AFËRMI (I)
Njeri që ka lidhje gjaku ose martesore me dikë. Gjuhët origjinale biblike kanë fjalë të ndryshme me kuptimet dhe përdorimet e mëposhtme.
Goʼél (nga heb., gaʼál që do të thotë «shpengoj» ose «riblej») tregon të afërmin më të ngushtë mashkull që ka të drejtën të jetë riblerësi ose gjakmarrësi. Vrasësit e qëllimshëm duhej t’i vriste «gjakmarrësi». (Nu 35:16-19) Boazi ishte ‘riblerësi’ i Naomit dhe i Ruthës. (Ru 2:20; 3:9, 12, 13; 4:1, 3, 6, 8, 14) Vetë Jehovai, Ati i Madh ose Jetëdhënësi, përshkruhet si Ai që hakmerret dhe si Riblerësi i shërbëtorëve të tij.—Ps 78:35; Is 41:14; 43:14; 44:6, 24; 48:17; 54:5; 63:16; Jr 50:34.
Sheʼér (heb., do të thotë «organizëm») tregon një të afërm gjaku. Ligji i Perëndisë i ndalonte marrëdhëniet seksuale me ‘një të afërm gjaku’, si për shembull, me tezen ose me hallën. (Le 18:6-13; 20:19) Nëse një izraelit ishte futur në borxhe te ndonjë i ardhur, atëherë një nga vëllezërit, ungji, një kushëri ose «një i afërm tjetër», mund ta riblente. (Le 25:47-49) Në rast se dikush vdiste pa pasur djem, vajza, vëllezër a xhaxhallarë, trashëgiminë e tij e merrte një nga ‘farefisi’ më i afërt.—Nu 27:10, 11.
Karóhv (heb., do të thotë «afër») tregon jo vetëm një të afërm të ngushtë, por edhe një shok ose mik të ngushtë. Nëse një vëlla varfërohej aq sa të shiste pronat e veta, «një i afërm i tij» duhej t’i riblente në emër të tij. (Le 25:25) Jobi u hidhërua ngaqë ‘shokët e ngushtë’ e kishin braktisur, dhe Davidi u ankua që ‘miqtë e tij të ngushtë’ i rrinin larg.—Jb 19:14; Ps 38:11.
Terma që lidhen me fjalën jadháʽ (heb., do të thotë «njoh», «njihem») mund të nënkuptojnë një të afërm ose thjesht një të njohur. Naomi kishte «një të afërm të burrit» me emrin Boaz. Jehu vrau të gjithë ata që kishin mbetur nga shtëpia e Akabit, përfshirë edhe «të njohurit» e tij.—Ru 2:1; 2Mb 10:11.
Në Shkrimet e Krishtere Greke termi siggenés tregon një të afërm gjaku, por nuk është përdorur asnjëherë për të treguar lidhjen mes prindërve dhe fëmijëve. Sipas këtij rregulli, vini re çfarë u tha Jezui ithtarëve të tij: «Do t’ju tradhtojnë edhe prindërit, vëllezërit, farefisi [siggenón] e miqtë.» (Lu 21:16) Kur prindërit nuk po e gjenin dot Jezuin 12-vjeçar, nisën ta kërkonin mes «farefisit». (Lu 2:44) Jezui këshilloi që, kur dikush të shtronte ndonjë gosti, të mos thërriste «farefisin» që mund t’ia shpërblente, por të ftonte të varfrit. (Lu 14:12-14) Kur Pjetri i dha lajmin e mirë të shpëtimit Kornelit, ky kishte mbledhur edhe «farefisin». (Ve 10:24) Në Letrën e tij drejtuar Romakëve, Pavli u drejtohet izraelitëve në përgjithësi, por edhe disa individëve, si ‘farefisi’ ose ‘të afërmit’ e tij.—Ro 9:3; 16:7, 11, 21.