JEHORAMI
[Jehovai është i lartë (i lartësuar)].
Forma e shkurtuar e emrit është Joram.
1. Një nga dy priftërinjtë e zgjedhur nga Jehozafati në vitin 934 p.e.s., vitin e 3-të të mbretërimit të tij, që bashkë me princat e shquar dhe levitët duhej t’i mësonin popullit në mbarë Judën «librin e Ligjit të Jehovait».—2Kr 17:7-9.
2. Bir i Akabit dhe i Jezebelës. Rreth vitit 917 p.e.s., ai pasoi në fron Ahaziahun, vëllanë e tij më të madh, si mbreti i 10-të i mbretërisë veriore të Izraelit. Mbretëroi 12 vjet. (2Mb 1:17, 18; 3:1; 9:22) Ky mbret i Izraelit nuk duhet ngatërruar me mbretin e Judës që kishte të njëjtin emër dhe ishte kunati i tij. (Shih Jehorami nr. 3.) Ndonëse hoqi shtyllën e shenjtë të Baalit të ngritur nga i ati, ai vazhdoi të bënte «atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait», duke ndjekur me përkushtim adhurimin e viçit të ngritur nga Jeroboami.—1Mb 12:26-29; 16:33; 2Mb 3:2, 3.
Mbreti i Judës, Jehozafati, dhe mbreti i Edomit u bashkuan me Jehoramin në një sulm kundër Moabit. Sulmi përfundoi me fitore, sepse Jehovai e çoroditi armikun me një iluzion optik. Eliseu, profeti i Perëndisë, u kërkoi burrave në kampin e Izraelit të hapnin kanale për të mbledhur ujin që e kishin aq të nevojshëm dhe që do t’ua siguronte Perëndia. Të nesërmen në mëngjes, pasqyrimi i dritës së diellit në sipërfaqen e ujit i bëri moabitët të mendonin se ai ishte gjak. Duke kujtuar se kampet e tre mbretërve aleatë kishin vrarë e prerë njëri-tjetrin, ata u afruan për të marrë plaçkën, por pjesa më e madhe e tyre u vranë.—2Mb 3:4-27.
Naamani, kreu i ushtrisë siriane, vajti te Jehorami që të shërohej nga lebra. Ai kishte me vete një letër ku mbreti i Sirisë i kërkonte shërimin e tij. Jehorami, që mendonte se sundimtari sirian kërkonte të grindej me të, shpërtheu: ‘Mos jam Perëndia që vret e lë gjallë apo që shëron nga lebra?’ Megjithatë, Eliseu i kërkoi Jehoramit ta dërgonte Naamanin tek ai, që kreu i ushtrisë siriane ta dinte se Perëndia i vërtetë kishte një profet të aftë për të bërë shërime të tilla.—2Mb 5:1-8.
Veç kësaj, profeti i Jehovait, Eliseu, e njoftoi Jehoramin për manovrat ushtarake të sirianëve. (2Mb 6:8-12) Gjatë mbretërimit të Jehoramit, Perëndia kishte bërë të dështonin disa sulme të sirianëve kundër Izraelit.—2Mb 6:13–7:20.
Me gjithë këto shfaqje të dashamirësisë së Perëndisë, deri sa vdiq, Jehorami nuk u pendua dhe nuk u kthye me gjithë zemër te Jehovai. Vdekja e tij qe e beftë e kur askush s’e priste. Ai ishte në Jezreel duke marrë veten nga plagët e marra në betejën me sirianët. Një ditë doli për të takuar Jehun dhe e pyeti: «A vjen në paqe?» Përgjigjja negative që mori e bëri Jehoramin të kthehej për t’ia mbathur, por Jehu e qëlloi me shigjetë drejt e në zemër. Kështu, «ky bir vrasësi» (2Mb 6:32) u ekzekutua dhe kufomën e tij e hodhën në arën e Nabotit.—2Mb 9:14-26.
3. Djali i parëlindur i Jehozafatit, i cili u bë mbret i Judës në moshën 32-vjeçare. (2Kr 21:1-3, 5, 20) Duket se për disa vjet Jehorami mbretëroi në njëfarë mënyre bashkë me të atin. (2Mb 1:17; 8:16) Tetë vjetët e mbretërimit të Jehoramit fillojnë në vitin 913 p.e.s. (2Mb 8:17) Kështu, gjatë këtyre viteve, mbretëria veriore dhe ajo jugore patën mbretër me të njëjtin emër. Ata ishin edhe kunetër, pasi Jehorami i Judës ishte martuar me Atalinë, të bijën e Akabit dhe të Jezebelës e njëherazi motër e Jehoramit të Izraelit.—2Mb 8:18, 25, 26; shih Jehorami nr. 2.
Pjesërisht për shkak të ndikimit të keq të gruas së tij, Atalisë, Jehorami nuk ndoqi udhën e drejtë të të atit, Jehozafatit. (2Mb 8:18) Ai jo vetëm vrau gjashtë vëllezërit e tij dhe disa princa të Judës, por largoi edhe nënshtetasit e tij nga Jehovai, që të adhuronin perënditë e rreme. (2Kr 21:1-6, 11-14) E tërë mbretëria vuajti nga vështirësi të brendshme dhe konflikte të jashtme. Fillimisht u rebelua Edomi; më pas, Libnahu ngriti krye kundër Judës. (2Mb 8:20-22) Në një letër drejtuar Jehoramit, profeti Elija paralajmëroi: «Ja, Jehovai po i jep një goditje të fortë popullit tënd, bijve të tu, grave të tua dhe gjithë të mirave të tua.» Veç kësaj, vetë mbreti Jehoram ‘do të kishte shumë sëmundje, një sëmundje zorrësh, derisa ato t’i dilnin ditë pas dite’.—2Kr 21:12-15.
Ndodhi pikërisht ashtu. Jehovai la që arabët dhe filistinët të pushtonin vendin e të merrnin në robëri gratë dhe bijtë e Jehoramit. Perëndia lejoi që të shpëtonte vetëm djali i vogël i Jehoramit, Jehoahazi (që quhet edhe Ahaziah), lëshim i bërë vetëm për hir të besëlidhjes që kishte bërë Jehovai me Davidin për një mbretëri. «Pas gjithë kësaj Jehovai e goditi [Jehoramin] në zorrë me një sëmundje që nuk kishte shërim.» Dy vjet më vonë «atij i dolën zorrët» dhe në fund vdiq. Kështu u shua jeta e këtij njeriu të lig që «iku dhe askujt s’i erdhi keq». Atë e varrosën në Qytetin e Davidit, «por jo në varret e mbretërve». Në vend të tij filloi të mbretëronte Ahaziahu, i biri.—2Kr 21:7, 16-20; 22:1; 1Kr 3:10, 11.