MESHEKU
1. Një nga bijtë që i lindën pas Përmbytjes Jafetit, birit të Noesë. (Zn 10:2; 1Kr 1:5) Ky emër siç duket u përdor edhe për pasardhësit e tij dhe për vendin ku banuan. Profeti Ezekiel e përmend shpesh Meshekun bashkë me Tubalin, dhe kjo tregon se ndodheshin në veri të Palestinës. Paraqiten si eksportues skllevërish e bakri për në Tir, si popuj luftarakë dhe si aleatë ose vasalë të ‘Gogut të Magogut’ gjatë fushatës së egër të profetizuar kundër ‘maleve të Izraelit’. (Ezk 27:13; 32:26; 38:2, 3; 39:1, 2; shih GOGU nr. 2.) Në Psalmin 120:5, Mesheku përmendet veçmas Tubalit, me sa duket si një popull agresiv e barbar.
Afro një mijë vjet pas Përmbytjes, në mbishkrimet asiriane nisi të përmendet një popull i quajtur Musku, që banonte në një zonë të Azisë së Vogël në perëndim të Asirisë. Perandorët asirianë Tiglath-Pileseri I, Tukulti-Ninurta II, Ashurnasirpali II dhe Sargoni flasin për konflikte me atë popull. Fakti që Musku dhe populli Tabali (me sa duket Tubali i Biblës) përmenden shpesh bashkë të bën të mendosh se emri Musku vjen nga Mesheku. Më vonë edhe Herodoti (III, 94) i përmendi së bashku moskët dhe tibarenët.
Shumë studiues hedhin idenë se Musku lidhet me frigjianët, që duket se mbizotëronin në një pjesë të madhe të Azisë së Vogël Perëndimore dhe Qendrore nga fundi i mijëvjeçarit të 2-të p.e.s. Perandori asirian Sargoni flet për mbretin Mita të Muskit, dhe disa studiues mendojnë se ky ishte mbreti Mida i Frigjisë që, sipas traditës greke, sundoi në të njëjtën periudhë.
2. Mesheku shfaqet në tekstin masoretik te 1 Kronikave 1:17 si pasardhës i Semit, por në gjenealogjinë paralele te Zanafilla 10:23 thuhet «Mashi».