MAHANAIMI
[dy kampe].
Vend në lindje të Jordanit, ku Jakobi takoi një grup engjëjsh pasi iku nga Labani. Atëherë ai e quajti vendin «Mahanaim». (Zn 32:1, 2) Domethënia e emrit («dy kampe») mund të tregojë se bëhej fjalë për ‘kampin e Perëndisë’, të përfaqësuar nga engjëjt e tij, dhe për kampin e Jakobit. Me sa duket, më vonë në këtë vend u ndërtua një qytet, i cili në shekullin e 15-të p.e.s. iu caktua në fillim fisit të Gadit dhe pastaj meraritëve nga fisi i Levit.—Js 13:24, 26; 21:34, 38.
Kur Davidi mbretëronte nga Hebroni, Mahanaimi ishte kryeqyteti i mbretërisë rivale të birit dhe të pasuesit të Saulit, Ish-Boshethit. Kjo të bën të mendosh se qyteti ishte i fortifikuar dhe kishte një pozicion strategjik. (2Sa 2:8-11, 29) Duket se Ish-Boshethi u vra në Mahanaim. (2Sa 4:5-7) Më vonë, kur Davidi shkoi në Galaad për të shpëtuar nga i biri rebel, Absalomi, në Mahanaim e pritën me dashamirësi. Me kërkesë të përkrahësve të vet ai qëndroi atje dhe nuk mori pjesë në betejën që i dha fund një herë e mirë përpjekjeve të Absalomit për të uzurpuar fronin. (2Sa 17:24–18:16; 19:32; 1Mb 2:8) Gjatë mbretërimit të Solomonit, birit të Davidit, Mahanaimi ishte nën juridiksionin e nëpunësit Ahinadab.—1Mb 4:7, 14.
Shprehja «vallja e dy kampeve» te Kënga e Solomonit 6:13 mund të përkthehet edhe «vallja e Mahanaimit» (AS, AT). Mbase bëhet fjalë për një valle që kërcehej në ndonjë festë që mbahej në Mahanaim.—Krahaso Gjy 21:19, 21.
Vendndodhja e saktë e Mahanaimit nuk dihet, por ishte në lindje të Jordanit dhe në veri të Jabokut. (2Sa 2:29; Zn 31:21; 32:2, 22) Disa sugjerojnë se është Kirbet-Mahnehu (ose, Mihnai), rreth 19 km në veri të Jabokut dhe gati në të njëjtën largësi në lindje të Jordanit, por shumë mendojnë se ky vend është mjaft në veri të Jabokut. Johanan Aharoni hedh mendimin se Mahanaimi është Tell-ed-Dahab-el-Garbi, në bregun verior të Jabokut, rreth 12 km në lindje të Jordanit.—The Land of the Bible, versioni i A. Reinit, 1979, f. 314, 439.