JEBUSI
[ndoshta nga rrënja e fjalës që do të thotë «shtyp; shkel me këmbë»], JEBUSITËT.
Jebusi ishte një qytet i lashtë i jebusitëve, që ndodhej atje ku sot është Jerusalemi.
Para vitit 1900 p.e.s., në epokën e Abrahamit, ai vend quhej Salem (domethënë «paqe»), emër që përfshihet në emrin Jerusalem dhe ndoshta është shkurtim i tij. (He 7:2) Në Pllakat e Amarnës të gjetura në Egjipt përmendet Urusalimi (Jerusalemi). Gjithashtu, në librat e Josiut, të Gjykatësve dhe në Librin e Parë të Samuelit, ku përshkruhen ngjarje para pushtimit të qytetit nga Davidi, qyteti shpesh quhet Jerusalem. (Js 10:1, 3, 5, 23; 12:10; 15:8, 63; 18:28; Gjy 1:7, 8, 21; 19:10; 1Sa 17:54) Vetëm në dy fragmente biblike quhet Jebus. (Gjy 19:10, 11; 1Kr 11:4, 5) Te Josiu 18:28, përdoret termi hebraik Jevusí dhe mbaresa i tregon se bëhet fjalë për njerëz, për banorët e qytetit.
Prandaj, shumica e studiuesve mendojnë se Jerusalem (ose ndoshta Salem) ishte emri fillestar i qytetit dhe se vetëm gjatë kohës që banohej nga jebusitët, qyteti quhej hera-herës Jebus. Veç kësaj, në përgjithësi mendohet se «Jebus» nuk ishte shkurtim i fjalës Jerusalem, por shkurtim i «jebusitë», pra i emrit të atyre që banuan atje për njëfarë kohe. Pasi Davidi e mori atë qytet bastion të Sionit dhe e bëri seli mbretërore, ai quhej nganjëherë ‘Qyteti i Davidit’.—2Sa 5:7.
Jebusitët, banorët e qytetit dhe të zonës përqark, ishin pasardhës të Kamit dhe të Kanaanit. (Zn 10:15, 16, 20; 1Kr 1:13, 14) Kur përmenden bashkë me të afërmit e tyre (hititët, girgasitët, amoritët, kananitët, perezitët, hivitët), jebusitët zakonisht renditen të fundit, ndoshta ngaqë ishin më të paktë në numër nga të gjithë. (Lp 7:1; Gjy 3:5) Për ta u tha se ishin një popull që banonte në male (Nu 13:29) dhe vendi i tyre u përshkrua në mënyrë të figurshme si «një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë».—Da 3:8, 17.
Jehovai i premtoi Abrahamit se do t’ia jepte atij dhe farës së tij vendin e jebusitëve. (Zn 15:18-21; Ne 9:8) Në përmbushje të këtij premtimi, Jehovai e nxori nga Egjipti popullin e vet të zgjedhur dhe, ndërsa kalonin Jordanin, dërgoi para tyre engjëllin e tij dhe i urdhëroi të tregoheshin të fortë e t’i dëbonin të gjithë ata që u kundërviheshin. (Da 13:3-5; 23:23; 33:1, 2) Nuk duhej të bënin asnjë besëlidhje ose krushqi me jebusitët dhe me kananitët e tjerë, por duhej t’i shfarosnin e të mos linin gjallë askënd që merrte frymë, ‘që ata mos t’i mësonin të bënin tërë gjërat e tyre të pështira’.—Da 34:11-16; Lp 20:16-18.
Kur vërejti përparimin e suksesshëm të izraelitëve në pushtimin e vendit—se si u morën Jerikoja e Ai dhe si kapitulluan gibeonitët—mbreti jebusit Adon-Zedeku u vu në ballë të një aleance prej pesë mbretërish, që ishin të vendosur ta ndalnin pushtimin. (Js 9:1, 2; 10:1-5) Në betejën që pasoi, gjatë së cilës Jehovai ndali diellin dhe hënën, ushtritë aleatë u mundën, mbretërit u kapën, u vranë dhe kufomat e tyre u vunë në shtylla që t’i shihnin të tërë. (Js 10:6-27; 12:7, 8, 10) Ndoshta pas asaj fitoreje, izraelitët i vunë zjarrin Jebusit dhe e rrafshuan.—Gjy 1:8.
Si përfundoi fushatën pushtuese në zonën jugore dhe qendrore të Tokës së Premtuar, Josiu e ktheu vëmendjen nga viset veriore në perëndim të Jordanit. Jebusitët bënë sërish aleancë që t’i kundërviheshin, kësaj radhe nën udhëheqjen e Jabinit, mbretit të Hazorit, dhe Izraeli prapë i mposhti, me ndihmën e Jehovait. (Js 11:1-8) Gjithsesi, pas djegies së Jebusit dhe ca kohë para ndarjes së vendit, lartësitë strategjike të Jerusalemit ishin rishtas në dorë të jebusitëve, e ashtu mbetën për 400 vjet.—Js 15:63.
Kur u nda vendi, qyteti i Jebusit iu caktua Beniaminit dhe ndodhej tamam në kufirin mes territorit të fisit të Judës dhe atij të fisit të Beniaminit. (Js 15:1-8; 18:11, 15, 16, 25-28) Megjithatë, izraelitët nuk i përzunë jebusitët, por i lejuan bijtë dhe bijat e veta që të martoheshin me ta, e madje u përfshinë në adhurimin e perëndive të rreme të jebusitëve. (Gjy 1:21; 3:5, 6) Gjatë asaj periudhe, ai mbeti «një qytet me të huaj», ku njëherë një levit nuk pranoi të kalonte natën.—Gjy 19:10-12.
Përfundimisht, në vitin 1070 p.e.s., Davidi e pushtoi Sionin, qytetin bastion të jebusitëve. (2Sa 5:6-9; 1Kr 11:4-8) Më pas, Davidi i bleu jebusitit Araunah (Ornan) një lëmë në veri të qytetit, ku ndërtoi një altar dhe paraqiti flijime të veçanta. (2Sa 24:16-25; 1Kr 21:15, 18-28) Tamam atje Solomoni ndërtoi vite më vonë tempullin e kushtueshëm. (2Kr 3:1) Pastaj, Solomoni i vuri pasardhësit e jebusitëve të punonin si skllevër për programin e madh të ndërtimit.—1Mb 9:20, 21; 2Kr 8:7, 8.
Nga hera e fundit që përmenden jebusitët, kuptohet se ishin një grup etnik që banonte ende në vend dhe ndotën adhurimin e izraelitëve të kthyer nga mërgimi në Babiloni.—Ezd 9:1, 2.