JABINI
[ndoshta: që dallon; që kupton; ose një që ndërton].
Mbase emri i një dinastie ose titulli që mbanin mbretërit kananitë të Hazorit.
1. Mbreti i Hazorit kur Josiu pushtoi Tokën e Premtuar. Jabini lidhi aleancë me mbretërit kananitë në veri dhe këta mblodhën kundër Izraelit një ushtri të shumtë «sa kokrrizat e rërës . . . me shumë e shumë kuaj e karroca lufte». Gjatë kohës që forcat aleate fushonin pranë ujërave të Meromit, Josiu i sulmoi në befasi, i shpartalloi dhe i ndoqi këmba-këmbës. Jabini u ekzekutua pak më vonë, kur Josiu shtiu në dorë qytetin e Hazorit dhe e dogji.—Js 11:1-14; 12:7, 19.
2. Një mbret kananit që sundoi më vonë, pasi Hazori u rindërtua; ndoshta pasardhës i Jabinit nr. 1. Fakti që Jabini quhet ‘mbreti i Kanaanit’, mund të tregojë epërsinë e tij ndaj mbretërve të tjerë kananitë, titull që i jepte pushtet dhe autoritet të jashtëzakonshëm; duket se mbretër të tjerë ishin, të paktën, aleatë me të. Ose kjo shprehje ka për qëllim thjesht ta dallojë atë nga mbretërit e vendeve të tjera. Ushtria e Jabinit, e përbërë nga 900 karroca me kosa të hekurta, drejtohej nga Sisera, i cili spikat më shumë në tregim sesa vetë Jabini.—Gjy 4:2, 3; 5:19, 20.
Jehovai lejoi që Jabini ta shtypte ashpër Izraelin apostat për 20 vjet me radhë. Por, kur izraelitët i kërkuan Perëndisë t’i çlironte, Jehovai ngriti Barakun dhe Deborën, të cilët i prinë Izraelit në betejën kundër ushtrisë së Jabinit, e cila përfundoi me fitore. Siserën e vrau gruaja e Heberit, kenitit, që kishte qenë në paqe me Jabinin. (Gjy 4:3-22) Izraelitët vazhduan luftën kundër Jabinit dhe në fund e vranë.—Gjy 4:23, 24; Ps 83:9, 10.