JAELA
[dhi mali].
Gruaja e Heberit, kenitit, pra joizraelite; ajo vrau Siserën, komandantin e ushtrisë kananite.
Jaela bashkë me të shoqin, Heberin, e kishte ngritur tendën afër Kedeshit. Mes Heberit dhe shtypësve kananitë kishte paqe. (Gjy 4:10, 11, 17, 21; shih KEDESHI nr. 3.) Pasi u mund nga Izraeli, Sisera ia mbathi drejt tendave të Heberit, një vend asnjanës, dhe Jaela e ftoi në tendën e vet. Më pas, e mbuloi me një kuvertë. Kur ai i kërkoi ujë, ajo i dha një kupë të madhe me qumësht të mpiksur. Pasi e mbuloi përsëri, ai i kërkoi të ruante në hyrje të tendës. Duke menduar se ishte i sigurt si mysafir i saj, Sisera i lodhur e i rraskapitur, ra menjëherë në gjumë të thellë. Atëherë, Jaela, e cila pa dyshim ishte mësuar të ngulte kunja meqë kishte banuar në tenda, iu afrua pa zhurmë me një çekiç dhe kunj tende në dorë, dhe ia nguli kunjin tejpërtej në kokë derisa e futi në dhé. Kur arriti Baraku që ishte vënë në ndjekje të Siserës, ajo i tregoi komandantin e ushtrisë që kishte vdekur «në duart e një gruaje», siç kishte parathënë Debora. (Gjy 4:9, 17-22) Veprimi i guximshëm i Jaelës kundër armikut të Jehovait lëvdohet në këngën e fitores të Deborës dhe Barakut, ku Jaela quhet «fort e bekuar mes grave».—Gjy 5:6, 24-27.