KORAHITËT
[të Korahut].
Pasardhës të Korahut, i cili u rebelua në kohën e Moisiut. Korahitët ishin një shtëpi atërore e levitëve kehathitë dhe rridhnin nga Korahu nëpërmjet tre bijve të tij, Asirit, Elkanahut dhe Abiasafit. (Da 6:18, 21, 24; Nu 16:1-3) «Bijtë e Korahut nuk vdiqën» bashkë me të atin (Nu 26:10, 11), me sa duket sepse nuk u bashkuan me të kur u rebelua.
Në regjistrimin që bëri Izraeli në rrafshinat e Moabit, «familja e korahitëve» u regjistrua me familjet levite. (Nu 26:57, 58) Gjatë kohës që Davidi s’lëvizte dot lirisht për shkak të mbretit Saul, mes burrave të fuqishëm që u bashkuan me të në Ziklag, kishte edhe disa korahitë. (1Kr 12:1, 6) Këngëtari levit, Hemani, dhe profeti Samuel ishin korahitë (1Kr 6:33-38), dhe mbreti David organizoi një grup këngëtarësh me anëtarë të familjes së Hemanit. (1Kr 15:16, 17; 16:37, 41, 42; 25:1, 4-6) Mes derëtarëve të shtëpisë së Jehovait kishte korahitë (1Kr 26:1-9, 19), dhe në kohën e Jehozafatit «levitët e bijve të kehathitëve dhe të bijve të korahitëve u çuan për të lëvduar Jehovain, Perëndinë e Izraelit, me një zë jashtëzakonisht të lartë», pasi Ai kishte premtuar se do ta çlironte popullin nga forcat e bashkuara të Moabit, të Amonit dhe të Seirit.—2Kr 20:14-19.
Mbishkrimet e Psalmeve 42, 44-49, 84, 85, 87 dhe 88 përmendin bijtë e Korahut. Megjithëse stërgjyshi i tyre kishte qenë rebel, Jehovai nuk i quajti bijtë e Korahut përgjegjës për fajin e tij; falë besnikërisë së tyre ata u bekuan dhe patën nderin të shërbenin në tempull.