KIRI I MOABIT
Qytet i rëndësishëm i Moabit, ndoshta kryeqyteti i dikurshëm. Targumi aramaik i referohet gjithnjë Kirit (të Moabit), Kir-Haresetit dhe Kir-Heresit me emrin Karak, duke treguar se këta janë thjesht emra të ndryshëm të të njëjtit vend. Pra, në përgjithësi mendohet se «Kiri i Moabit» është Karaku i sotëm. (Is 15:1) Ky qytet ndodhet në një rrafshnaltë të vogël më shumë se 900 m mbi nivelin e detit dhe rreth 35 km në jug të Dibonit. Disa lugina të rrëpirëta e ndajnë pjesën më të madhe të Karakut prej maleve më të larta fqinje.
Aty nga fundi i shekullit të dhjetë p.e.s., forcat aleate të Izraelit, Judës dhe Edomit sulmuan Kir-Haresetin. Nëse ky vend ishte vërtet Karaku i sotëm, pa dyshim që hobetarët e goditën qytetin me gurë nga malet përqark. Edhe pse Kir-Hareseti me sa duket nuk u pushtua, mbreti i Moabit e pati punën pisk në atë betejë. Për ndonjë arsye të paditur, ai bashkë me 700 luftëtarë, u orvat të çante radhët e betejës që të arrinte mbretin e Edomit, por më kot. Siç duket, guri i fundit që luajti mbreti i Moabit ishte flijimi i birit të parëlindur në sy të të gjithëve, mbase për të qetësuar perëndinë Kemosh. (2Mb 3:5, 9, 25-27) Teksti hebraik (2Mb 3:27) mund të nënkuptojë edhe birin e parëlindur të mbretit të Edomit dhe, sipas disave, tek Amosi 2:1 bëhet fjalë për këtë. Por nuk ka shumë të ngjarë të jetë kështu.
Profecia e Isaisë tregonte se moabitët do të ofshanin për kuleçtë prej rrushi të thatë të Kir-Haresetit, ndoshta një nga produktet kryesore që tregtonte qyteti. (Is 16:6, 7) Gjithashtu, Isaia tha se dridhej si telat e harpës për Moabin dhe për Kir-Haresetin. Ashtu siç dridhen nga tingulli telat e harpës, edhe Isaia ishte prekur përbrenda nga mesazhi i gjëmës për Kir-Haresetin.—Is 16:11; shih edhe Jr 48:31, 36.