KENIZITËT
[të Kenazit].
1. Popullsi joizraelite që jetonte në Kanaan ose aty pranë, territorin e së cilës Jehovai premtoi t’ia jepte farës së Abramit. (Zn 15:18, 19) Para se izraelitët të pushtonin Tokën e Premtuar, kenizitët me sa duket u shpërngulën në Negeb nga juglindja, e ndoshta u shpërndanë në një pjesë të Edomit dhe në zonën që më pas u bë Juda Jugore.
Disa studiues i lidhin kenizitët me Kenazin, një sheik i Edomit me prejardhje nga Esau nëpërmjet Elifazit (Zn 36:15, 16), e kështu i konsiderojnë një familje të shquar edomite. Gjithsesi, nuk dihet me siguri se kush ishte në të vërtetë stërgjyshi i kenizitëve, nga i cili mori emrin familja, pasi Bibla nuk jep hollësi rreth kësaj. Fakti që, në epokën e Abramit, Jehovai i renditi kenizitët mes popujve që zinin territorin që do t’i jepej farës së Abramit (Zn 15:18, 19) nuk e mbështet idenë që kenizitët ishin pasardhës të Esaut, i cili nuk kishte lindur ende asokohe.
2. Kalebi besnik u quajt ‘biri i kenizitit Jefuneh’. (Nu 32:12; Js 14:6, 14) Jefunehu ndoshta e kishte prejardhjen nga ndonjë kenizit joizraelit (Zn 15:18, 19) që u bashkua me pasardhësit e Jakobit (Izraelit) duke u martuar me një izraelite. Megjithatë, ka më shumë të ngjarë që në rastin e tij emri ‘kenizit’ të ketë ardhur nga kreu i ndonjë shtëpie atërore të Judës që quhej Kenaz, siç quhej edhe vëllai i Kalebit.—Js 15:17; Gjy 1:13; 1Kr 4:13.