LAMEKU
1. Biri i Metushaelit dhe pasardhës i Kainit. (Zn 4:17, 18) Lameku lindi kur Adami ishte ende gjallë. Ai pati dy gra njëkohësisht, Adën dhe Zilën, dhe është poligami i parë që përmendet në Bibël. (Zn 4:19) Ada i lindi bij: Jabalin, ‘atin e atyre që banonin në tenda dhe që kishin bagëti’, dhe Jubalin, ‘atin e atyre që përdornin harpën dhe pipëzën’. (Zn 4:20, 21) Kurse Zila i lindi Tubal-Kainin, «farkëtarin e çdo lloj vegle prej bakri e hekuri», si edhe një vajzë me emrin Namaha.—Zn 4:22.
Vargjet që thuri Lameku për gratë e tij (Zn 4:23, 24) pasqyrojnë frymën e dhunshme të asaj kohe. Poezia e tij thoshte: «Dëgjoni zërin tim, o gra të Lamekut, vëruni veshin fjalëve të mia: Vrava një njeri, sepse më plagosi, po, një djalë të ri, sepse më goditi. Nëse Kainit duhet t’i merret haku shtatë herë, atëherë Lamekut shtatëdhjetë e shtatë herë.» Me sa duket, Lameku po thoshte se vrasja ishte për vetëmbrojtje dhe se nuk ishte e qëllimshme si ajo e Kainit. Ai pohonte se, për t’u mbrojtur, kishte vrarë njeriun që e goditi dhe plagosi. Kështu, me këto vargje po kërkonte të mos e prekte askush që do të donte të hakmerrej për vrasjen e atij që e sulmoi.
Duket se asnjë nga pasardhësit e Kainit, mes të cilëve edhe ata të Lamekut, nuk i mbijetoi Përmbytjes.
2. Një pasardhës i Setit; biri i Metuselahut dhe babai i Noesë. (Zn 5:25, 28, 29; 1Kr 1:1-4) Edhe ky Lamek lindi ndërkohë që Adami ishte ende gjallë. Ai kishte besim te Perëndia dhe pasi ia vuri emrin të birit Noe (që ka të ngjarë të ketë kuptimin «prehje, ngushëllim»), tha: «Ky do të na sjellë ngushëllim për punën tonë dhe për mundin e duarve tona, ngaqë toka është e mallkuar nga Jehovai.» (Zn 5:29) Këto fjalë u përmbushën gjatë kohës që jetoi Noeja, kur u hoq mallkimi mbi tokën. (Zn 8:21) Lameku pati edhe bij e bija të tjera. Ai jetoi 777 vjet dhe vdiq rreth pesë vjet para Përmbytjes. (Zn 5:30, 31) Emri i tij renditet në gjenealogjinë e Jezu Krishtit te Luka 3:36.