1. Levit nga familja e Merarit; bir i Amzit dhe paraardhës i Etanit të cilin Davidi e caktoi këngëtar në shenjtërore.—1Kr 6:31, 32, 44-46.
2. Derëtar levit nga familja e Merarit që e mori këtë caktim në kohën e Davidit; bir i Hosahut.—1Kr 26:10-12.
3. I ati i Eliakimit, një zyrtari në oborrin e mbretit Hezekia.—2Mb 18:37.
4. Kryeprift në kohën e mbretit Josia; bir i Shalumit dhe i ati i Azariahut; ka të ngjarë të ketë qenë paraardhës i kopistit Ezdra. (2Mb 22:3, 4; 1Kr 6:13; Ezd 7:1, 2, 6) Duke qenë kryeprift, Hilkiahu luajti një rol të rëndësishëm në fushatën që ndërmori Josia për rivendosjen e adhurimit të vërtetë. Gjatë punës për meremetimin e tempullit, Hilkiahu gjeti «librin e ligjit të Jehovait që ishte dhënë me anë të dorës së Moisiut». Ky zbulim ishte i pazakontë ngaqë dorëshkrimi duhet të ketë qenë libri origjinal që shkroi Moisiu me dorën e vet. Hilkiahu ia dha dorëshkrimin sekretarit Shafan i cili ia çoi mbretit. Pasi dëgjoi fjalët e librit të lexuara nga Shafani, mbreti Josia nisi një grup njerëzish me në krye kryepriftin Hilkiah te profetesha Hulda që të pyesnin Jehovain për mbretin dhe për popullin.—2Mb 22:3-14; 2Kr 34:14.
5. I ati i profetit Jeremia; prift në Anatoth, në vendin e Beniaminit.—Jr 1:1.
6. I ati i Gemariahut të cilin mbreti Zedekia e dërgoi bashkë me Elasahun te Nabukodonosori në Babiloni.—Jr 29:3.
7. Prift levit që u kthye nga Babilonia me Zorobabelin.—Ne 12:1, 7.
8. Një nga ata që qëndruan në të djathtë të Ezdrës kur ky i lexoi Ligjin popullit.—Ne 8:2-4.
9. Emri i një shtëpie atërore priftërore në kohën e guvernatorit Nehemia.—Ne 12:12, 21, 26.