IDUMEA
[nga greqishtja, që do të thotë «(vendi) i edomitëve»].
Në epokën e Makabenjve dhe atë romake, kufijtë gjeografikë të Idumesë nuk përfshinin zemrën e territorit të Edomit të lashtë, në lindje të Arabahut, por rroknin disa pjesë të territorit të dikurshëm të fiseve të Simeonit dhe të Judës. Sipas librit apokrif 1 Makabenjve (4:29, 61; 5:65, JB), Idumea përfshinte viset përqark Hebronit deri në Beth-Zur në veri, afro 26 km në jug-jugperëndim të Jerusalemit. Thuhet se idumeasit i shpartalloi keqas Judë Makabeu. (1 Makabenjve 5:3) Më vonë, sipas historianit Jozef, Gjon Hirkani I i bëri zap gjithë idumeasit dhe i lejoi të qëndronin në vend, me kusht që të rrethpriteshin dhe të zbatonin ligjet e judaizmit. Për të mos u larguar nga vendi, idumeasit e pranuan atë kusht. (Antikitete judaike, XIII, 257, 258 [ix, 1]) Disa banorë të Idumesë ishin mes atyre që shkuan te Jezui, me të dëgjuar «se sa gjëra po bënte».—Mr 3:8; shih EDOMI, EDOMITËT.