MIKEA
[formë e shkurtuar e emrit Mikael ose Mikajah].
1. Një burrë nga Efraimi. Mikea i mori së ëmës 1.100 monedha argjendi, duke shkelur kështu urdhërimin e tetë të Dhjetë Urdhërimeve. (Da 20:15) Kur rrëfeu se i kishte marrë ai dhe ia ktheu së ëmës, ajo tha: «Këtë argjend do t’ia shenjtëroj me dorën time Jehovait për tim bir, për të bërë me të një shëmbëlltyrë të gdhendur dhe një shtatore të derdhur. Ja, po ta kthej prapë.» Kështu, ajo i çoi 200 monedha argjendi një argjendari, i cili bëri «një shëmbëlltyrë të gdhendur dhe një shtatore të derdhur», që më pas u vendosën në shtëpinë e Mikesë. Mikea, i cili kishte «një shtëpi perëndish», bëri një efod e një idhull shtëpie, dhe vuri njërin prej bijve që t’i shërbente si prift. Megjithëse në pamje të parë u bë për të nderuar Jehovain, kjo gjë ishte krejtësisht e gabuar, pasi shkelte urdhërimin që ndalonte idhujtarinë (Da 20:4-6) dhe linte mënjanë tabernakullin e Jehovait dhe priftërinë e tij. (Gjy 17:1-6; Lp 12:1-14) Më vonë, Mikea mori në shtëpi Jonatanin, një levit të ri, pasardhës të Gershomit, djalit të Moisiut, dhe e punësoi si priftin e tij. (Gjy 18:4, 30) Edhe pse kjo ishte e gabuar, Mikea ndihej i kënaqur me këtë gjë dhe tha: «Tani po që Jehovai do të më bëjë të mira.» (Gjy 17:7-13) Por, meqenëse Jonatani nuk vinte nga Aaroni, nuk ishte i kualifikuar të shërbente si prift, dhe kjo e bëri edhe më të rëndë gabimin e Mikesë.—Nu 3:10.
Asokohe, danitët ishin në kërkim të një territori për të banuar. Kështu, për të vëzhguar vendin dërguan pesë burra, të cilët në fund arritën në Efraim, «te shtëpia e Mikesë, dhe e kaluan natën atje». Kur ishin afër shtëpisë së Mikesë, njohën zërin e Jonatanit, zbuluan çfarë bënte atje dhe iu lutën të pyeste Perëndinë nëse përpjekjet e tyre do të kishin sukses. Prifti u tha: «Shkoni në paqe. Jehovai e ka me sy të mirë udhën për ku jeni nisur.» (Gjy 18:1-6) Pasi vëzhguan Laishin, pesë burrat u kthyen dhe u treguan vëllezërve çfarë kishin parë; më pas, me 600 danitë të tjerë të përgatitur për luftë u nisën drejt atij qyteti. Rrugës, tek kalonin para shtëpisë së Mikesë, pesë danitët u treguan vëllezërve për objektet e tij fetare dhe sugjeruan t’ia merrnin. Ata ia morën dhe bindën madje edhe levitin se më mirë të ishte prifti i një fisi dhe familjeje në Izrael, sesa thjesht i një njeriu. Kështu morën atë, efodin, idhullin e shtëpisë dhe shëmbëlltyrën e gdhendur dhe vazhduan rrugën.—Gjy 18:7-21.
S’kaloi shumë dhe Mikea iu vu pas me një grup burrash dhe i arriti. Kur e pyetën çfarë kishte, Mikea tha: «Ju m’i morët perënditë që bëra dhe priftin e ikët. Ç’më mbetet mua tani?» Mirëpo bijtë e Danit e paralajmëruan se, nëse vazhdonte t’i ndiqte e të protestonte, do ta sulmonin. Duke parë se danitët ishin goxha më të fortë se burrat e tij, Mikea u kthye në shtëpi. (Gjy 18:22-26) Më pas, danitët sulmuan Laishin, e dogjën dhe ndërtuan në vend të tij qytetin e Danit. Jonatani me bijtë e tij u bënë priftërinj të danitëve, të cilët «e vunë mes tyre shëmbëlltyrën e gdhendur që kishte bërë Mikea dhe e mbajtën për aq ditë sa shtëpia e Perëndisë së vërtetë [tabernakulli] qëndroi në Shiloh».—Gjy 18:27-31.
2. Levit nga familja kehathite e Uzielit, ku ai ishte kreu dhe i vëllai, Ishiahu, ishte i dyti pas tij në kohën kur Davidi u ndau levitëve detyrat e shërbimit.—1Kr 23:6, 12, 20; 24:24, 25.
3. Pasardhës i mbretit Saul; bir i Merib-Baalit (Mefiboshetit), djalit të Jonatanit. Quhet edhe Mika.—1Kr 8:33-35; 9:39-41; 2Sa 9:12.
4. Rubenit, biri i Shimeit dhe i ati i Reajahut. Beerahu, pasardhësi i tij, ishte prijës i fisit të Rubenit dhe u mor në mërgim nga mbreti asirian Tilgath-Pilneseri (Tiglath-Pileseri III).—1Kr 5:1, 3-6; 2Mb 15:29.
5. I ati i Abdonit (Akborit). Ai quhet edhe Mikajah, që është forma më e gjatë e emrit të tij.—2Kr 34:20; 2Mb 22:12.
6. Levit dhe pasardhës i Asafit. (Ne 11:15, 17) Ai quhet edhe Mika e Mikajah.—1Kr 9:15; Ne 11:22; 12:35.
7. Shkrimtar i librit të Biblës që mban emrin e tij dhe një profet i Jehovait në kohën e mbretërve të Judës, Jotamit, Akazit dhe Hezekisë (777-717 p.e.s.). Mikea ishte bashkëkohës i profetëve Hozea dhe Isaia. Nuk dihet me saktësi për sa kohë profetizoi. Me sa duket, aktiviteti i tij si profet mbaroi në fund të mbretërimit të Hezekisë, kur përfundoi edhe shkrimin e librit të tij.—Mi 1:1; Ho 1:1; Is 1:1.
Mikea ishte nga fshati i Moreshetit në jugperëndim të Jerusalemit. (Jr 26:18) Si banor i Shefelahut pjellor, profeti e njihte mirë jetën e fshatit, nga e cila u frymëzua të bënte ilustrime plot kuptim. (Mi 2:12; 4:12, 13; 7:1, 4, 14) Mikea profetizoi gjatë një kohe shumë të trazuar kur adhurimi i rremë dhe rënia morale kishte marrë dhenë në Izrael e në Judë dhe kur mbreti Hezekia ndërmori reforma fetare. (2Mb 15:32–20:21; 2Kr 27-32) Me të drejtë, «Fjala e Jehovait që iu drejtua Mikesë» paralajmëronte se Perëndia do ta kthente Samarinë në «një grumbull gërmadhash». Gjithashtu, ai profetizoi se ‘Sioni do të lërohej si të ishte një arë, ndërsa Jerusalemi do të bëhej një grumbull gërmadhash’. (Mi 1:1, 6; 3:12) Megjithëse shkatërrimi i Judës dhe i Jerusalemit në vitin 607 p.e.s. ndodhi shumë vjet pas kohës së Mikesë, ka shumë mundësi që profeti të ketë jetuar aq gjatë sa për të parë shkatërrimin e parathënë të Samarisë në vitin 740 p.e.s.—2Mb 25:1-21; 17:5, 6.